Google search engine
Home Editorial Opinion Çfarë pashë në shtratin e xhamtë të Gadafit dhe dora e shtrirë...

Çfarë pashë në shtratin e xhamtë të Gadafit dhe dora e shtrirë në Sirta

0
6

“Sa vaporë me ndihma kërkoni nga Libia, për të qenë pranë popullit shqiptar në këto ditë të vështira”?

-Kujtimet e prillit libian në mes xhybeve dhe raketave

-Udha drejt Tripolit mes sanksioneve dhe izolimit

-Misteri i 15 prillit 1998-të dhe dëshira e kolonelit për Shqipërinë

Nga Bujar Qesja

Fluturimi drejt enigmës së shkretëtirës

Ishte prilli i vitit 1998-të kur një grup gazetarësh, intelektualësh, politikanësh dhe të shoqërisë civile, u nisën drejt një bote krejt tjetër. Ishim një delegacion i larmishëm, gazetarët Ylli Rakipi, Armand Shkullaku, Lulzim Çota e Bujar Qesja, diplomatët Bashkim Zeneli e Pëllumb Xhufi, figura politike si Hysen Selfo i “Ballit Kombëtar” e Maksim Begeja i Partisë Republikane, pedagogu i fakultetit të Shkencave të Natyrës Dritan Spahiu etj. Isha mes tyre, me aparatin fotografik varur në qafë dhe me një kuriozitet, që sot pas thuajse tri dekadash, kthehet në dëshmi të rrallë historike. Nuk e kam kuptuar ende, pse asnjë nga kolegët nuk shkroi për këtë udhëtim, përveç një shënim timin në gazetën javore “Teuta Sport”. Ky shkrim i tanishëm, vjen si  detyrim ndaj kujtesës.

Prill i vitit 1998-të. Ftesa nga Ambasada Libiane në Tiranë, erdhi si thirrje nga një botë tjetër, e largët dhe plot rreziqe. Ishte ftesë që mbarte me vete, kureshtje të jashtëzakonshme dhe ndjesi të fortë befasie. Po shkelnim në një vend të ri, të mbyllur me shtatë kyçe, ku vëmendja dhe syri i të gjithë botës ishte përqendruar me frikë dhe dyshim. Libia ndodhej, nën një embargo të rreptë ajrore. Qiejt e saj ishin të vdekur për avionët civilë.

Udha jonë, për t’u bërë pjesë e asaj konference ndërkombëtare e quajtur “Paqja dhe Miqësia”, ishte kalvar i vërtetë. Fluturuam nga Rinasi në Romë. Qëndruam një natë atje. Pastaj zbritëm në ishullin e Tunizisë, Djerba. Prej andej u mbyllëm në një autobus, që gëlltiti me orë të tëra rrugët e nxehta e të pluhurosura të shkretëtirës, derisa kaluam kufirin tokësor libian. Mbase ishim delegacioni i fundit i shqiptarëve, që po vizitonim atë vend në epokën e tij të artë e të frikshme, përpara se historia të ndryshonte rrjedhë përgjithmonë.

Brenda dhomës mortore të Hana Gadafit në Bab al -Azizia

Na çuan të vizitonim Bab al-Azizia, rezidencën e fortifikuar ushtarake dhe shtëpinë e kolonelit Muammar Gadafi. Më 14 prill 1998-të, shkelëm brenda kësaj fortese. Pa e kuptuar, data e vizitës sonë përkonte me 12-të vjetorin e saktë të natës, kur avionët amerikanë F-111 lëshuan rrebeshin e raketave mbi këtë shtëpi. Gadafi nuk kishte riparuar asgjë. E kishte kthyer gërmadhën, në monument të gjallë të psikologjisë së mbijetesës. Ndjesia brenda atyre mureve ishte tronditëse. Kishte kontrast të jashtëzakonshëm, mes propagandës politike antiimperialiste dhe tragjedisë së pastër njerëzore që fshihej aty.

