Google search engine
Home Kulture Rikthehet pas 14 vitesh Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar, “Një filxhan kafe...

Rikthehet pas 14 vitesh Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar, “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” fiton çmimin për filmin më të mirë

0
16

Nga Julia Vrapi

Pas një ndërprerjeje 14-vjeçare, Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar përfundoi edicionin e 14-të me ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Kupa e festivalit shkoi për “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”, me regji të Gentian Koçit, i shpallur filmi më i mirë i gjatë i karrierës. Gjatë mbrëmjes së 12 shtatorit u ndanë trofe në kategori të ndryshme, krahas vlerësimeve profesionale, çmimeve të karrierës dhe mirënjohjeve për figura të rëndësishme të kinemasë shqiptare, mes tyre edhe aktorja Tinka Kurti. Filmat “Liqeni im” nga Gjergj Xhuvani apo “Derë e hapur” nga Florenc Papas gjithashtu u vlerësuan me çmime të rëndësishme, ndërsa dhe publiku nga ana e tij vlerësoi filma mes tyre “Këtu vallëzohet me hijet” dhe “Burri i shtëpisë”.

Çmime u ndanë dhe për dokumentarët më të mirë apo dhe për animacionin, ku filmi i animuar “Dega e vogël” piktor -regjisor Bertrand Shijaku u vlerësua me Çmimin e Akademisë së Filmit për filmin më të mirë të animuar. Në natën përmbyllëse të Festivalit të Filmit Shqiptar, në Universitetin e Arteve në Tiranë, kinemaja shqiptare u rikthye në qendër të mbrëmjes përmes një video-montazhi me filma që kanë shënuar historinë e saj dhe janë vlerësuar ndër vite. Në ceremoninë gala ishin të pranishëm aktorë, regjisorë, skenaristë, producentë dhe personalitete të tjera të artit, së bashku me drejtues të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Tre çmime “In Memoriam” iu kushtuan figurave të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, mes tyre Vladimir Prifti, Birçe Hasko dhe Gjergj Xhuvani. Me çmime karriere u nderuan gjithashtu Robert Radoja dhe regjisori Saimir Kumbaro. Por festivali nuk kaloi pa kritika, me disa emra të kinemasë shqiptare që ngritën pikëpyetje mbi mënyrën e organizimit dhe zhvillimit të këtij edicioni.

Festivali dhe çmimet

Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar, i nisur në vitin 1976, u rikthye pas 14 vitesh me një program që për dhjetë ditë solli në Tiranë filma shqiptarë, nga viti 2012 e deri më sot. Në fund çmimet u ndanë nga juritë e festivalit, Akademia e Filmit dhe publiku. Në kategorinë e filmave të gjatë artistikë, juria e përbërë nga Blerta Zeqiri, Bogdan Muresanu, Rajmonda Bulku, Ylljet Aliçka dhe Haig Zacharian, vlerësoi filmat dhe krijuesit në garë, duke ndarë çmimet kryesore të kësaj kategorie. Çmimet e jurisë për filmin e gjatë artistik: Filmi më i mirë i gjatë i karrierës “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” regjisor Gentian Koçi; filmi më i mirë i gjatë / vepër e parë-“Derë e hapur” Florenc Papas; çmimi për skenarin më të mirë-Gjergj Xhuvani filmi “Liqeni im”; çmimi për drejtorin më të mirë të fotografisë-Sevdije Kastrati filmi “Derë e hapur”; çmimi për muzikën më të mirë-Endri Sina filmi “Bolero në vilën e pleqve”; çmimi për producentin më të mirë-Rozeta Feri, “Amsterdam Express”; çmimi për aktoren më të mirë-Adriana Matoshi, “Luna Park”; çmimi për aktorin më të mirë-Blerim Destani, “Amsterdam Express”.

Çmimi për filmin më të mirë të shkurtër: “Kampion”- Ermir Keta; special mention- “Lajmi” Lorin Terezi; çmimi për filmin më të mirë dokumentar “Dritë”- Suela Bako, Yllka Gjollesha; çmimi për filmin më të mirë të animuar “Ethnophobia”- Joan Zhonga. Çmimet e publikut: Filmi më i mirë i gjatë i karrierës “Këtu vallëzohet me hijet”- Pluton Vasi; filmi më i mirë vepër e parë: “Burri i shtëpisë”- Andamion Murataj; filmi më i mirë i shkurtër – “Si ujë” nga Ardit Vila; filmi më i mirë dokumentar – “Rikard” Mevlan Shanaj; filmi më i mirë i animuar “Burri” Artur Dauti. Fituesit e çmimeve të Akademisë në Festivalin Kombëtar të Filmit Shqiptar: Regjisori më i mirë dhe skenari më i mirë Gjergj Xhuvani për filmin “Liqeni im” ; çmimi “Producenti më i Mirë”- Vjollca Dedei me “Ndërkombëtarët” dhe Dritan Huqi me filmin “Liqeni im”; aktori më i mirë -Karafil Shena filmi “Këtu vallëzohet me hijet”; aktorja më e mirë Elia Zaharia filmi “Liqeni im”, ku çmimi aktori më i mirë mbështetës ishte për Tristan Halilajn dhe aktorja më e mirë mbështetëse Luiza Xhuvani; drejtori më i mirë i fotografisë Dimo Popov, muzika më e mirë Rosario di Bella, montazhi më i mirë Juan Gambino, çmimi skenografia më e mirë dhe vendet e xhirimit- Durim Neziri, kostumet më të mira-Stela Laknori.

Çmimi për filmin më të mirë të shkurtër iu nda regjisorit Elvis Lule me filmin “Shija e Derrit”; filmi më i mirë dokumentar-Yllka Gjollesha, Suela Bako me “Dritë” dhe çmimi filmi më i mirë i animuar iu nda Bertrand Shijakut piktor-regjisor me filmin “Dega e Vogël”.  Festivali i këtij viti nisi më 3 shtator dhe vijoi deri më 12 shtator. Përgjatë dhjetë ditëve, festivali solli në Tiranë mbi 200 filma, një pjesë e tyre në konkurrimin zyrtar, duke përfshirë filma artistikë, dokumentarë, filma të shkurtër dhe animacion.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here