Spaho godet Berishën, paralajmëron “ditë të zeza” për PD, ja si dalja e forcave të reja opozitare mund të tronditë pozitat e demokratëve, partia pa platformë, pa organizim dhe e dominuar nga militantët dhe interesat e një grupi të vogël njerëzish
Edmond Spaho zbulon interesat që kundërshtojnë investimin amerikan në Zvërnec, mbështet projektin e Jared Kushner dhe paralajmëron për përfitimet e mëdha që mund të ketë Shqipëria nga turizmi elitar, ja mesazhet e forta për PD-në
Ish-deputeti demokrat, Edmond Spaho gjatë një interviste për gazetën “SOT” ka analizuar zhvillimet më të fundit politike në vend dhe debatin rreth projekteve strategjike të zhvillimit. Duke u ndalur tek investimi i Jared Kushner në Zvërnec, z. Spaho e ka cilësuar atë si një mundësi thelbësore për të pozicionuar Shqipërinë në hartën e turizmit elitar botëror, duke rritur punësimin, të ardhurat buxhetore dhe duke shmangur paragjykimet e ngushta politike. Sipas tij, kundërshtimet ndaj këtij projekti ushqehen nga interesa konkurrentësh rajonalë, grupe ambientalistësh dhe agjenda të majta që i shohin me skepticizëm lidhjet me administratën amerikane. Ndërkohë, sa i përket situatës së brendshme në Partinë Demokratike, ish-deputeti i PD, Edmond Spaho ka dhënë një vlerësim tejet kritik për lidershipin aktual të udhëhequr nga Sali Berisha dhe Flamur Noka, duke theksuar se partia është shndërruar në një strukturë bunkerizuar pa ideologji të djathtë, ku sipas tij, mendimi ndryshe ndëshkohet me përjashtim dhe ku mungesa e reformimit të vërtetë e ka lënë opozitën të paaftë për të fituar besimin e qytetarëve apo për të konkurruar bindshëm në zgjedhjet e ardhshme.
– Zoti Spaho, ju keni mbajtur një qëndrim mjaft kritik ndaj lidershipit të Partisë Demokratike. Ku po dështon realisht menaxhimi i PD-së sot, duke nisur nga autoriteti i Sali Berishës e deri tek drejtimi operativ i Flamur Nokës? A është kjo linjë drejtuese pengesa kryesore që PD-ja të shihet si një alternativë e besueshme pushteti?
Problemi në PD është shumë më i thellë. Partia ka humbur misionin për të cilin u krijua dhe nuk përbën më shpresë për qytetarët. PD është kthyer në parti bunker, është pa platformë dhe ideologji të djathtë, pa organizim, dominohet nga militantët, në të përjashtohet tërësisht mendimi kritik, nepotizmi dhe tarafet sundojnë çdo hallkë dhe strukturë. PD ka vite që nuk e lexon elektoratin, duke ngelur e pandryshuar në ide dhe njerëz, operon me të njëjtat forma dhe mjete si në fillim të viteve ‘90, ku forca dhe rruga prevalonte mbi idetë dhe arsyen. Mosndryshimi i vazhdueshëm i ka eliminuar PD dëshirën për të fituar. Sot ajo ekziston si formacion politik për të ruajtur statuskuonë e të qenurit opozita më e madhe e vendit dhe privilegjet që kjo u siguron një grupi të vogël njerëzish. E gjithë beteja bëhet për të mbajtur monopolin e opozitës, duke e veshur atë me petkun e një “lufte” të ashpër me regjimin e Ramës. Sot PD nuk arrin të nxjerrë as disa qindra vetë në protestë, jeton me disa të ashtuquajtura konferenca shtypi, bojkoton çdo iniciativë politike dhe bllokon parlamentin çdo të enjte. Përgjegjësia bie sigurisht mbi Sali Berishën dhe mëkëmbësin e tij, por jo vetëm. Berisha ka përgjegjësinë e madhe që shpresën që gjeneroi Rithemelimi e shoi shpejt, duke mos mbajtur asnjë premtim dhe kthyer PD edhe më prapa se nën drejtimin e Bashës. Pa u larguar ata nuk shoh shpresë për ringjallje, proces i cili edhe pa ata, do të marrë shumë kohë për ta bërë PD forcë politike konkurruese për qeverisje. Në PD ka plot njerëz të mençur dhe të aftë për ndryshim dhe udhëheqje, madje edhe ta largojnë Ramën nga pushteti, por detyrohen të mos ndihen, pasi në të kundërt nxirren jashtë nëpërmjet dritares së selisë. Me keqardhje të madhe për forcën time politike, por kur shoh se si artikulon, çfarë premton, çfarë bën, sjelljen e ndonjë individi në të, kur dëgjoj për kilometrin e fundit, protestën më të madhe në 35 vjet, që jemi opozita më e fortë në botë dhe në krahun tjetër kemi 13 vjet që humbim të gjitha betejat elektorale, më duket sikur jam duke lexuar Fermën e Oruellit.
– Opozita ka dështuar të organizojë protesta masive që mbushin sheshet me qytetarë dhe tani duket se po tenton të kapë apo të shfrytëzojë kauzën e protestës së studentëve. A rrezikon PD-ja të marrë një goditje të fortë elektorale në zgjedhjet e ardhshme, pikërisht sepse ka humbur aftësinë për të ngritur peshë popullin dhe për të frymëzuar reagim qytetar?