Ajo që të godiste sapo futeshe në brendësi të qytetit, ishte izolimi i vetë liderit. Rezidenca e tij, Bab al-Azizia, ishte qytet i blinduar brenda qytetit, krejtësisht e ndarë nga pjesa tjetër e Tripolit. Atë nuk e ruanin ushtarë të zakonshëm, por Garda e e famshme e Amazonave, vajza dhe gra të stërvitura fort, me armë automatike në duar dhe vështrime të ftohta, që rrethonin çdo hap të tij. Aty brenda, muzeu la mënjanë politikën e madhe dhe na futi dhunshëm në intimitetin e mureve të rrënuara. Pamë dhomën ku flinte vetë Koloneli. Shtrati i tij ishte i tëri i mbuluar dhe i izoluar me xham, si për të ruajtur të paprekur pluhurin e asaj nate tmerri.

Dhe ekzaktësisht ngjitur me të, vetëm disa pëllëmbë larg, qëndronte tjetër krevat i vogël, po ashtu i mbyllur në xham, krevati i vajzës pesëvjeçare Hana. Një nga raketat kishte shpërthyer pikërisht aty, duke e vrarë fëmijën në gjumë, fare pranë mbulesës së të atit. Pjesët e copëtuara të raketës amerikane, vareshin si skelete mbi mure. Ndjesia ishte mbytëse. Prekja e asaj dhome, ku jeta private e një njeriu kaq të fuqishëm ishte dhunuar nga lufta, linte tek çdo vizitor shije të përzier tmerri dhe dëshpërimi njerëzor.

Skenë që të ngrinte gjakun, përtej çdo politike. Gadafi donte që bota të shihte plagën e tij të hapur, të futej në intimitetin e përgjakur, që askush të mos guxonte më ta gjykonte si agresor, por si viktimë. Teksa shikoja atë skenë, kuptova se Bab al-Azizia nuk ishte thjeshtë një muze, por teatër psikologjik, ku Gadafi donte t’i tregonte botës plagën e tij, duke e përdorur atë si mburojë morale. Kishte ftuar qindra delegatë nga e gjithë bota në atë konferencë, pikërisht për këtë. Të projektonte imazhin e një lideri të pamposhtur, një viktime që sfidonte superfuqinë e botës, duke kërkuar legjitimitet ndërkombëtar përmes solidaritetit të të ftuarve.

Surpriza në çadrën e Sirtës dhe ministri me bllok në dorë

Dita e dytë e takimit, qëlloi ditë Bajrami. Sipas traditës, udhëheqësi libian bënte pritje në qytetin e lindjes Sirta. Fluturuam nga Tripoli drejt Sirtës, ku në mes të shkretëtirës ngriheshin çadrat karakteristike beduine të Gadafit. Kur erdhi radha e delegacionit shqiptar, vendosëm që brenda çadrës të dërgonim diplomatin dhe analistin e njohur Bashkim Zenelin. Ne të tjerët prisnim jashtë, në periferi të çadrës, me sytë nga hyrja.

Ajo që ndodhi aty brenda na la pa fjalë. Gadafi, njeriu që sfidonte fuqitë e mëdha, e dinte mjaft mirë tmerrin që po kalonte Shqipëria në atë pranverë të zezë të ’97-ës. Marrëdhëniet tona me Libinë kishin nisur që në vitin 1970-të, kur Enver Hoxha gjeti tek Gadafi një aleat në retorikën anti imperialiste, duke bërë që në vitet ’80-të, shumë mjekë e inxhinierë shqiptarë të punonin atje me paga të larta.

Sot marrëdhëniet janë gati inekzistente, kapitull i mbyllur i historisë. Me interesim të sinqertë, pyeti Bashkim Zenelin: “Sa vaporë me ndihma kërkoni nga Libia, për të qenë pranë popullit shqiptar në këto ditë të vështira”? Por ne nuk kishim mandat shtetëror. Nuk e kishim “targën” e përfaqësimit zyrtar, për të pranuar kërkesa të tilla. Bashkimi e falënderoi dhe u largua. Por surpriza erdhi sapo doli nga çadra. Vetëm disa metra më pas, dikush i thirri duke vrapuar. Ishte një djalë i ri me  bllok në dorë.

