Google search engine
Home Kulture “La Sylphide” ndërthur elegancën e baletit klasik me poezinë e botës romantike,...

“La Sylphide” ndërthur elegancën e baletit klasik me poezinë e botës romantike, TKOB e sjell në skenën e Korçës

0
10

Nga Julia Vrapi

“La Sylphide” një nga baletet më romantikë të të gjitha kohëve këtë tetor vjen në skenë. Me koreografi të August Bournonville, kjo vepër e përjetshme ndërthur elegancën e baletit klasik me misterin dhe poezinë e botës romantike. Baleti “La Sylphide”, me trupën e baletit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit mbrëmjen e 30 tetorit shfaqet në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, për të sjellë historinë magjepsëse të dashurisë, ëndrrës dhe së paarritshmes.

“Një udhëtim magjik në botën e baletit romantik!”, thuhet nga TKOB. Baleti me muzikë nga Herman Severin Løvenskiold është vënë dhe më parë në skenën e TKOB, por këtë tetor teatri e çon në Korçë në vijim të programit artistik këtë muaj, por dhe gjatë muajit që vjen vepra do të jetë në një tjetër skenë për publikun.

“La Sylphide” është një nga baletet e para romantike, i cili u vu në skenë për herë të parë në Paris, në vitin 1832. Koreografia origjinale u krijua nga Philippe Taglioni, ndërsa varianti i koreografit danez August Bournonville, i shfaqur për herë të parë në Kopenhagë në vitin 1836, u bë një nga versionet më të njohura të kësaj vepre.

Baleti zhvillohet në dy akte, duke e çuar publikun fillimisht në një shtëpi tradicionale skoceze, ku po përgatitet një festë martese, dhe më pas në një pyll të mjegulluar, ku merr fund historia. Në qendër të ngjarjes është James-i, i cili tërhiqet nga Silfida, një zanë e ajrit, dhe braktis të fejuarën e tij, Effie-n, në ditën e dasmës.

I vendosur për ta bërë Silfidën të tijën, ai kërkon ndihmën e magjistares Madge, e cila i jep një shall magjik që, sipas premtimit të saj, do ta shndërrojë zanën në një qenie njerëzore. Muzika e baletit u kompozua nga Herman Severin Løvenskiold, kur ai ishte vetëm 21 vjeç, dhe vepra u prit me sukses. “La Sylphide” mbetet një nga baletet më përfaqësuese të periudhës romantike, ndërsa versioni i August Bournonville vazhdon të interpretohet në skenat e baletit edhe sot.

TKOB njofton koncertin e parë të nëntorit

Më herët Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit bëri me dije dhe kalendarin artistik të tetorit, por pas disa aktivitetesh, për shkak të protestave në Tiranë shfaqjet në skenën e tij u pezulluan deri në fund të këtij muaji. Ndërkohë teatri ka bërë me dije dhe koncertin e parë që do të zhvillohet në muajin nëntor.

Virtuoziteti i pianos dhe tingujt e Orkestrës Simfonike të TKOBAP-së do të bashkohen më 3 nëntor në një koncert nën drejtimin e dirigjentit Ermir Krantja, me pianist Amir Xhakoviqin, duke sjellë një program që ndërthur repertorin klasik me krijimtarinë bashkëkohore shqiptare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here