Situata politike që po kalon vendi pas protestave të studentëve vlerësohet faktori kryesor që ka detyruar qeverinë të propozojë ndryshime të papritura të taksave, përfshirë uljen e TVSH-së në 6% të produkteve të shportës ushqimore dhe rritjen për biznesin.
Në mbledhjen e Këshillit Tatimor përfaqësuesi i qeverisë pranoi se propozimet për ulje të TVSH-së për shportën ushqimore dhe rritja e taksave për biznesin është një vendimmarrje e ndikuar nga situata politike në vend.
“Nuk kemi pasur ndërmend këtë ndryshim, një pjesë e tyre do të ndodhnin në 2028 , por për shkak të situatës politike që po evulon në vend, dhe kërkesat që kanë paraqitur aktorë të ndryshëm, kemi vendosur që kjo ndërhyrje të bëhet në nivel politik.
Synimi afatgjatë i ndryshimeve fiskale është përmirësimi i politikave sociale për shoqërinë shqiptare.
Do të analizohet nëse reduktimi i TVSH-së për shportën bazë ushqimore do të ketë një ndikim. Kjo është një nga çështjet e diskutuara së fundmi, për të cilën zyrtarët po kërkojnë një zgjidhje. Hapat e parë mund të jenë të shpërndarë, por kjo është një nismë që synon të adresojë problemin e çmimeve për familjet shqiptare.
Do të kemi reduktim të kostove për shtresat më të prekura, si dhe politika të tjera sociale që do të prezantohen në vijim, siç është strehimi social.
Paketa do të marrë kohën e duhur për konsultime. Rrethanat nuk kanë qenë të zakonshme. Një pjesë e këtyre ndryshimeve do të ndodhnin në një periudhë tjetër, përpara përafrimit të vendit me Bashkimin Evropian, por rrethanat politike kanë bërë që ato të ndërmerren më shpejt”, u shpreh përfaqësuesi i qeverisë.
Kontabilistë, auditues dhe përfaqësues të Dhomave të Tregëtisë kundërshtuan ashpër ndryshimet për rritjen e tatimit mbi të ardhurat të korporatave dhe dividentin. Ata paralajmëruan se këto ndryshime do të sjellin eksod të bizneseve shqiptare në rajon. Për anëtarët e Këshillit Tatimor ulja e TVSh për shportën ushqimore nuk prite të sjellë ulje të çmimeve. Ndërsa paralajmëruan se ulja e pragut të detyrueshëm për regjistrimin e bizneseve në TVSh nga 10 mln lekë xhiro në vit në 5 mln lekë do të rrisë koston për biznesin e vogël.
“Rritja e tatimit mbi dividendin dhe tatimit mbi fitimin e korporatave rrezikon ta bëjë Shqipërinë vendin me normat më të larta të taksimit në rajon. Kompanitë e huaja, kur shqyrtojnë mundësitë për të investuar, analizojnë edhe nivelin e taksave. Me rritjen e këtyre normave, Shqipëria rrezikon të dalë jashtë vëmendjes së investitorëve, ndërsa bizneset e vendeve të tjera të rajonit do të fitojnë avantazh konkurrues ndaj bizneseve shqiptare.
Rritja e taksave për TVSH-në, dividendin dhe tatimin mbi fitimin, në total një rritje prej 10% rrezikon të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve dhe ta bëjë Shqipërinë më pak tërheqëse për investimet. Rritja e këtyre taksave pritet të sjellë një eksod të bizneseve shqiptare drejt vendeve të tjera të rajonit”, paralajmëroi përfaqësuesi i biznesit.
Kontabilistët pohuan se ulja e TVSH-së, nuk pritet të reflektohet me uljen e çmimeve të shportës ushqimore.
Ekspertët e kontabilitetit dhe audituesit në mbledhjen e Këshillit Tatimor ngritën shqetësime për efektet e paketës fiskale, duke argumentuar se ulja e TVSH-së për shportën ushqimore po kompensohet nga rritja e taksave për bizneset. Sipas tyre, kjo ndërhyrje nuk pritet të garantojë uljen e çmimeve për konsumatorin final, ndërsa mund të sjellë efekte të kundërta, përfshirë rritjen e çmimeve dhe inflacionin.
“Ulja e TVSH-së mund të sjellë uljen e çmimeve, por pyetja që shtrohet është nëse ky kursim do t’u kalojë qytetarëve apo do të përthithet nga bizneset përmes rritjes së marzheve të fitimit.
Zhvlerësimi i euros ka arritur deri në 30%, por kjo nuk është reflektuar në uljen e çmimeve. Askush nuk është marrë seriozisht me këtë çështje, përfshirë edhe agjencitë e mbrojtjes së konsumatorit dhe të tjera institucione. Tani po ndërhyjmë me një ndryshim ligjor, ndërkohë që nuk kemi pasur mekanizmat e nevojshëm për të kontrolluar rritjen e pakontrolluar të çmimeve. Po ashtu, mungojnë mekanizmat për të garantuar që ulja e TVSH-së që po diskutohet me paketën fskale të reflektohet te konsumatori final.
