Nga Julia Vrapi
Dramaturgjia shqipe përfshin vepra, të cilat janë pjesë e repertorit dhe historisë së teatrit shqiptar. Rikthimi i tyre në vëmendjen e publikut ngre edhe çështjen e mënyrës se si këto vepra mund të interpretohen dhe të vlerësohen në ditët e sotme.
Regjisori Mevlan Shanaj rikthen në vëmendje dramën “Familja e peshkatarit” të Sulejman Pitarkës, duke shtruar çështjen e rivënies së saj në skenë. Në reagimin e tij, Shanaj ndalet te vlerat artistike dhe dramaturgjike të veprës, si dhe te mundësia që ajo të njihet dhe të gjykohet nga publiku i brezave të rinj, pavarësisht kohës kur është krijuar.
“Një ftesë për gjykim. A duhet të kemi drojë që, pas 36 vjetësh, një publik i ri të shohë në skenë një dramë si “Familja e peshkatarit” të Sulejman Pitarkës? A mund të mos i japim vetes këtë mundësi vetëm sepse vepra i përket një periudhe tjetër historike dhe mbart, në njëfarë mase, edhe gjurmët ideologjike të kohës?
Unë mendoj se jo. Ka vepra që, pavarësisht kohës kur janë krijuar, kanë një nivel të lartë artistik, një ndërtim të fuqishëm dramaturgjik, personazhe të realizuar dhe konflikte njerëzore që mund të komunikojnë edhe me brezat e sotëm. “Familja e peshkatarit” është një prej tyre”, shprehet regjisori Mevlan Shanaj “Mjeshtër i madh”.
Në vijim të reagimit të tij, Shanaj ndalet te mundësia e rikthimit të dramës në skenë përmes një vënieje profesionale, ku sipas tij publikut të ri duhet t’i jepet mundësia ta njohë veprën dhe të krijojë gjykimin e vet për të. Ai ia lë skenës dhe spektatorëve vlerësimin përfundimtar, duke theksuar rëndësinë e njohjes së dramaturgjisë kombëtare. “Pse të mos i japim një publiku të ri mundësinë ta njohë këtë vepër përmes një vënieje profesionale në skenë?
Pse të mos e gjykojmë sot me syrin e një spektatori të lirë nga rrethanat e kohës kur u shkrua? Nuk mendoj se mund të diskutohet më sot për artin e realizmit socialist pasi periudha e gjykimit komunist për publikun e teatrit tashmë ka vdekur. Le ta lëmë skenën dhe publikun të japin gjykimin e tyre. Kam vënë re se është një publik i mirë në teatër.
E meriton të njihet me vlerat e dramaturgjisë kombëtare”, shprehet Shanaj. Regjisori i njohur Mevlan Shanaj ka reaguar edhe më parë mbi çështje që lidhen me artin dhe kulturën. Në këtë rast, vëmendja e tij përqendrohet te dramaturgjia kombëtare, vlerat artistike të veprave shqiptare dhe rëndësia e komunikimit të tyre me publikun e sotëm.
Sulejman Pitarka, dramaturgu dhe aktori që la gjurmë në teatrin shqiptar
Sulejman Pitarka (Dibër, 2 shkurt 1924 -Tiranë, 24 mars 2007) ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës së njohur “Familja e peshkatarit”. Pitarka ishte një ndër aktorët e suksesshëm të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, me mbi 50 role në teatër dhe rreth 20 role në filma.
Në interpretimet e tij në teatër dhe në film, ai dallohej për origjinalitetin e spikatur, i cili buronte nga konceptimi realist i figurës, mishërimi individual i personazheve dhe fuqia e brendshme krijuese. Të gjitha rolet e tij janë vlerësuar nga kritika shqiptare, ndërsa gjatë karrierës artistike është nderuar me disa çmime në fushën e teatrit dhe kinematografisë.









































