Lojtarët e Kombëtares po paraqiten mirë me skuadrat e tyre dhe një pjesë po lënë gjurmë me gola e asiste. Krahas Manajt dhe Muçit në superligën turke që janë liderë në ekipet e tyre, duket se nuk mbetet pas Mirlind Daku, Jasis Asani, Myrto Uzuni por edhe lojtarët e tjerë të formacionit kuqezi që luajnë në liga të ndryshme nëpër botë.
Uzuni dygolësh me Austin në Amerikë
Austin mori një fitore të rëndësishme në kampionatin amerikan të futbollit. Skuadra e Teksasit u përball me Kansas Siti në transfertë ndaj të cilit arriti të marrë 3 pikët duke i mundur vendasit me përmbysje në rezultatin 2-1 dhe për Austin protagonisti absolut u bë pikërisht Myrto Uzuni. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare mori përdore skuadrën teksase dhe shënoi një dygolësh në këtë ndeshje që i dha fitoren skuadrës së tij. Gjithçka ndodhi në pjesën e dytë me Kansas që mori avantazhin me golin e Afrifa në minutën e 55. Pas kësaj i erdhi radha Uzunit të shfaqet në skenë me sulmuesin kuqezi që në minutën e 64 barazoi shifrat në 1-1, ndërsa në të 86 ai shënoi golin që përmbysi gjithçka dhe të fitores 2-1 të Austin. Pas kësaj ndeshjeje Uzuni e sheh veten në kuotën e 9 golave dhe 2 asisteve në 23 ndeshje të kampionatit, ndërkohë që Austin pas 31 javëve vazhdon të jetë në vendin e parafundit të Konferencës së Perëndimit me 34 pikë.
Broja dëmtohet, Bërnli shkarkon trajnerin Hajen
Bërnli ka shkarkuar trajnerin Niki Hajen. Klubi ku luan Armando Broja e mori vendimin pas humbjes 4-1 ndaj Linkoln. Pas dëmtimit të Brojës, vjen edhe tronditja e madhe nga klubi anglez. “Klubi i Bërnlit ka shkarkuar trajnerin kryesor, Niki Hajen, me efekt të menjëhershëm. Bordi drejtues ka marrë këtë vendim pas një fillimi zhgënjyes të sezonit në Championship”, shkruan klubi anglez. Bërnli po vuan dhe kjo vërehet pasi në përfundim të 12 javëve regjistron vetëm 8 pikë, teksa në Championship është parë një fitore. Në total për Hajen ishin vetëm dy fitore në 14 ndeshje, ndërsa pesë takime u mbyllën në barazim dhe të tjerat u humbën. Broja u preferua dje titullar, por u dëmtua dhe la fushën pas 13 minutave.
FSHF ofron ndihmë për tifozin e goditur me plumb gome nga policia
Erjon Vishkulli ishte një prej pjesëmarrësve në protestën që kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama që u plagos rëndë teksa u godit në sy nga plumbat e gomës së policisë. 28 vjeçari është pjesë e grupimit ‘Tifozët Kuqezi’ në mbështetje të Kombëtares shqiptare dhe një ditë më parë iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar ndaj asaj që ndodhi dhe mori vendimin për të dhënë ndihmën e saj për trajtimin e tij, një vendim që e konfirmon vetë presidenti Armand Duka përmes një postimi në rrjetet sociale. “Më ka prekur thellë plagosja e rëndë e Erjon Vishkullit. Po kështu, tifozët kuq e zi dhe mbështetësit e përkushtuar të kombëtares sonë. Në këtë moment të vështirë, i shpreh Erjonit dhe familjes së tij afërsinë dhe solidaritetin tim. Federata Shqiptare e Futbollit është e gatshme të ofrojë ndihmë konkrete për trajtimin dhe rikuperimin e tij, në koordinim me familjen. Erjoni ka qenë pranë kombëtares me zemër e pasion. Sot, familja kuqezi është pranë tij. Nga zemra, shërim sa më të shpejtë, Erjon! Armand Duka”, shkruan presidenti i FSHF-së në postimin e tij.







































