Google search engine
Home Sport Dinamo përmbys Egnatian dhe fiton kryendeshjen e javës së 8-të, rrogozhinasit mbeten...

Dinamo përmbys Egnatian dhe fiton kryendeshjen e javës së 8-të, rrogozhinasit mbeten në vend të dytë

0
24

Dinamo fitoi me përmbysje ndaj Egnatias me shifrat 2-1. Dueli i zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena” dëshmoi kualitet dhe rivalitet. Të dyja skuadrat bënë përpjekje për të fituar dhe për të treguar se janë ato pretendentet e vërteta të sezonit aktual. Egnatia e nisi mjaft mirë ndeshjen e djeshme, duke shënuar shumë shpejt golin e avantazhit. Kështu, Kryeziu, pasi gjeti hapësirë para tij tenton nga jashtë zonës me një goditje të fortë, duke befasuar Teqjen me gjuajtjen tokazi dhe sfera përfundon në rrjetë. Pas 5 minutave të para Dinamo stabilizohet dhe kërkon të marrë protagonizëm në fushë, por pa rrezik konkret para Tandilashvilit. Megjithatë, në minutën e 11-të, një harkim nga e majta gjen Montenegron i cili gjuan me kokë, por gjen përgjigjen e Teqjes i cili devijon sferën mbi traversë.

Në minutën e 15-të Kryeziu tenton të “fotokopjojë” gjuajtjen e golit të parë, por këtë herë nuk ka saktësinë e tij në goditje. Një minutë më pas është Albaneze që synon të befasojë por as ai nuk ka saktësi në goditjen e tij. Megjithatë, Albaneze do ta vinte në sprovë të fortë portierin e Dinamos, Teqjan, me një goditje të bukur në minutën e 22-të,  por portieri dinamovit largon në këndore. Dinamo Siti e rimerr kontrollin e lojës në minutën e 25-të dhe ndërton disa aksione të rrezikshme. Në minutën e 27-të, pati një aksion të shpejtë të Fernandos nga e majta, harkimi në qendër devijohet në rrjetë nga Montenegro.

Rrogozhinasit festojnë, por goli anulohet për prekje të topit me dorë nga sulmuesi. Në minutën e 32-të vjen edhe kthesa e madhe e ndeshjes. Një aksion i rrëmujshëm nga e djathta e sulmit të Dinamos bën që topi të përfundoi te këmbët e Vilës, i cili gjuan dhe mposht Tandilashvilin. Barazohen shifrat 1-1. Në minutën e 37-të vjen përmbysja e vërtetë nga dinamovitët. Aksion nga e majta i Lorran, pasimi i tij në qendër ndalet nga Silva-Riçards për Qefaliajn i cili në ecje e sipër shënon pa vështirësi. Në minutën e fundit të pjesës së parë Vila për pak shënoi autogol gjatë përpjekjes për të larguar rrezikun. Ndaj, pjesa e parë mbyllet 2-1 për Dinamon.

Pjesa e dytë s’prodhon gola

Të dy trajnerët ndërhyjnë energjikisht në formacion, duke bërë ndryshime të shumta që në fillim të pjesës së dytë. Kryeziut i jepet një shans për golin e dytë në minutën e 52-të, por gabon në gjuajtje. Në minutën e 62-të është sërish Kryeziu përballë portës dinamovite, ka hapësirë, por goditja e tij përfundon jashtë kuadratit. Në të 65’ rrogozhinasit pretendojnë një penallti pas ndërhyrjes së Alijit, por gjyqtari lejon lojën të vazhdojë. Albaneze tenton të lerë gjurmë në të 75’, por as këtë herë nuk u tregua i saktë. Egnatia hodhi forca të shumta në sulm në minutat e fundit në kërkim të barazimit, por nuk ia doli. Në fakt, Egnatia e dominoi takimin si në mbajtjen e topit ashtu dhe në goditjet në kuadrat e jashtë tij, por në futboll vlen rezultati dhe ai foli për Dinamon, që fitoi 2-1, duke bërë që të ruhen pozitat e mëparshme në kryesim, por me rrogozhinasit dy pikë larg Teutës kryesuese (20-18), ndërsa Dinamo e treta me 15 pikë.

Kategoria Superiore, Java 8

Të shtunën

Teuta-Elbasani            0-0

Vllaznia-Tirana            2-0

Laçi-Vora                    1-0

Partizani-Skënderbeu  0-2

Të dielën

Dinamo Siti-Egnatia   2-1

Renditja

Nr.Skuadra    Pikë

1.Teuta            20

2.Egnatia         18

3.Dinamo        15

4.Tirana           11

5.Laçi              10

6.Skënderbeu  9

7.Elbasani        8

8.Vllaznia        8

9.Vora             8

10.Partizani     4

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here