Çmimet e larta të karburanteve po rëndojnë mbi buxhetet familjare dhe po ndryshojnë zakonet e përdorimit të automjeteve. Një anketë online e revistës “Monitor”, me 384 pjesëmarrës, tregon se rreth 74% shpenzojnë mbi 15 mijë lekë në muaj për karburant, ndërsa mbi 72% kanë kufizuar përdorimin e makinës për shkak të kostove. Gati gjysma kanë menduar të blejnë një automjet më ekonomik, por nuk e përballojnë financiarisht. Taksat konsiderohen nga 81% e të anketuarve si një nga shkaqet kryesore të çmimeve të larta, ndërsa pothuajse 98% kërkojnë ndërhyrjen e shtetit. Përmirësimi i transportit publik shihet si një alternativë për të ulur varësinë nga makina private.
Çmimet e larta të karburanteve kanë thelluar barrën financiare të familjeve shqiptare. Prej korrikut të këtij viti, një litër naftë ka kaluar vlerën e 200 lekëve, një nga nivelet më të larta në Europë, teksa nga ana tjetër, paga mesatare në vendin tonë është nga më të ulëtat në kontinent. Për rrjedhojë, çmimi i lartë po ndryshon gradualisht mënyrën se si shqiptarët po përdorin automjetin.
Për rreth 74% të qytetarëve, shpenzimet për karburant zënë deri mbi 15% të buxheteve mujore, teksa 78,6% e përdoruesve kanë kufizuar përdorimin e makinës, ose bëjnë më pak kilometra.
Këto rezultate dolën nga një anketë online që revista “Monitor” realizoi me 384 persona nga 16 shtatori deri më 6 tetor 2026, përmes platformës ECR (Engaged Citizens Reporting- angazhimi i zërit të qytetarëve). 76% e të anketuarve ishin meshkuj.
Rezultatet duhen lexuar si perceptime dhe sjellje të pjesëmarrësve në sondazh dhe jo si një matje përfaqësuese e të gjitha familjeve shqiptare, pasi kampioni nuk është përfaqësues.
Një tjetër problem që evidenton anketa është pamundësia për të investuar në automjete më ekonomike. Gati gjysma e pjesëmarrësve deklarojnë se e kanë menduar ndryshimin e makinës, por nuk e përballojnë financiarisht. Në këtë mënyrë, familjet përballen me një zgjedhje të vështirë, të vazhdojnë të paguajnë kosto të larta për karburant ose të reduktojnë lëvizjet.
Rezultatet tregojnë një kërkesë pothuajse unanime për ndërhyrjen e shtetit, kryesisht përmes uljes së taksave.
Një nga gjetjet më interesante është gatishmëria e lartë për të përdorur më pak makinën nëse transporti publik përmirësohet, një sinjal se ndikimi ekonomik i çmimeve të karburanteve nuk mund të trajtohet vetëm përmes politikës fiskale.
Ai lidhet edhe me investimet në infrastrukturë, organizimin e transportit dhe alternativat që kanë familjet për të përballuar nevojat e përditshme të lëvizjes.
Në afat të shkurtër, çmimi i naftës mbetet një faktor që ndikon në shpenzimet dhe fuqinë blerëse të familjeve. Në afat më të gjatë, ulja e varësisë nga automjeti privat dhe zhvillimi i alternativave më ekonomike të transportit mund të jenë po aq të rëndësishme sa ndërhyrjet e drejtpërdrejta në çmimin e karburanteve.
Një të ankëtuarit komentoi se, “Mbajtja e një automjeti të krijon probleme me kostot, parkimin e gjithçka tjetër që lidhet me të duke ngushtuar ndjeshëm të ardhurat. Krahas kësaj përballemi dhe me probleme sigurie nisur nga rrëmuja me të cilën janë planifikuar lëvizjet në qytetin e Tiranës”.
74% e familjeve shpenzojnë më shumë se 15 mijë lekë në muaj për karburant
Shpenzimet për karburant përbëjnë një nga kostot e rëndësishme mujore për familjet që përdorin automjete.
Sipas rezultateve të anketës, 25,5% e pjesëmarrësve shpenzojnë nga 10 deri në 15 mijë lekë në muaj për karburant, ndërsa rreth 74% shpenzojnë mbi 15 mijë lekë në muaj.
21,1% deklarojnë shpenzime nga 15 deri në 20 mijë lekë. Rreth 19,5% shpenzojnë nga 20 deri në 30 mijë lekë në muaj, ndërsa 10,6% paguajnë mbi 30 mijë lekë.
