Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në një dalje për mediat komentoi zhvillimet sot në seancën plenare. Ai tha se pavarësisht flakadanëve, apo zhurmës, PS do të vijojë me agjendën ndërkombëtare.
Po ashtu ai i doli në mbrojtje ish-zv.kryeministres, Belinda Ballukut, duke e cilësuar si ndër deputetet më të mira të PS-së, ndërkohë SPAK ka kërkuar më herët për të arrestimin për korrupsion, kërkesë që e rrëzoi Kuvendi.
“Kemi miratuar 9 ligje që lidhen me agjendën tonë të negociatave, njëri kërkonte dhe shumicë të cilësuar. Përveç bilbilave, flakadanëve dhe zhurmës dhe dhunës, agjenda ndërkombëtare nuk ndërpritet. Sot u miratua dhe kalendari i shqyrtimit të buxhetit. Sot shqiptarët kanë marrë lajmin e mirë për buxhetin me karakter social. Edhe paketa fiskale, me lajme po aq të mira, siç është dhe ulja e TVSH për ushqimet, me 6%. Heqja e taksës së qarkullimit nga karburanti, është lajm i mirë. Edhe opozita duhet të votojë pro rritjes dhe dyfishimit të pensionit. Grupi parlamentar i PS përbëhet nga 82 anëtarë dhe ata janë gjithmonë aty për të votuar. Kontrata e tyre është me PS dhe me Shqipërinë. Më lejoni të them që sa i preket prezencës në zonën zgjedhore, është ndër deputetet më të mira të PS. Të ftoj nesër ora 17:00 “Prania besnike” në Fier, të shkosh atje ta shohësh.”, tha Balla.
Duke u ndalur te debati mes Toni Gogut dhe Bledi Çuçit, Balla tha se këto janë çështje për PS dhe jo për publikun. “Në çdo mbledhje të grupit të PS, çdo deputet kërkohet prej meje që të çohet dhe të ngrejë tematika dhe problematika. Janë tematika dhe shqetësime të grupit të PS dhe jo për publikun.”, pohoi ai.
Po ashtu ai u pyet dhe për transferimin e Veliajt. ““Jo për shokun tim Erion Veliaj, por për këdo tjetër, kushdo që më ka dërguar si deputet një ankesë, padyshim që ja kam kaluar ministrave të Drejtësisë. Rasti në fjalë nuk lidhet me ministrin Gogu. Edhe nga ish-Presidenti Ilir Meta kam marrë ankesa. Do verifikohet jo vetëm nga Avokati i Popullit e ministri i Drejtësisë. I kam kërkuar Komisionit të Mbikëqyrjes, në kuadër të punës që ka, të mbikëqyrë këtë çështje. Kam besim që edhe çështja në fjalë do të duhet të trajtohet në kuadër të procesit të integrimit në BE, ku duhet të plotësohen të gjitha kriteret që lidhen me trajtimin e të paraburgosurve”, tha mes të tjerash Balla.








































