Shtatoret, bustet dhe veprat monumentale të Idriz Balanit janë të pranishme në hapësira të ndryshme publike në Shqipëri, Kosovë, Itali dhe në Maqedoninë e Veriut, duke e bërë atë një prej emrave të njohur të skulpturës monumentale shqiptare. Me një krijimtari të përqendruar veçanërisht te figurat historike dhe personalitetet shqiptare, Balani vijon të mbrojë rëndësinë e veprave të artit dhe rolin e tyre në hapësirën publike. Në intervistën dhënë për gazetën “SOT”, ai flet për kriteret që duhet të udhëheqin përzgjedhjen e veprave të artit në hapësirat publike, problemet e skulpturës shqiptare, rihapjen e Galerisë Kombëtare të Arteve dhe idenë e rikthimit të ekspozitave kombëtare të artit pamor. Ndër të tjera, Balani flet për nevojën e mbështetjes së artistëve dhe pasurimit të galerive me vepra të reja.
-Komisioni Shtetëror i Artit në Hapësirat Publike, për të cilin në muajin gusht u bë me dije do të shqyrtojë veprat që propozohen për t’i vendosur në hapësirat publike. Si e shikoni këtë komision dhe çfarë duhet të garantojë ai që përzgjedhja të bëhet mbi bazën e vlerës artistike dhe profesionale?
Në parim, jam plotësisht dakord me krijimin e këtij komisioni artistik, pra një Komisioni Shtetëror për miratimin e veprave të artit në hapësirat publike. Por një komision i tillë ka qenë edhe në vitet para vitit 1990, sigurisht për pjesën politike të asaj kohe. Ky komision ka qenë pranë sekretariatit të Komitetit Qëndror të Partisë, por edhe në rrethe pranë sekretariateve të komiteteve të partisë së rretheve. Pra kur do të bëhej një bust apo një vepër që do të vendosej diku, sigurisht që do të ishte vendimi i Komitetit Ekzekutiv për përcaktimin e sheshit apo vendit ku do të vendosej, ndërsa vendimi i Komitetit të Partisë përcaktonte figurën që do të vendosej. Më pas mblidhej një komision edhe politik, edhe artistik, i cili bënte vlerësimin e veprës që do të vendosej. Ndaj në parim, unë e shoh të njëjtën gjë, vetëm se këtu është pjesa politike që nuk duhet të jetë.
Këtu duhet të jetë pjesa artistike e veprës, por edhe ajo ideore në të njëjtën kohë, sepse varet se për çfarë vepre bëhet fjalë. Por duke pasur parasysh edhe polemikat që shoqëruan konkursin më parë të zhvilluar për artin në hapësirat publike, ku u përzgjodhën 10 apo 12 vepra, pati shumë debate për mënyrën se si ministria kishte organizuar komisionin në atë kohë. Pra, nëse Ministria e Kulturës do të ketë një komision të tillë, aty duhet të jenë figura të shquara të artit, nga piktura, skulptura, por edhe arkitektë. Jo thjesht zyrtarë të ministrisë, por specialistë të fushës, që të kenë parasysh edhe veprën edhe autorin që do ta realizojë. Jam dakord me krijimin e Komisionit Shtetëror të Artit në Hapësirat Publike, por edhe bashkitë duhet të kenë një komision të vetin me specialistë, në mënyrë që të bashkohen vlerësimi nga qendra dhe ai nga bashkia përkatëse, për veprën që do të vendoset në qytet apo në fshat.
-A mendoni se veprat e artit në hapësirat publike po përzgjidhen sot me kritere të mirëfillta artistike?
Unë nuk po shikoj që sot veprat në hapësirat publike po përzgjidhen gjithmonë mbi kritere të mirëfillta artistike, me përjashtim të atij konkursit të mëparshëm, i cili edhe ai u kontestua nga shumë artistë. Unë nuk po shikoj që në hapësirat publike të kemi vepra të vendosura që të jenë vërtetë të kuruara. Unë i respektoj edhe hapjet moderne në art, edhe pse vetë jam figurativ, por kur bëhet fjalë për një figurë historike, kombëtare, patriot apo atdhetar, ajo duhet të jetë e ndërtuar mirë anatomikisht, të ketë frymën kombëtare, siluetën, karakterin dhe ngjashmërinë e personit. Nuk mund të vendosim vepra të deformuara apo të lëna përgjysmë me justifikimin se po fusim artin modern. Për figura të tilla duhet të kemi vepra të kuruara, siç kemi nga Paskali, Mumtaz Dhrami, Hektor Dule, Thoma Thomai, Shaban Hadëri dhe mjeshtra të tjerë të mëdhenj të skulpturës.
– Si një nga emrat e njohur të skulpturës shqiptare, cilat mendoni se janë problemet kryesore me të cilat përballet sot skulptura shqiptare?