Nëse këto shpenzime llogariten në bazë vjetore, barra financiare bëhet edhe më e dukshme. Një familje që shpenzon 15 mijë lekë në muaj paguan rreth 180 mijë lekë në vit për naftë ose benzinë. Për një familje me shpenzime mujore prej 25 mijë lekësh, fatura arrin në 300 mijë lekë në vit.
Këto shuma nuk përfshijnë siguracionin, taksat e automjetit, mirëmbajtjen, parkimin apo riparimet.

Karburanti merr mbi 15% të të ardhurave mujore për 40% të të anketuarve
Pesha e shpenzimeve për karburant në buxhetin familjar rezulton e konsiderueshme për një pjesë të madhe të pjesëmarrësve në anketë. Rreth 60% deklarojnë se shpenzojnë nga 5% deri në 15% të të ardhurave mujore për karburant.
Një tjetër kategori, 13%, deklarojnë se shpenzojnë nga 16% deri në 20%, ndërsa 14,4% e pjesëmarrësve paguajnë mbi një të pestën e të ardhurave mujore për karburant.
Në një familje me të ardhura mujore prej 120 mijë lekësh, një shpenzim për karburant i barabartë me 15% të të ardhurave përkthehet në 18 mijë lekë në muaj. Këto janë shuma që ndikojnë në aftësinë e familjeve për të përballuar kategori të tjera të konsumit.
Ndikimi mund të jetë veçanërisht i fortë për familjet që kanë detyrime financiare të tjera, si kredi apo qira.

Nafta e shtrenjtë, 81% shohin taksat si shkakun kryesor
Barra fiskale është faktori që pjesëmarrësit në anketën e “Monitor” identifikojnë më shpesh si shkak të çmimeve të larta të karburanteve në Shqipëri.
Rreth 80,8% e të anketuarve përmendin taksat dhe detyrimet fiskale si një nga arsyet kryesore të nivelit të lartë të çmimeve. Pas tyre renditen abuzimet e mundshme dhe mungesa e transparencës në treg, të përmendura nga 55,4% e pjesëmarrësve. Rreth 40,7% identifikojnë si faktor të tretë pozitën dominuese të operatorëve të mëdhenj, ndërsa 35% përmendin si faktor të katërt konkurrencën e kufizuar.
Në të kundërt, vetëm 18,7% e pjesëmarrësve identifikojnë çmimin ndërkombëtar të naftës si një nga faktorët kryesorë dhe 6,5% kostot e importit dhe transportit.

98% kërkojnë masa nga shteti për uljen e kostos së naftës
Kërkesa për ndërhyrjen e shtetit në uljen e kostove të karburanteve është pothuajse unanime mes pjesëmarrësve në anketën e “Monitor”.
Nga 384 persona që iu përgjigjën kësaj pyetjeje, 97,9% shprehen në favor të ndërhyrjes, ndërsa vetëm 0,8% janë kundër. Pjesa tjetër, 1,3%, mbeten të pavendosur.
Përqindja shumë e lartë e mbështetjes tregon se kostoja e naftës dhe benzinës perceptohet si një problem që kërkon reagim nga institucionet publike.

Konsumatorët kërkojnë heqjen e taksës së qarkullimit dhe uljen e akcizës
Nëse qeveria do të ndërhynte për të ulur çmimin e karburanteve, pjesëmarrësit në anketën e “Monitor” do të preferonin kryesisht masa që lidhen me reduktimin e barrës fiskale.
Sipas rezultateve, 29,9% mbështesin heqjen e taksës së qarkullimit, duke e renditur këtë si masën më të preferuar. Në vend të dytë qëndron ulja e akcizës, e mbështetur nga 23,2% e pjesëmarrësve.
Një tjetër 14,6% kërkojnë uljen e taksave të tjera që rëndojnë mbi karburantet, ndërsa 7,8% shprehen në favor të uljes së TVSH-së.
Ndërkohë, 11,6% mbështesin forcimin e kontrollit të konkurrencës dhe marzheve të fitimit, ndërsa 7,3% kërkojnë masa të përkohshme gjatë periudhave kur çmimet rriten ndjeshëm.
Kërkesa për lehtësimin e barrës fiskale lidhet me faktin se, Shqipëria ka transferuar një pjesë të madhe të barrës fiskale të nafta. Tatimet si TVSH-ja, akciza dhe taksa e qarkullimit përbëjnë 53% të çmimit final në një litër naftë.
