Figura e Gjin Aladro Kastriotit, e lidhur me historinë e pretendimeve për fronin shqiptar dhe mbështetjen ndaj çështjes kombëtare, vjen në qendër të një ekspozite historike-dokumentare në Tiranë. Përmes një koleksioni të veçantë me dokumente arkivore, artefakte, fotografi, kartolina, botime dhe materiale historike të zbuluara në arkiva të ndryshme evropiane dhe shqiptare, ekspozita solli në vëmendje aspekte pak të njohura të jetës dhe veprimtarisë së tij, duke hedhur dritë mbi lidhjet me Shqipërinë dhe mbështetjen për çështjen kombëtare shqiptare.
Java Kulturore Spanjolle u çel me ekspozitën historike-dokumentare “Gjin Aladro Kastrioti: pretendenti apo patrioti?” në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në Tiranë, ku ceremonia e hapjes u shoqërua me një prezantim nga kuratori Xherardo Nikjari, i cili ndau me të pranishmit kërkimet dhe dëshmitë historike që ndihmojnë në njohjen më të plotë të kësaj figure, përtej pretendimit të tij për fronin shqiptar.
Një udhëtim përmes historisë, diplomacisë dhe kujtesës, që solli në vëmendje një kapitull pak të njohur të lidhjeve shqiptaro-spanjolle. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 15 nëntor, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare. Ekspozita synon të nxisë interesin e publikut për një figurë që mbetet pak e njohur në historinë shqiptare, duke ofruar mundësinë për ta njohur atë përmes dokumenteve dhe burimeve autentike.










