– Jam Ministri i Ekonomisë,  iu drejtua Bashkimit. Gadafi më urdhëroi të ju pyes, se çfarë ndihmash konkretisht kërkoni nga Libia, që t’i shënoj tani. Bashkimi ia përsëriti, se nuk mund të bënte asnjë kërkesë zyrtare. Aty kuptova se pas figurës së diktatorit ekcentrik, fshihej një lider që donte të linte gjurmë me gjeste të mëdha, e që ruante simpati të veçantë për Shqipërinë.

Tripoli mes dorës së hekurt dhe oazit të qetë

Ato tri ditë na zbuluan një Libi, që pakkush e njihte nga jashtë. Me sipërfaqe gjigante prej 1.76 milionë kilometrash katrorë (pothuajse sa 60-të herë Shqipëria) dhe me popullsi të vogël prej rreth 5-6 milionë banorësh në atë kohë, vendi notonte mbi arin e zi naftën. Jetesa atje ishte jashtëzakonisht e lirë. Një nga dukuritë më magjepsëse dhe njëkohësisht më tronditëse për syrin tonë europian, ishte bashkëjetesa e rreptësisë me një lloj solidariteti të natyrshëm. Në Tripoli nuk kishte skena lypësish apo varfërie ekstreme rrugëve, diçka që në Ballkanin tonë të asaj kohe ishte kthyer në përditshmëri. Megjithatë, liria e individit ishte e ngrirë.

Ishte e jashtëzakonshme të shihje, se si në të njëjtin treg ku burrat me xhybe bënin pazar në heshtje të plotë, sapo përmendej emri i Gadafit, zërat uleshin në pëshpërimë. Njerëzit jetonin në oaz sigurie materiale, por nën një tension psikologjik të padukshëm, ku muret dhe vetë rëra e shkretëtirës ngjanin sikur kishin veshë. Tripoli të priste me qetësi të çuditshme, gati artificiale. Për një shqiptar të mësuar me tranzicionin kaotik ballkanik, kryeqyteti i Gadafit ishte paradoks i gjallë. Pijet alkoolike nuk ekzistonin.

Tregu ishte i mbytur nga mallra kineze çuditërisht cilësore. Makinat shiteshin pothuajse falas. Koka e devesë, ishte ushqimi më i peferuar për vendasit. Jetesa rridhte e lirë, e garantuar nga ari i zi i naftës, por mbi të gjitha ndjehej një lloj disipline ushtarake e padukshme. Çdo gjë kontrollohej nga sytë e Gadafit, portretet e të cilit vareshin kudo. Populli dukej i qetë, me një lloj varfërie të dinjitetshme, ku asgjë nuk pipëtinte jashtë vullnetit të madh të liderit. Muammar Gadafi qeveriste me dorë jashtëzakonisht të fuqishme, absolutizëm që ndjehej në ajër, por që çuditërisht kishte ndërtuar stabilitet, ku njerëzit nuk vuanin për kafshatën e gojës. Për ne, një grup intelektualësh dhe gazetarësh europianë të zbritur nga kaosi ballkanik, rrugët e Tripolit ishin pasqyrë ku thyheshin dy civilizime. Popullsia vendase ecte me qetësi të ngadaltë, pothuajse meditative.

Burrat e veshur me ato xhybet e tyre tradicionale, që u mbulonin këmbët deri në fund dhe gratë e mbuluara me rreptësi, krijonin peizazh vizual duke të kujtuar kohët e vjetra të shkretëtirës. E megjithatë, ky konservatorizëm fetar bashkëjetonte, me modernitet të habitshëm. Hotel blloku ynë, ngrihej si kullë luksoze mes Tripolit, me shërbime të rregullta dhe arkitekturë që rivalizonte hotelet më të mira të Europës. Në ato pak orë lirie, u futëm nëpër dyqanet e qytetit, për të prekur intimitetin e jetës së tyre të përditshme.

