Google search engine
Home Kulture Veprat e artit në hapësirat publike, Agim Janina: Kemi shumë mangësi në...

Veprat e artit në hapësirat publike, Agim Janina: Kemi shumë mangësi në trajtimin e figurave të rëndësishme

0
7

Nga Julia Vrapi

Vendosja e veprave të artit në hapësirat publike shoqërohet me problematika që lidhen me mungesën e kritereve të qarta për përzgjedhjen, vlerësimin dhe realizimin e tyre. Debati mbi krijimin e një Komisioni Shtetëror të Artit në Hapësirat Publike rikthen në vëmendje edhe çështjen e përfshirjes së ekspertëve në këtë proces. Studiuesi i artit Agim Janina thekson se në hapësirat publike mungojnë figura të rëndësishme të historisë, shkencës dhe kulturës, të cilat nuk janë përfaqësuar me monumente në rrugë, sheshe apo parqe. Ai thotë gjithashtu se duhet vlerësuar rëndësia historike e secilit personalitet përpara se t’i kushtohet një vepër arti. “Disiplinimi dhe vendosja e ndërtimit dhe vendosjes së veprave të artit në hapësirat publike nën një komision shtetëror me artistë, estetë, krijues, studiues e kritikë arti është domosdoshmëri si nga pikëpamja e përcaktimit se kujt i duhet ngritur një vepër arti dhe në caktimin e vlerës dhe rëndësisë që një personalitet shfaq në historinë e vendit. Kemi shumë mangësi në trajtimin e shumë figurave të rëndësishme të fushave të ndryshme të historisë, shkencës dhe kulturës që mungojnë me praninë e tyre në rrugët, sheshet apo parqe”, shprehet studiuesi Agim Janina ndër të tjera.

Roli i komisionit vlerësues

Në vijim të reagimit të tij, studiuesi i artit Agim Janina, i cili herë pas here në reagimet e tij ka shprehur shqetësimin për çfarë ndodh me veprat e artit, thekson se komisionet profesionale duhet të përcaktojnë jo vetëm figurat që meritojnë të përjetësohen në hapësirat publike, por edhe formën artistike që duhet të marrë secila vepër, në varësi të rëndësisë dhe kontributit të personalitetit apo ngjarjes historike. “Komisionet profesionale në përcaktimin e figurave që duhen trajtuar si monumente do të jenë ata që do të bëjnë edhe një klasifikim se kujt i duhet bërë një kokë, kujt një bust, kujt një shtatore dhe kujt një monument shumëfigurësh në rastin e ndonjë ngjarjeje historike. Mungesa e komisionit vlerësues ka sjellë që kemi edhe raste kur nga të afërm janë bërë monumente për figura që nuk mbajnë peshën për monumentin që u është kushtuar, si dhe kemi edhe ndërhyrje politike për figura të tilla që nuk kanë rrezatim mbarëshoqëror për vlerën që kanë, por janë ngritur thjesht për përfitime politike”, thotë Janina.

Debati për këtë çështje u rikthye në vëmendje edhe pas prezantimit të udhëzimit të ri, për të cilin ministri Blendi Gonxhja bëri me dije në muajin gusht. Udhëzimi, i nënshkruar nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, përcakton procedurën që duhet të ndiqet për vendosjen e monumenteve, skulpturave, muraleve dhe instalacioneve në hapësirat publike, bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 224, datë 1.4.2026. Sipas udhëzimit, çdo propozim do të shqyrtohet fillimisht nga bashkitë dhe më pas nga Komisioni Shtetëror i Artit në Hapësirat Publike, i cili do të vlerësojë aspektet artistike, estetike, urbanistike dhe arkitektonike të veprës. Megjithatë, mbetet për t’u parë se si do të zbatohet kjo procedurë në praktikë dhe nëse do të adresojë problematikat e ngritura prej kohësh nga komuniteti artistik. Kjo edhe për faktin se problematikat e ngritura prej vitesh nga komuniteti artistik lidhen jo vetëm me mungesën e mekanizmave të vlerësimit, por edhe me cilësinë artistike dhe përshtatshmërinë e veprave me hapësirat ku ato vendosen.

Mirëmbajtja e veprave të artit, shqetësim i artistëve dhe studiuesve

Më herët në reagimet e tij, studiuesi i artit Agim Janina ka sjellë në vëmendje edhe problematikat që lidhen me mungesën e mirëmbajtjes dhe mbrojtjes së veprave të artit në hapësirat publike, duke shprehur kritika në drejtim të institucioneve përgjegjëse. Ai ka theksuar se një pjesë e monumenteve dhe skulpturave nuk marrin kujdesin e nevojshëm, ndërsa disa prej tyre janë përballur edhe me dëmtime dhe shkatërrime. Më herët Janina ka përmendur edhe bustin e poetit Andon Zako Çajupi në Tiranë, si dhe vepra të tjera që kërkojnë ndërhyrje dhe mirëmbajtje të vazhdueshme nga institucionet përgjegjëse. Kjo gjë është pohuar edhe nga vetë artistë që janë autorë veprash apo dhe të tjerë, të cilët thonë se duhet një monitorim në gjithë vendin edhe nga Ministria e Kulturës, pasi bashkitë nuk bëjnë sa duhet. Sipas artistëve, mungesa e një kontrolli të vazhdueshëm dhe e koordinimit mes institucioneve ka bërë që vepra arti të mbeten jashtë vëmendjes, duke u dëmtuar gradualisht pa pasur ndërhyrjet e nevojshme për restaurimin dhe mirëmbajtjen e tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here