Organizimi i samitit të NATO-s në Shqipëri vitin e ardhshëm duket gjithnjë e më i pasigurt.
Ndërsa diplomatët e Aleancës vlerësojnë se mbajtja e tij në Tiranë mbetet pak e mundshme, qeveria shqiptare po shqyrton alternativa të tjera për realizimin e këtij takimi të nivelit të lartë.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, në një deklaratë për median ndërkombëtare “Politico”, bëri të ditur se Shqipëria është e gatshme të shqyrtojë një format më fleksibël për organizimin e samitit, duke përfshirë shtyrjen e tij në një datë tjetër ose zhvillimin në mënyrë virtuale.
Sipas “Politico”, udhëheqësit e Aleancës kanë treguar hezitim për të marrë një angazhim konkret për mbajtjen e samitit në Shqipëri. Ndër faktorët që kanë ndikuar në këtë qëndrim përmenden shpenzimet e ulëta të vendit për mbrojtjen, si dhe marrëdhëniet gjithnjë e më të tensionuara me presidentin amerikan, Donald Trump.
Propozimi i Tiranës për një takim me format fleksibël vjen në një kohë kur mbeten të paqarta si mundësitë për organizimin e samitit në kryeqytetin shqiptar, ashtu edhe gatishmëria e aleatëve për të mbështetur këtë nismë.
Pavarësisht alternativave të propozuara nga pala shqiptare, zhvillimi i samitit të NATO-s në Tiranë mbetet ende i pasigurt.








































