Një nga futbollistët cilësorë të Shqipërisë që luajnë në një kampionat aziatik është Jasir Asani, lojtar me kualitet të lartë teknik, që është pjesë e Esteghlal në Teheran të Iranit. Lojtari ka bërë një performancë shumë të mirë me skuadrën e tij dhe është vlerësuar pozitivisht për këtë. Por krahas paraqitjeve të mira dhe vlerësime pozitive, nuk mungojnë rastet kur Asani ballafaqohet me përplasje të egra dhe së fundmi ka ndodhur një përplasje me një arbitër, përplasje që ka përfunduar në komisionet disiplinore të federatës së futbollit të Iranit. Kështu, një mbledhje e jashtëzakonshme u mbajt dje në Iran, për shkak të përplasjes së Jasir Asanit me gjyqtarin anësor Alireza Ildorom. Ky i fundit është pezulluar, pasi dyshohet që ofendoi rëndë me familje Asanin.
Bëhet fjalë për ngjarje të ndeshjes Esteghlal Khuzestan dhe Esteghlal Teheran ku ndodhet Asani. Sfida e 7 nëntorit u mbyll me barazim, teksa audio e penalizon rëndë arbitrin asistent. Lajmi është raportuar në Iran. “Pasi u konfirmua fyerja e Ildoromit ndaj Asanit dhe u shqyrtua audioja e regjistruar nga sistemi VAR, edhe Komiteti i Arbitrimit i Federatës së Futbollit ka ndërhyrë në çështjen e shkeljeve të kryera nga arbitri asistent. Sipas informacioneve, për momentin, përpara se Komiteti Disiplinor të japë vendimin përfundimtar, Komiteti i Arbitrimit e ka pezulluar Ildoromin nga drejtimi i ndeshjeve. Për këtë çështje pritet të zhvillohet një takim mes Danial Moradit, drejtuesit të Departamentit të Arbitrimit, dhe Abolfazl Hasanzadeh, kryetarit të Komitetit Disiplinor të Federatës së Futbollit. Në këtë takim do të shkëmbehen mendime lidhur me Alireza Ildoromin, fjalët e përdorura prej tij, si dhe sjelljen e Asanit”, shkruhet në raportim.
Në Zvicër të shqetësuar për mungesën e Xhakës
Ndërkohë që Asani po pret të sqarohet përplasja e tij me një gjyqtar anësor në Iran, duket se në Zvicër një tjetër shqiptar ka sjellë shqetësim për përfaqësuesen e këtij vendi. Kështu, mbrojtësi i Zvicrës, Manuel Akanji, ka thënë se mungesa e Granit Xhakës për ndeshjet kundër Sllovenisë dhe Skocisë do të jetë e madhe. Ai pret kthimin e Xhakës për ndeshjes kualifikuese për “Euro 2028”. “Do të na pëlqente shumë ta kishim këtu, por shpresojmë që të kthehet për kualifikueset e Kampionatit Evropian. Gjërat do të jenë pak më ndryshe atëherë”, është shprehur Akanji. Në mungesë të Xhakës, Akanji do të jetë kapiten i Zvicrës për dy ndeshjet e fundit të grupit B1 të Ligës së Kombeve. “Nuk kam asnjë ide se si më pranon ekipi, shpresoj mirë. Nuk jam i njëjtë si Graniti. Kemi cilësi të ndryshme. Ai është pak më i hapur, pak më i drejtpërdrejtë krahasuar me mua. Ndonjëherë unë i lë gjërat të rrjedhin, ndërsa Graniti merr frenat pak më herët. Të gjithë janë pak më ndryshe. Nuk mund t’i trajtosh të gjithë njësoj”, është shprehur Akanji të mërkurën në konferencë për shtyp. Xhaka i mungon Zvicrës për shkak të lëndimit.







































