Nga Julia Vrapi
Folklori shqiptar, me pasurinë e këngëve, valleve, muzikës dhe kostumeve tradicionale, do të prezantohet në skenën ndërkombëtare. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore do të ngjitet në këtë skenën e Edinburgh-ut, në Skoci me shfaqjen etno-muzikore “Shqipëria përmes syve të Bajronit”, duke sjellë një mozaik të identitetit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, si dhe lidhjen e veçantë të poetit Lord Byron me Shqipërinë. Teatri Kombëtar, i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor bën me dije se për herë të parë në 70 vite histori ansambli udhëton drejt Skocisë për të përcjellë folklorin shqiptar.
“Nga Shqipëria në zemër të Skocisë! Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore për herë të parë në 70 vite udhëton drejt Edinburgh-ut, në Skoci, për të prezantuar pasurinë dhe bukurinë e trashëgimisë sonë kulturore në skenën ndërkombëtare. Me këngën, vallen, muzikën dhe kostumet tradicionale, artistët tanë do të sjellin një mozaik të identitetit shqiptar, duke përcjellë përmes artit historinë, traditën dhe shpirtin e një populli”, shprehet TKOBAP për këtë koncert që zhvillohet më 23 nëntor në Skoci.
Nën titullin “Albania Through Byron’s Eyes”, kjo paraqitje artistike ndërthur trashëgiminë shqiptare me frymëzimin që Shqipëria dhe kultura e saj i dhanë poetit të madh Lord Byron. Sipas teatrit, një udhëtim artistik, që e çon kulturën shqiptare përtej kufijve, duke e bërë traditën tonë pjesë të dialogut kulturor ndërkombëtar.
Ansambli në skenat evropiane
“Albania Through Byron’s Eyes” u prezantua më herët edhe në Londër, më 6 korrik 2026, në skenën e Shaw Theatre. Në vijim të aktivitetit artistik, Ansambli Popullor do të jetë me këtë koncert këtë nëntor edhe në Edinburgh të Skocisë, duke sjellë këngën, vallen, muzikën dhe kostumet tradicionale shqiptare në një tjetër skenë ndërkombëtare.
Më herët, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore u prezantua edhe në Itali, gjatë muajit shtator, me një tur artistik që përfshiu qytetet Brescia, Torino, Pordenone dhe Rovereto, më 19-22 shtator. Përmes këtyre aktiviteteve, ansambli solli para publikut italian dhe komunitetit shqiptar në Itali një pjesë të repertorit dhe trashëgimisë së folklorit shqiptar, duke vijuar prezantimin e kulturës kombëtare në skenat ndërkombëtare. Ansambli Kombëtar i Këngëve e Valleve Popullore përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori.










































