Njëri nga operatorët celularë në vend mori në fund të tetorit autorizimin për përdorimin eksperimental të një sasie shtesë spektri të radio-frekuencave për të integruar në rrjetin e vet shërbimin satelitor të SpaceX.
Sipas vendimit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), kërkesa e One Albania për përdorimin eksperimental të frekuencave dhe realizimin e testimeve D2D-IMT ka si objekt përdorimin e një blloku spektri prej 2×5 MHz në brezin 2600 MHz për testimin e komunikimeve satelitore Direct-to-Device (D2D), si dhe integrimin teknik të sistemit satelitor me rrjetin celular, për transmetimin nga terminali celular drejt satelitit anasjelltas.
Ky testim shënon nisjen e zbatimit të marrëveshjes mes grupit hungarez 4iG dhe kompanisë së Elon Musk, për të sjellë shërbimin e komunikimit satelitor direkt në telefonat e zakonshëm celularë. Një shërbim i tillë ka nisur të testohet nga SpaceX/Starlink, në bashkëpunim me operatorë të mëdhenj celularë në disa vende.
Në këtë fazë fillestare, shërbimi përdoret kryesisht për mesazhe tekst (SMS) dhe emergjenca, pasi gjerësia e brezit nuk është ende e mjaftueshme për thirrje zëri me cilësi të lartë apo internet të shpejtë celular, por ndërkohë operatorët po përparojnë me testimet për thirrje zanore dhe transmetim të dhënash (internet).
Avantazhi kryesor që mund të ofrojë një zgjidhje e tillë për momentin është mbulimi me shërbim celular edhe në zonat ku mungon rrjeti tokësor. Një zhvillim i tillë mund të jetë veçanërisht i rëndësishëm në zonat larg qendrave të banuara dhe në ato me reliev të thyer, ku mbulimi nëpërmjet antenave të vështira është i kushtueshëm dhe nuk ofron shumë leverdi ekonomike për operatorët. Kjo alternativë mund të jetë e rëndësishme për Shqipërinë, ku, për shkak të relievit të thyer, mbulimi me sinjal në zona të caktuara mungon ose është i kufizuar.
Për vitin 2025, AKEP raportonte se Shqipëria kishte një mbulim me sinjal celular në 97% të territorit. Megjithatë, këto të dhëna mbështeten në raportimet e vetë operatorëve dhe nuk janë plotësisht të verifikuara nga rregullatori.
Grupi 4iG planifikon që në fazën e parë ta zbatojë këtë projekt në rrjetet e saj në Hungari dhe Shqipëri. Në këtë fazë, ky shërbim do t’u mundësojë aparatëve ekzistues të lidhen me satelitët LEO të Starlink për mesazhe teksti (SMS) dhe përdorim të aplikacioneve bazë në zonat ku rrjeti tokësor nuk ka mbulim.
Në fazën e dytë, zgjerimi me teknologjinë e re V2 me bazë spektrin 2 GHz do të ofrojë kapacitete 5G satelitore për transmetim dhënash më të shpejta. Kjo fazë parashikohet të shtrihet në të gjitha tregjet ku grupi 4iG është i pranishëm me operatorë celularë, në Shqipëri, Hungari, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. /Monitor









