Regjimi i Gadafit subvenciononte për t’i mbajtur çmimet jashtëzakonisht të lira. Si kujtim nga ai udhëtim, që ngjante se nuk do të përsëritej më, blemë disa gjëra të vogla, suvenire dhe veshje karakteristike, duke thyer kështu akullin e një delegacioni të ngurtë zyrtar. Kulmi i këtij takimi kulturor ishte vizita në xhamitë e tyre mahnitëse. Kur hiqnim këpucët dhe shkelnim mbi ato qilima gjigantë e të butë, nën harqet e larta arkitektonike ku drita hynte si me magji, ndjenim peshën e një besimi që rregullonte çdo sekondë të jetës në Libi.

Nuk kishte rëndësi nëse ishe mysliman apo i krishterë. Ajo heshtje e thyer vetëm nga thirrja e muezinit, të diktonte respekt të thellë për krenarinë e atij populli të qetë. Vizita jonë qëlloi pikërisht në ditët e shenjta të Bajramit, ku ritet e kurbanit dhe solidariteti, ndjeheshin në çdo cep të qytetit. Ishte pikërisht ky kontekst fetar e kulturor që Gadafi, e përdorte si skenë të madhe për të sfiduar hapur Perëndimin dhe Amerikën, duke u vetëshpallur mbrojtës i vlerave të Lindjes.

Teoria e Tretë Universale shkruar në ‘Librin  e Gjelbër”

Për të kuptuar Libinë e asaj kohe, duhej të kuptoje mendjen e Muammar Gadafit. Nuk e quante veten as president dhe as mbret, por “Udhëheqës i Revolucionit”. Pasi përmbysi monarkinë në vitin 1969-të, refuzoi si kapitalizmin perëndimor ashtu edhe komunizmin sovjetik, duke krijuar atë që e quajti “Teoria e Tretë Universale”, të shkruar në Librin e Gjelbër. Ai e shpalli Libinë një Jamahiriya, shtet i masave.

Teorikisht populli qeveriste veten përmes komiteteve popullore, por ku në të vërtetë, çdo gjë kontrollohej nga vullneti dhe dora e tij e hekurt. Për dekada me radhë, Gadafi ndoqi politikë të jashtme agresive, duke financuar lëvizje rebele dhe duke u bërë armiku publik numër një i Uashingtonit. Por brenda vendit, përdori pasurinë e pafundme të naftës për të blerë paqen sociale. Libianët gëzonin mjekësi dhe arsim falas, energji elektrike pothuajse pa para dhe dëmshpërblime të majme për martesat apo lindjet.

Bankat në Libi, ishin në pronësi të shtetit dhe kreditë e dhëna për të gjithë qytetarët e kishin interesin 0. Gaddafi u zotua, se prindërit e tij nuk do kenë shtëpi, derisa të gjithë në Libi nuk kanë një të tillë. Të gjithë të porsamartuarit në Libi merrnin 60 mijë dinarë (50 mijë dollarë amerikanë) nga qeveria, për të blerë apartamentin e parë dhe për të filluar familjen. Nëse libianët do të donin të ushtroheshin me bujqësi, do të merrnin tokë bujqësore, shtëpi, pajisjet, fara dhe bagëti për të filluar. Të gjitha këto falas.

Kur një libian blinte makinë, qeveria e subvencionte me 50-të për qind të çmimit. Çmimi i benzinës në Libi ishte 0.14 dollarë për litër. Nëse nuk ishe në gjendje të gjeje punësim pas diplomimit, shteti do të paguante pagën mesatare të profesionit  sikur një i punësuar. Një pjesë e shitjes së naftës, kreditohej në banka në llogaritë e të gjithë libianëve. Një nënë që lindte një fëmijë, merrte pesëmijë dollarë amerikanë. Ishte ky “bllok ari” që mbante në këmbë regjimin, paçka shtypjes së pamëshirshme të çdo zëri opozitar, apo mungesës totale të lirisë politike.

Pse e vrau populli i tij?