Për këtë arsye, jemi skeptikë se ky ndryshim fiskal do të sjellë realisht uljen e çmimeve të shportës ushqimore.”
“Rritja e TVSH-së në 21% do të ndikojë drejtpërdrejt te konsumatori, duke sjellë rritje të çmimeve. Ndërsa ulja e TVSH-së nuk garanton uljen e çmimeve, siç ka treguar edhe përvoja e vendeve të ndryshme. Gjithashtu, çështjen e parapagimit të tatimfitimit nga bizneset e konsideroj shumë represive”, pohoi një tjetër kontablist.
Kontabilistët ngritën shqetësimin se edhe ulja e pragut të patatueshëm për TVSH te biznesi pritet të rrisë kostot për biznesin e vogël dhe u konsiderua barrë shtesë.
“Jemi të papërgatitur për një paketë të tillë me këtë impakt fiskal. Ulja e pragut të TVSH-së do të sjellë kosto për bizneset dhe i gjen të papërgatitura bizneset e vogla. Kjo është një barrë shtesë për ta dhe përfitimi nuk e justifikon. Duhet t’u lihet më shumë kohë, pasi kjo masë i vendos në vështirësi.
Është e pamundur të analizohen plotësisht efektet e paketës, e cila prek si aspektin financiar, ashtu edhe atë social. Është një paketë e ndjeshme dhe koha për konsultim është shumë e shkurtër. Nevojiten më shumë analiza përpara miratimit, duke marrë parasysh edhe strategjinë fiskale të hartuar deri në vitin 2029.”
Dhoma Amerikane e Tregtisë kundërshton paketën fiskale
Në diskutimet e paketës fskale, përfaqësuesja e Dhomës Amerikane të Tregtisë për ndryshimet e propozuara ngriti shqetësimin për mungesën e konsultimit publik dhe rritjen e barrës fiskale për bizneset. Ajo argumentoi se masat sociale po financohen përmes rritjes së taksave mbi dividentin dhe fitimin e korporatave, ndërsa nuk ka masa për uljen e informalitetit.
“Po mbledhim para nga disa për t’ua dhënë të tjerëve”, u shpreh përfaqësuesja.
Ajo theksoi se mungesa e kohës për konsultim publik nuk është në përputhje me ligjin dhe nevojat e biznesit. Sipas saj, duhet të sqarohet edhe se si ulja e pragut të TVSH-së do të ndikojë në informalitetin e ekonomisë.
Përfaqësuesja ngriti shqetësime edhe për ecurinë e çmimeve, duke vënë në dukje se, pavarësisht rënies së euros, çmimet e mallrave vijojnë të rriten. Sipas saj, kjo ngre pikëpyetje mbi marzhet e fitimit dhe efektin real të ndryshimeve fiskale te konsumatorët.
Dhoma Zvicerane e Tregtisë kundërshton paketën fiskale
Edhe përfaqësuesi i Dhomës Zvicerane të Tregtisë ka kundërshtuar ndryshimet e propozuara në paketën fiskale, duke i cilësuar ato të nxituara dhe të pamjaftueshme për t’u konsultuar me bizneset. Sipas tij, sipërmarrjet janë të shqetësuara për efektet e ndryshimeve dhe pasojat që mund të kenë në konkurrueshmërinë e tyre.
“Jemi bombarduar me mesazhe nga bizneset, të tipit: ‘Çfarë është kjo gjë e papritur?’ Po shkatërrohet shtresa e mesme”, u shpreh ai, duke ngritur shqetësime për mënyrën dhe shpejtësinë me të cilën po ndërmerren këto ndryshime.
Përfaqësuesi vuri në pikëpyetje edhe efektin e uljes së TVSH-së për shportën ushqimore, duke theksuar se nuk është sqaruar se si do të ndikohen hallkat e tjera të zinxhirit të furnizimit, përfshirë restorantet dhe pikat e ushqimit të shpejtë.
Sipas tij, edhe nëse konsumatorët përfitojnë nga një ulje e mundshme e çmimeve, mbetet e paqartë se si do të përballohen kostot nga bizneset e tjera dhe nëse ato do të detyrohen të rrisin çmimet për të kompensuar efektet e ndryshimeve fiskale.
Ai ngriti shqetësime edhe për rritjen e TVSH-së në 21%, duke paralajmëruar se rritja me një pikë përqindjeje mund të reflektohet në çmimet e apartamenteve.
Në përfundim, përfaqësuesi kritikoi mungesën e diskutimit paraprak me grupet e interesit, duke theksuar se vendimet me ndikim të drejtpërdrejtë te biznesi nuk duhet të merren pa konsultim të mjaftueshëm./Monitor







