Akciza që është 39.4 lekë për litër, taksa e qarkullimit që është 27 lekë për litër, taksa e karbonit 3 lekë për litër dhe TVSH 20% e llogaritur mbi çmimin e blerjes + taksat. Më pas çmimit i shtohen kostot e transportit dhe fitimet e kompanive, që për shumicën janë 3 lekë për litër dhe 12 lekë për litër për pakicën.
Në vlerë barra fiskale llogaritet të jetë 90 deri 100 lekë të çmimit final. Krahasuar me shtetet e rajonit, vendi ynë ka barrën më të lartë fiskale për naftën.
Në shtetet si Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Kosovë mbi çmimin e shumicës së naftës llogaritet vetëm akciza dhe TVSH-ja. Nafta në Shqipëri është mesatarisht 30-40% më shtrenjtë se në rajon, duke bërë që shumë përdorues mjetesh të furnizohen përtej kufirit.
Nafta mbi 200 lekë për litër, reduktim i lëvizjeve dhe kursime te shporta
Qëndrimi i çmimit të naftës mbi nivelin e 200 lekëve për litër për një periudhë të gjatë do të ndikonte ndjeshëm në sjelljen e drejtuesve të automjeteve.
Sipas anketës, 56,8% e pjesëmarrësve deklarojnë se do ta përdornin makinën më pak në një situatë të tillë. Një tjetër 20,8% do të konsideronin kalimin drejt një automjeti elektrik ose hibrid, ndërsa 5,9% do të kërkonin një makinë më ekonomike.
Vetëm 4,3% do të kalonin drejt transportit publik, ndërsa 8,1% deklarojnë se do të vazhdonin ta përdornin automjetin njësoj, pavarësisht çmimit.
Për familjet që përdorin makinën për punë, mundësia për të reduktuar lëvizjet është gjithashtu e kufizuar. Megjithatë, ato mund të kërkojnë mënyra për të kombinuar udhëtimet, për të shmangur kilometrat jo të domosdoshëm ose për të ulur konsumin.
Një komentues tha “Do t’ia heq shportës ushqimore dhe do ta përdor makinën, sepse na duhet për pune”.
![]()
Nafta e shtrenjtë po kufizon lëvizjet
Rritja e çmimeve të karburanteve po ndikon drejtpërdrejt në zakonet e drejtuesve të automjeteve, të cilët po përpiqen të reduktojnë faturën mujore duke kufizuar lëvizjet.
Sipas anketës, 39,3% e pjesëmarrësve deklarojnë se përpiqen të bëjnë më pak kilometra, ndërsa 32,8% e përdorin makinën më rrallë.
Në total, 72,1% e të anketuarve kanë reduktuar në një formë ose në një tjetër përdorimin e automjetit për shkak të çmimeve të larta. Ndërkohë, 21,4% deklarojnë se vazhdojnë ta përdorin makinën njësoj, pavarësisht kostove. Vetëm 3,3% kanë kaluar drejt përdorimit më të shpeshtë të transportit publik dhe 2,4% ndajnë udhëtimet me persona të tjerë.
“Patjetër që ka ndikuar. Në për punë e kemi të nevojshme, pasi lëvizim çdo ditë nga e hëna në të shtunë në Vorë, të dielën as nuk tentojmë të lëvizim edhe brenda Tiranës.
![]()
Transporti publik, alternativa kryesore ndaj naftës së shtrenjtë
Përmirësimi i transportit publik mund të ndikojë ndjeshëm në përdorimin e automjeteve private dhe, për rrjedhojë, në shpenzimet familjare për karburant.
Mbi 72% e pjesëmarrësve deklaruan se do ta përdornin më pak makinën nëse transporti publik do të përmirësohej. Një tjetër 17% shprehen se ndoshta do ta reduktonin përdorimin e automjetit, ndërsa vetëm 7,8% deklarojnë se nuk do ta ndryshonin sjelljen.
Një anketues komentoi “ Patjetër që po, nëse do të kishim transport hekurudhor funksional, do të ulja përdorimin e makinës për rrugë ndërqytetëse”.
Nëse transporti publik do të ofronte alternativa më të shpejta, më të besueshme dhe me mbulim më të gjerë, një pjesë e përdoruesve mund të reduktonin kilometrat me automjet privat.
