Nga Julia Vrapi
Të drejtat e autorit dhe mënyra e administrimit të tyre janë sërish në qendër të debatit. Pretendimet për tejkalim të kompetencave në administrimin e të drejtave të autorit dhe mosshpërndarjen e të ardhurave për krijuesit kanë ngritur shqetësime lidhur me mënyrën se si menaxhohen të drejtat e pronësisë intelektuale. Drejtori i Forumit të Autorëve të Audiovizualit dhe Dokumentarit (FAAD), Evien Dako, ngre shqetësime për praktikat e Sportelit Unik për Administrimin e të Drejtave të Autorit (SUADA) dhe kërkon ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse si Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të autorëve dhe interpretuesve.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Dako pretendon se SUADA ka lëshuar autorizime në kundërshtim me legjislacionin dhe se të ardhurat nga administrimi i të drejtave audiovizuale nuk u shpërndahen krijuesve përkatës. “SUADA ka dhënë autorizime në kundërshtim me të drejtat që ka. Autorizimi i parë tregon se ka autorizuar dhe ka dhënë të drejta për krijimet audiovizuale, dhe nuk i shpërndan këto arkëtime për krijuesit e audiovizualit, në kundërshtim me ligjin Për të drejtat e Autorit dhe kodin civil “Përfaqësimi me ligj”. Njëkohësisht në autorizimin e dytë SUADA jep autorizim duke përdorur termin “të drejta të pakufizuara”, në kundërshtim me Ligjin nr. 35/2016, duke pretenduar të autorizojë të drejta që krijuesit dhe interpretuesit nuk ua kanë deleguar agjencive ku bëjnë pjesë, duke dhënë të drejta që as vetë krijuesit nuk i kanë pasi mund ti kenë transferuar ato”, shprehet Dako në reagimin e tij, ku ka ndarë dhe autorizimet si materiale në rrjete sociale.
Autorët rrezikojnë të mos shpërblehen
Dako thekson se pasojat e kësaj situate prekin krijuesit, interpretuesit dhe televizionet. Ai bën të ditur se FAAD i është drejtuar Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit për ndërhyrje. “Askush nuk mund të japë atë që nuk i është deleguar! Kjo praktikë ngre dyshime serioze për shpërdorim të qëllimshëm të kompetencave, përvetësim të fondeve dhe kërkon hetim nga organet kompetente.
Dëmi prek të gjithë: autorët e audiovizualit të cilët rrezikojnë të mos shpërblehen, prek autorët e muzikës dhe interpretuesit të cilëve u administrohen të drejtat pa autorizimin përkatës, ndërsa televizionet paguajnë tarifa më të larta duke besuar se janë të autorizuar në përputhje me ligjin për të drejtat qe kanë marrë autorizim nga SUADA. F.A.A.D. i ka kërkuar MTKS-së të ndërhyjë dhe po përgatit kallëzimin penal për faktet e konstatuara”, shprehet Evien Dako drejtor i FAAD. Në vijim të reagimit të tij, Dako u bën thirrje autorëve, kompozitorëve, tekstshkruesve dhe interpretuesve të bashkohen për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe të kërkojnë llogaridhënie.
“Prona juaj intelektuale nuk është pronë e agjencive që e administrojnë. Është koha të bashkohemi dhe të veprojmë! Çdo e drejtë e juaja, duhet të autorizohet sipas mandatit që ju i keni lëshuar agjencive, si edhe përdoruesve apo ofruesve të shërbimeve të kësaj fushe. F.A.A.D në mbrojtje të krijuesve dhe të drejtave të tyre”, përfundon Dako reagimin e tij. (FAAD- Forumi i Autorëve të Audiovizualit dhe Dokumentarit) ka në fokus mbrojtjen e të drejtave të autorit, administrimin kolektiv të këtyre të drejtave dhe përfaqësimin e kineastëve, regjisorëve e producentëve shqiptarë. Edhe më herët, FAAD ka ngritur shqetësime për çështjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të autorit në Shqipëri, duke kërkuar më shumë vëmendje nga institucionet përgjegjëse.










