Një miku im më prezanton me një mik tjetër edhe bën prezantimin me mua: Idriz Balani skulptor monumental. Dhe ai thotë: “gëzohem që të njoh, por më vjen keq, sepse jeni specie në zhdukje”. Dhe mendoj se kjo e përshkruan shumë mirë gjendjen e skulpturës figurative dhe monumentale sot. Sot nuk po shohim shumë nxitje nga shteti, ministria apo bashkitë për këtë lloj skulpture. Ka një lloj frenimi dhe mungesë vëmendjeje. Mjafton të shohësh nëpër botë se si çdo vend i kushton rëndësi heronjve dhe figurave të tij kombëtare. Edhe Skënderbeun tonë e gjen më shumë jashtë Shqipërisë, ndërsa në qytetet tona kemi shumë pak vepra të tilla. Mendoj se kemi nevojë për një rizgjim të artit figurativ dhe të skulpturës me karakter kombëtar, pa lënë mënjanë edhe artin pamor konceptual. Të dyja mund të bashkëjetojnë dhe t’u shërbejnë parqeve, rrugëve, bulevardeve dhe shesheve tona.
– Galeria Kombëtare e Arteve është e mbyllur që prej tetorit 2021 dhe ndonëse punimet ishin parashikuar të mos vijonin kaq gjatë , ajo ende nuk është rihapur. Herë pas here artistët kanë ngritur kritika për zgjatjen e punimeve. Si e shikoni këtë situatë dhe çfarë prisni nga Ministria e Kulturës për rihapjen e GKA-së?
Unë nuk kam ndonjë informacion të saktë, në kuptimin se cila ka qenë data kur duhet të përfundonin ose duhet të përfundojnë punimet. Por di këtë, që u bënë disa vite që ne jemi pa salla ekspozimi, ka mungesë hapësirash. GKA-ja ka karakterin e saj si galeri. Flitet që do të jetë edhe muze historik i artit dhe kjo është një gjë e mirë. Pra të kemi edhe muzeun, edhe galerinë, edhe ambiente për ekspozita. E presim me padurim që të kemi gjëra të kësaj natyre, që të mos zvarritemi, të mos jemi gjithmonë në situatën për t’u lutur për të hapur ekspozita, qofshin këto vetjake apo kolektive. U bë një gjë e mirë që në Tiranë, bashkia krijoi më parë mundësinë për hapjen e një galerie kur ishte drejtor Abaz Hado, dhe kjo galeri vazhdon të funksionojë. Aty kemi bërë ekspozita vetjake, por edhe “Ekspozitën e Pranverës”, edhe pse shumë e rrudhur, si dhe ekspozita të grupimit “Muri”. Edhe Muzeu Historik Kombëtar ku kishte salla ekspozimi, është mbyllur për shkak të punimeve. Në këto momente ka disa salla të vogla që mund t’i quajmë private. Ka edhe Durrësi një galeri sallën e ekspozitës, është galeria e Fierit, e Beratit, e Korçës, e Shkodrës dhe e Sarandës.
-Nëse do t’i kërkonit ministrit Gonxhja një ndryshim në politikat e tij për artin dhe kulturën, cili do të ishte?
Ajo që do t’i kërkoja ministrit Gonxhja është rikthimi i traditës së ekspozitave kombëtare të artit pamor. Nëse kemi Festivalin e Këngës në RTSH, festivale teatri në qytete të ndryshme me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, pse të mos kemi edhe ekspozita kombëtare? Bashkitë mund të përcaktojnë një datë për ekspozitat e artistëve të qytetit, ndërsa më pas përmes një komisioni profesionist, të përzgjidhen veprat më të mira që do të përfaqësojnë qytetin në një ekspozitë kombëtare. Kjo do të ndihmonte edhe galeritë e qyteteve, të cilat kanë nevojë të pasurohen me vepra të reja. Për shembull, në Durrës ka mbi 30 vjet që nuk blihen vepra arti për galerinë. Do të ishte një mënyrë për të krijuar një referencë kombëtare për artin pamor dhe për të mbështetur njëkohësisht artistët dhe galeritë. Sigurisht, jo me kriteret politike që ekzistonin para viteve ’90, por vetëm mbi bazën e vlerave dhe kritereve artistike.
-Ju keni një aktivitet të vlerësuar si skulptor. Keni zhvilluar disa ekspozita gjatë karrierës suaj. A jeni duke punuar aktualisht për ndonjë projekt apo ekspozitë të re dhe çfarë mund të presim nga ju në vijim?
Artisti në përgjithësi, në çfarëdo fushe që të jetë, nuk mund ta shohë veten pa punë. Nuk e kupton dot veten duke qëndruar kot. Mund të ketë edhe momente të shkurtra pushimi, por edhe ato i shërbejnë krijimtarisë. Edhe unë çdo mëngjes hyj në studio dhe punoj. Aktualisht jam pjesë e dy grupimeve, “Ekspozita e Pranverës” dhe grupimi “Muri”, të cilat zhvillojnë nga dy ekspozita në vit. Ndërkohë vazhdoj të punoj edhe për vepra të tjera. Një ekspozitë nuk vendoset me ngut. Ajo piqet vetvetiu bashkë me veprat dhe vjen një moment kur e kupton se ka ardhur koha për ta hapur një ekspozitë të re.
Intervistoi: Julia Vrapi










































