Google search engine
Home Kulture “Otello” nga Shekspir në teatër, Qëndrim Rijani: Një vepër aktuale, që rezonon...

“Otello” nga Shekspir në teatër, Qëndrim Rijani: Një vepër aktuale, që rezonon fort me realitetin e sotëm

0
19

Nga Julia Vrapi

Tragjedia “Otello” e William Shakespeare-it, një vepër që përmes dramës njerëzore vijon të flasë me forcë edhe në realitetin e sotëm. Nën regjinë e Qëndrim Rijanit, “Otello” rikthehet në skenën e teatrore, duke sjellë një interpretim bashkëkohor të luftës për pushtet, xhelozisë, dashurisë dhe manipulimit. Rijani shprehet se “Otello” nga Shekspir është një vepër që mbetet aktuale.

“Një vepër tmerrësisht aktuale, që rezonon fort me realitetin e sotëm. Ambicia për pushtet, lufta brenda pallatit të pushtetit, thikat pas shpine dhe intrigat ndaj njëri-tjetrit janë disa nga temat që trajton shfaqja. Një pasqyrë e pamëshirshme e natyrës njerëzore dhe e çmimit që paguajmë kur etja për pushtet triumfon mbi ndërgjegjen”, shprehet Rijani në një reagim të tij. Një nga tragjeditë më të fuqishme të Shekspirit dhe më të vëna në skenë në botë, “Otello” rikthehet në skenë këtë tetor pas interesit të ngjallur me premierën në Teatrin Kombëtar. Nën regjinë e Qëndrim Rijanit, vepra e Shekspirit merr një dimension të ri skenik, duke ndërthurur gjuhën klasike të tragjedisë me elemente të realitetit urban.

Përmes këtij interpretimi, Rijani rishfaq konfliktet, intrigat dhe përplasjet njerëzore që e bëjnë këtë kryevepër të dramaturgjisë botërore aktuale edhe për publikun e sotëm. “Otello” nga Shekspir u shfaq në maj këtë vit premierë në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë, ndërsa rikthehet në teatër në sezonin e ri artistik me vetëm pesë shfaqje në skenë dhe një kastë aktorësh që janë: Arben Derhemi, Lulzim Zeqja, Linda Jarani, Donald Shehu, Luli Bitri, Viktor Zhusti, Artan Imami, Florian Agalliu, Genti Deçka, Alert Çeloaliaj dhe Krist Lleshi. Ekipi krijues përfshin dhe skenografin Valentin Zvetozarev, kostumografen Marije Pupuçevska, kompozitorin Endri Sina, koreografin Artan Ibërshimi.

Shfaqja në skenë

Tragjedia “Otello” me regji të Qëndrim Rijanit këtë sezon të ri artistik në teatër rikthehet në mbrëmjet e datave 28, 29, 30, 31 tetor dhe 1 nëntor në Teatrin Kombëtar te “ArTurbina”. Përkthimi i Fan Nolit ruan forcën e tragjedisë shekspiriane, ku Otello shkatërrohet nga intrigat e Jagos dhe dyshimi ndaj Desdemonës. Në një interpretim bashkëkohor, Qëndrim Rijani e zhvendos historinë në një realitet urban, ku motorët, muzika dhe ritmi i qytetit krijojnë hyrjen drejt botës së errët të tragjedisë. Krijimtaria e regjisorit Qëndrim Rijani është zhvilluar në një hapësirë të gjerë ndërkombëtare, me prezantime në festivale në Kroaci, Zvicër, Rusi, Turqi, Hungari, Serbi, Bosnjë, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Bulgari. Në qendër të punës së tij qëndrojnë autorët e mëdhenj dhe kryeveprat e dramaturgjisë botërore, përfshirë edhe William Shakespeare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here