Pazari i Vjetër i Shkodrës, ashtu siç ishte në shekullin XIX, po rindërtohet përmes teknologjisë 3D, duke u kthyer në një hapësirë virtuale që do t’u mundësojë vizitorëve të udhëtojnë pas në kohë dhe të zbulojnë nga afër arkitekturën, rrugicat dhe atmosferën e dikurshme të qytetit.
Projekti mbështetet në fotografitë historike të arkivit “Marubi” dhe ndërthur trashëgiminë kulturore me artin dhe teknologjinë. Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” në qytetin e Shkodrës shprehet se nën drejtimin artistik dhe konceptual të Federico Curani (Art Director & Game Designer) dhe me projektimin hapësinor të Edoardo Bracchi (Landscape Architect & Level Designer), kujtesa e Pazarit të Vjetër po shndërrohet në një botë virtuale, ku çdo rrugicë, ndërtesë dhe detaj rindërtohet për të rikthyer atmosferën e Shkodrës së shekullit XIX.
“Po sikur të mund të udhëtonit pas në kohë? Së shpejti, do të mund të hyni në rrugët e Pazarit të Vjetër, të eksploroni arkitekturën, të zbuloni hapësirat dhe të përjetoni nga afër një qytet që sot jeton vetëm në fotografitë historike. Kjo nuk është thjesht një mënyrë e re për të parë të kaluarën, por një mundësi për të qenë pjesë e saj, përmes një eksperience immersive që bashkon trashëgiminë, artin dhe teknologjinë”, thuhet nga muzeu “Marubi”, që ka ndarë dhe foto të pazarit të vjetër të Shkodrës në faqen e tij.
Ky projekt bëhet i mundur nga bashkëpunimi ndërmjet: Kub France Tirana (Instituti Francez i Shqipërisë) / Ambasada e Francës në Shqipëri, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, muzeut kombëtar të fotografisë “Marubi” dhe Consulting and Development Partners (CODE Partners). Projekti synon të dokumentojë dhe të paraqesë përmes teknologjisë digjitale pamjen Pazarit të Vjetër të Shkodrës.












































