“E Zonja e Bujtinës” e Carlo Goldonit, një kryevepër e tetarit botëror do të ngjitet në skenën e teatrit “Skampa” në Elbasan mbrëmjen e së enjtes dhe të premtes. Një vepër që vijon të ruajë aktualitetin përmes humorit, situatave plot ironi dhe personazheve që pasqyrojnë marrëdhëniet njerëzore, vjen për publikun elbasanas me regji të Kiço Londos. Gjatë këtij muaji, komedia “E Zonja e Bujtinës” ka shënuar sukses në skenat ku është prezantuar, në Vlorë, në teatrin e Gjilanit dhe në Preshevë, duke u pritur me interes nga publiku.
Pas këtyre ndalesave, shfaqja vijon rrugëtimin e saj drejt Elbasanit, ku do të ngjitet në skenën e teatrit “Skampa”. Në rolet e veprës janë: Artemisa Kusi, Anila Muçaj, Fjodor Xhydollari, Igli Fusha, Enisa Hysa, Stelina Sulejmani, Mateo Dervishaj, Irdon Methasani, Shpëtim Terolli. Në qendër është Mirandolina, pronarja e një bujtine, një grua e gjallë dhe e aftë që di si t’i trajtojë si punët e saj, ashtu edhe burrat që e rrethojnë. Një kont dhe një markez i falimentuar qëndrojnë në hanin e saj, të cilët përpiqen më kot të fitojnë dashurinë e saj.
Nga ana tjetër, interesi i Mirandolinës ngjallet nga Konti Ripafrata, një burrë cinik, në terma modernë seksist dhe mizogjin, i cili deklaron hapur neverinë e tij ndaj grave. Kjo sfidë e shtyn Mirandolinën në një lojë strategjie me qëllim që të lëkundë bindjen e Kontit, ndërsa fabula përforcohet nga prania e dy aktoreve, të cilat luajnë konteshën dhe markezen, duke shtuar situata të tjera komike. Përmes kësaj vepre, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një nga komeditë më të njohura të Carlo Goldonit, e cila vijon të ruajë aktualitetin përmes humorit dhe tematikave që trajton. E vënë në skenë nën regjinë e Kiço Londos, shfaqja bëhet pjesë e jetës artistike dhe teatrore të këtij sezoni.










