“Është e pamundur te rregullohet transporti publik se ka 30 vite i njëjti muhabet”, tha një komentues. Ndikimi ekonomik nëse do përmirësohej transporti publik do të ishte i dyfishtë pasi familjet mund të kursenin në faturën mujore të karburantit dhe në kostot e tjera të përdorimit të makinës. Nga ana tjetër, reduktimi i trafikut dhe i konsumit të karburanteve mund të sillte përfitime më të gjera për ekonominë dhe mjedisin.
Për një vend që mbështetet tek importi i karburanteve, ulja e konsumit përmes transportit publik mund të ndihmojë edhe në kufizimin e ekspozimit ndaj luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare.
Por qytetarët duket se nuk janë optimistë që transporti publik do të përmirësohet. “Këtu ka më shumë shanse të behet 10 kulla brenda vitit, sesa të rregullohet shërbimi publik i transportit”.

Makina përdoret çdo ditë nga gjysma e qytetarëve
Rreth 50,4% e të anketurave deklarojnë se e përdorin makinën çdo ditë, ndërsa 18,2% e përdorin nga katër deri në gjashtë ditë në javë. Në total, 68,6% e pjesëmarrësve e përdorin automjetin të paktën katër ditë në javë.
Frekuenca e lartë e përdorimit rrit ekspozimin e familjeve ndaj luhatjeve të çmimeve të karburanteve. Edhe ndryshime relativisht të vogla të çmimit për litër mund të kenë ndikim të ndjeshëm në faturën mujore, nëse konsumi është i vazhdueshëm.

Puna dhe familja, arsyet kryesore të përdorimit të makinës
Për shumicën e pjesëmarrësve në anketë, përdorimi i makinës është i lidhur me nevoja të domosdoshme të jetës së përditshme.
Rreth 46,1% deklarojnë se e përdorin automjetin kryesisht për të shkuar në punë, ndërsa 20,1% për nevoja familjare dhe transportin e fëmijëve. Një tjetër 9,8% e përdorin makinën për aktivitete biznesi apo angazhime pune.
“Do të kërkoja makinë me ekonomike, por ndërkohë duhet mbyllur kredia e mjetit që përdorim. Kështu që sërish mbetemi në përdorim të detyrueshëm të mjetit 6 ditë në javë për shkak të punës jashtë Tiranës.
Këto përgjigje tregojnë se pjesa më e madhe e lëvizjeve lidhet me aktivitete që nuk mund të reduktohen lehtësisht.
Për një punonjës që duhet të udhëtojë çdo ditë drejt vendit të punës, rritja e çmimit të naftës përbën një kosto shtesë për të siguruar të njëjtat të ardhura.
E njëjta situatë vlen edhe për familjet që përdorin automjetin për transportin e fëmijëve, veçanërisht kur shkolla, kopshti apo aktivitetet e tjera ndodhen larg banesës. Konsumatorët mund të kufizojnë udhëtimet jo të domosdoshme, por kanë më pak mundësi të shmangin lëvizjet për punë dhe detyrime familjare.
“Do vazhdoj njësoj, sepse kam 2 fëmijë për të çuar në shkollë e kopsht dhe vete në punë, me transport publik me dyfishohet koha”.
![]()
Qytetarët duan makina më ekonomike, por gjysma nuk kanë mundësi
Rritja e kostove të karburantit po nxit interesin për automjete me konsum më të ulët, por mundësitë financiare mbeten pengesa më e madhe për realizimin e këtij ndryshimi.
Sipas anketës, 47,4% e pjesëmarrësve deklarojnë se kanë menduar ta ndryshojnë automjetin, por nuk e përballojnë financiarisht një investim të tillë.
Një tjetër 24,1% po e konsiderojnë mundësinë e ndryshimit, ndërsa 6,8% nuk kanë gjetur ende alternativën e përshtatshme. Vetëm 21,7% deklarojnë se nuk kanë menduar ta ndryshojnë makinën. Më shumë se tre në katër pjesëmarrës e kanë konsideruar në një formë ose në një tjetër zëvendësimin e automjetit.
Automjeti domosdoshmëri, 96% me makina
Zotërimi i automjetit është pothuajse universal mes pjesëmarrësve në anketë. Rreth 95,8% e të anketuarve deklarojnë se kanë të paktën një makinë në familje, ndërsa vetëm 4,2% nuk zotërojnë automjet.
Përqindja e lartë e përdoruesve të makinave është e lidhur edhe me natyrën e anketës, e cila ka pasur në fokus ndikimin e çmimeve të karburanteve dhe ka tërhequr kryesisht persona që përdorin automjete.