Nëse Gadafi u kishte siguruar kaq shumë të mira materiale, përse me 20 tetor të 2011-tës populli u ngrit në një rebelim aq të egër, sa ta vriste mizorisht në  vendlindjen e tij Sirta? Përgjigja fshihet pas konsumimit të gjatë të pushtetit 42 vjeçar dhe etjes njerëzore për liri, që asnjë pasuri materiale nuk mund ta blejë pafundësisht. Me kalimin e viteve, regjimi u bë gjithnjë e më shumë i korruptuar, i përqendruar në duart e djemve të tij dhe të një rrethi të ngushtë fisesh, duke lënë pas dore rajonet e tjera, si Bengazin. Kur vala e “Pranverës Arabe” përfshiu Afrikën e Veriut, rinia libiane, e lodhur nga izolimi dhe mungesa e perspektivës në një shtet policor, shpërtheu në protesta. Gadafi u përgjigj me dhunë ushtarake, gjë që çoi në ndërhyrjen e NATO-s. Dështoi të kuptonte, se populli nuk donte më vetëm bukë dhe karburant të lirë, por donte krenari dhe liri për të zgjedhur.

Fotografitë që mposhtin kohën

Kur kanë kaluar më shumë se trembëdhjetë vjet, nga ajo vrasje që tronditi botën më 20 tetor 2011-të, Libia nuk e gjeti kurrë paqen që kërkonte. Vendi u nda në dysh, i copëtuar nga luftërat e pafundme civile mes qeverive rivale të Tripolit dhe rretheve të mbrojtura nga gjeneralët ushtarakë.

Oazi i qetë, hoteli modern dhe tregjet e lira që ne vizituam në vitin 1998-të janë zëvendësuar nga pasiguria, varfëria e vërtetë dhe kontrolli i milicive të armatosura. Si gazetar dhe dëshmitar i asaj kohe, nuk mund të mos ndjej keqardhjeje të thellë njerëzore.

Paçka politikës së çmendur dhe diktatoriale, Gadafi i kishte ofruar popullit të tij një stabilitet dhe një mirëqenie, që sot libianët e kujtojnë me nostalgji mes rrënojave të luftës. I ruaj ende ato fotografi në sirtar. Ne, një grup europianësh me veshje perëndimore, të buzëqeshur pranë çadrës beduine të Gadafit në Sirta.

Fotografi që dëshmojnë, se si një grup shqiptarësh, panë nga afër mitin dhe njerëzoren e një prej diktatorëve më të përfolur. Ato imazhe, nuk janë vetëm dëshmi e një udhëtimi gazetaresk, por momenti i fundit i një epoke që u përmbys përgjithmonë. Kjo na kujton, se sa shpejt mund të shemben mitet dhe perandoritë në rërën e lëvizshme të historisë. Ndonëse antiamerikan, Gadafi ushqente simpati të veçantë për popullin shqiptar, gjë që e dëshmoi edhe në ato ditë të vështira për ne.

Kujtimi i bamirësisë përtej politikës

Kur shikoj, se si historia e gjykoi dhe e dënoi egërsisht, zgjedh të ndaj profilin e diktatorit, nga ai i njeriut që takuam në Sirta. Politika e Gadafit ishte padyshim problematike, e dhunshme dhe shpeshherë e pakuptueshme për botën perëndimore. Populli i tij e vrau, sepse liria nuk mund të zëvendësohet me naftë. E megjithatë në kujtesën time, përtej reve të zeza të historisë, mbetet e palëkundur mbresa e asaj bamirësie të pastër që ai na ofroi.

Ishte momenti ynë më i errët, kur bota na përfshiu me indiferentizëm në kaosin e vitit 1997-të, ky njeri i shkretëtirës hapi çadrën e tij dhe na zgjati dorën pa kërkuar asgjë në këmbim. Ishte akt fisnikërie, që nuk mund ta fshijë asnjë gjyq historik.

Ai premtim i sinqertë për vaporët me ndihma, i shkruar nxitimthi në bllokun e një ministri në mes të rërës, mbetet për mua dëshmia, se edhe në mendjen e njerëzve më të ashpër të këtij rruzulli, mund të fshihet një dritë e madhe humanizmi ndaj një populli mik në fatkeqësi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here