PD rrezikon shumë. Ata që drejtojnë e kanë kuptuar, por rruga që kanë zgjedhur për t’u përballur me këtë rrezik potencial është e gabuar. PD duhet t’i përshtatet kërkesave të kohës dhe nevojave të qytetarëve. Tentimi për të absorbuar flamingot apo studentët mund të ketë sukses të përkohshëm, por jo afatgjatë. Nëse forcat të cilat po tentojnë të shfaqen si opozitë e re e vendit do të paraqesin kandidatët e tyre në zgjedhjet vendore, PD do të gjendet para një sfide shumë të madhe për të ardhmen e saj.
– Sa i përket projektit të investimit në Zvërnec nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump: Ju e keni mbështetur publikisht si një mundësi strategjike zhvillimi. Pse mendoni se një projekt i tillë mbetet vendimtar për vendin dhe si i përgjigjeni kritikëve që e shohin atë thjesht si një pazar politik apo favoresh administrative?
Investimi në Zvërnec është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Ai do të rrisë kapacitetet turistike, do e vendosë vendin në hartën e turizmit elitar, do të gjenerojë punësim gjatë ndërtimit dhe shfrytëzimit si dhe të ardhura për buxhetin. Ai do të nxisë zhvillimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë të lidhur me turizmin si dhe do të rrisë rentabilitetin e aeroportit të Vlorës. Ta shikosh atë si pazar politik apo favoresh administrative është shikim shumë i thjeshtëzuar, nga i cili nuk përfitojmë gjë. Të gjitha investimet e mëdha në çdo degë të ekonomisë kështu i kanë zanafillat. Nëse pas tij është edhe familjari i një Presidenti, akoma më mirë. E rëndësishme është që të mbrohen interesat e Shqipërisë dhe të përfitojmë atë që na takon. Deri më sot, nga ata që e kundërshtojnë investimin, nuk kam parë fakte që vërtetojnë të kundërtën, përveçse tymnajave politike.
– Në debatin publik mbi këtë projekt gjigant në bregdet, kush janë sipas jush faktorët politikë apo grupet e interesit që nuk e duan këtë investim strategjik amerikan? A fshihet pas kundërshtimeve një interes gjeopolitik apo përplasje vendore biznesi?
Në projekte të tilla preken shumë interesa që fillojnë me konkurrentët tanë në turizmin në rajon e më gjerë, ambientalistët të cilët do të donin që në Shqipëri të rriten vetëm zogj dhe kafshë të egra apo investitorët vendas, të cilët deri më sot kanë ndërtuar në bregdetin e jugut vetëm për përfitime të tyre. Turizmi nuk është ndërtim vilash për shitje, por ndërtim resortesh duke ruajtur mjedisin, ku të mund të pushojnë turistë, shqiptarë apo të huaj nga e gjithë bota. Nuk përjashtoj as të majtën liberale në Europë dhe Amerikë, e cila nuk do të donte të shikonte një investim të tillë në Europë të lidhur me familjen e Presidentit Trump, sikurse ndodhi në Beograd me hotelin që parashikohej të ngrihej në ish-godinën e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë.
– Si e shpjegoni faktin që një pjesë e opozitës apo zërave kritikë brenda saj hezitojnë ta mbështesin këtë investim masiv? A ka një përplasje parimore brenda opozitës mes mbështetjes së kapitalit amerikan dhe denoncimit të çdo projekti ku qeveria mban rolin e dhënësit të lejeve?
Për fat të keq, në Shqipëri është krijuar një kulturë që çdo gjë e sheh në prizmin e interesit partiak. Çdo investim ekonomik apo politik i vendit shihet si fitore e atyre në pushtet dhe humbje e opozitës. Kështu ka ndodhur me integrimin e vendit dhe votimin e tre ligjeve 15 vjet më parë, kështu ngjet edhe sot kur rolet janë ndërruar. Opozita ka qenë kontradiktore dhe mohuese e vetvetes në qëndrimet ndaj investimit në Zvërnec, sepse ka parë ngushtësisht përfitimin e saj politik. E mbështeti fillimisht, kur mendoi se do të kishte dashamirësinë e qeverisë amerikane, u tërhoq kur protestat u rritën, kurse sot njerëz afër lidershipit të saj e konsiderojnë Ambasadorin amerikan si CEO i Zvërnecit. Me të tilla pirueta nuk fiton, por humb kapital politik brenda dhe jashtë vendit.
– Zoti Spaho, si një politikan me përvojë të gjatë që sot flet pa alibi: A ka hapësirë brenda PD-së për një reformim real dhe mendim ndryshe, apo çdo zë kritik si i juaji është i paracaktuar të mbetet në periferi të vendimmarrjes partiake?
Me lidershipin aktual as e mendoj që do të ketë reformim të PD-së. Atyre u është dhënë mundësia disa herë ta bëjnë këtë dhe ta kthejnë PD-në në një të djathtë moderne europiane, por nuk kanë dashur, pasi interesa të tjera janë më të rëndësishme sesa e ardhmja e PD-së. Mendimi kritik në PD nuk është në periferi të vendimmarrjes politike. Sot mendimi kritik në PD nuk ekziston. Nëse shfaq mendime ndryshe nga ato të lidershipit aktual, përzihesh nga PD, cilësohesh tradhtar, shërbëtor i Ramës, se po i gjuan partisë tënde me gurë dhe një sërë fyerjesh dhe etiketimesh që duket sikur vijnë nga periudha e diktaturës.






