Megjithatë, përgjigjet e tyre japin një panoramë të rëndësishme të kostove që përballojnë familjet që varen nga transporti privat.
Për shumë familje, makina është pjesë e organizimit të përditshëm, duke shërbyer për vajtjen në punë, transportin e fëmijëve, kryerjen e shërbimeve dhe lëvizjet jashtë zonës së banimit.
Kjo varësi e bën shpenzimin për karburant një nga zërat më pak fleksibël të buxhetit familjar. Ndryshe nga disa kategori të konsumit që mund të reduktohen ose shtyhen, lëvizjet e nevojshme për punë dhe detyrime familjare nuk mund të shmangen lehtësisht.
Një komentues u shpreh se “Do hiqnim një nga makinat dhe nëse do kemi mundësi ekonomike ta marrim elektrike ose hibride . Por do tentojmë dhe të ulim përdorimin, duke e kufizuar vetëm për të çuar fëmijët në shkollë e për të shkuar në pune prindi që ka punën me larg”.
Familjet me makinë, 76,7% kanë vetëm një automjet
Shumica e familjeve pjesëmarrëse në anketë zotërojnë vetëm një automjet, duke e bërë atë mjetin kryesor të transportit për pjesëtarët e familjes. Nga 369 familjet që deklarojnë se kanë makinë, 76,7% zotërojnë vetëm një automjet. Rreth 19% kanë dy makina, ndërsa 4,3% zotërojnë më shumë se dy automjete.
Nafta dominon përdorimin e automjeteve me mbi 82%
Automjetet me naftë përbëjnë pjesën dërrmuese të makinave që përdoren nga pjesëmarrësit në anketë.
Sipas rezultateve, 82,9% deklarojnë se përdorin kryesisht automjet me naftë, ndërsa 10,3% përdorin makinë me benzinë. Automjetet me gaz përfaqësojnë 5,1% të përgjigjeve, ndërsa ato hibride vetëm 1,1%.
Gjetjet janë në linjë me strukturën e mjeteve në vend. Sipas të dhënave të tjera nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) deri në fund të shkurtit 2026, në vend kishte aktive 1.06 milionë mjete.
Nga këto, rreth 732 mijë, ose gati 70% e totalit përdorin naftën si lëndë djegëse.
Rreth 210 mijë automjete, ose gati 20% përdorin vetëm benzinën. Rreth 84 mijë përdorues i kanë automjetet me gaz, apo 8% e totalit.
Ndonëse regjistrimi i makinave elektrike po vjen në rritje, sidomos në mars, pas shtrenjtimit të naftës, pesha e tyre ndaj totalit mbetet minimale, në vetëm rreth 2%, me rreth 20 mijë mjete elektrike që qarkullojë në vend, nga mbi 1 milionë në total dhe 8 mijë të tjera që janë hibride (karburant +elektrike).
Kjo strukturë e bën çmimin e naftës një nga faktorët më të rëndësishëm në shpenzimet e transportit për familjet e anketuara. Për pjesën më të madhe të përdoruesve, ndryshimet e çmimit të këtij karburanti përkthehen drejtpërdrejt në ndryshimin e kostos së përdorimit të automjetit.

Gati gjysma e të anketuarve fitojnë nga 100 deri në 200 mijë lekë në muaj
Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në anketën e “Monitor” u përkasin familjeve me të ardhura mujore nga 100 mijë deri në 200 mijë lekë. Sipas rezultateve të anketës, 45,6% deklarojnë të ardhura familjare nga 100 deri 200 mijë lekë.
Familjet me të ardhura mbi 300 mijë lekë në muaj zënë 13,5% të pjesëmarrësve, ndërsa ato që sigurojnë deri në 75 mijë lekë përfaqësojnë rreth 14,8%.
Profili i të ardhurave tregon se anketa ka përfshirë në masë të konsiderueshme familje me të ardhura të mesme dhe relativisht të larta, që është dhe lexuesi kryesor i “Monitor”.
Megjithatë, siç rezulton edhe nga përgjigjet e mëtejshme, niveli i të ardhurave nuk i mbron domosdoshmërisht familjet nga ndikimi i kostove të larta të transportit.
Pesha e karburantit në buxhet varet jo vetëm nga të ardhurat, por edhe nga distanca e përshkuar çdo ditë, numri i automjeteve në familje, konsumi i tyre dhe mundësia për të përdorur alternativa të tjera transporti.










































