Nga Leo Tomorri
Të gjithë shqiptarët kanë qenë dje të vëmendshëm për të dëgjuar reflektimin e kryeministrit Rama, pas disa takimeve dhe konsultimeve me ministra, deputetë dhe drejtues politikë. Ajo që donin të kuptonin ishte nëse ky kryeministër, tashmë i padëshiruar për një pjesë të madhe të qytetarëve, do të bënte ndonjë lëvizje surprizë dhe do të vendoste të largohej, apo do të demonstronte forcë përpara shqiptarëve.
Fatkeqësisht, Rama demonstroi se është aty dhe se është i vendosur të bëjë sikur qeveris, i zhytur deri në fyt në zullumin e krimit dhe korrupsionit. Ai vazhdon të mendojë se ka përpara një popull sylesh, që nuk e kupton se ky është një nga konsumuesit më të mëdhenj të pushtetit dhe i një sistemi që ka përfshirë çdo qelizë të qeverisjes së tij.
Në vëmendjen time, si çdo shqiptar i interesuar për qeverisjen e vendit të tij, po dëgjoja me kujdes risitë që Rama ekspozoi dhe që, sipas tij, do të zbatohen duke filluar nga kjo e premte: “Besa”, “Pasqyra Albania” dhe “Prania besnike.
Shumë mirë nëse ka përpjekje për të qenë sa më afër qytetarit. Por kur kjo përsëritet sa herë që Rama kupton se ka ngritur një superstrukturë arrogante, të korruptuar dhe të kapur nga interesa të paligjshme, atëherë lind pyetja: a bëhet fjalë vërtet për shërbim ndaj qytetarit, apo për një tjetër përpjekje për të rregulluar imazhin?
Nuk ka makeup që mund të ndryshojë pamjen e një fytyre të rrënuar, sidomos kur ky makeup financohet me paratë e taksave të shqiptarëve. Ky është problemi i madh. Qytetarët nuk kanë nevojë për fasada të reja komunikimi, por për institucione të pavarura, shërbime të drejta dhe përgjegjshmëri publike.
Disa vite më parë u shpik “Bashkëqeverisja”. U ngrit një superstrukturë në formën e një shteti paralel, me patronazhistë dhe administratë të angazhuar politikisht, dhe filluan shfaqjet me hallexhinj, të cilëve, sipas propagandës së qeverisë, ua zgjidhte problemet vetë Rama. Ajo që nuk u bë kurrë transparente ishte se sa ka kushtuar kjo strukturë, sa punonjës janë paguar, nga cili buxhet dhe çfarë rezultatesh konkrete ka prodhuar.
Mesazhi ishte i qartë: atë që nuk ua zgjidhnin ministrat dhe institucionet, do ta zgjidhte kryeministri me strukturwn e tij paralele. Por një shtet normal nuk funksionon me mesazhe personale të kryeministrit. Shteti funksionon përmes ligjit, rregullave dhe institucioneve. Kur qytetari duhet t’i drejtohet një figure politike për të marrë një shërbim që i takon me ligj, atëherë nuk kemi përpara një qeverisje efikase, por një sistem klientelist që krijon varësi dhe borxhe politike.
Më pas, me fillimin e fushatës elektorale, kontaktet e këtyre hallexhinjve kalonin te patronazhistët, të papërtuarit që i merrnin në telefon për t’u kujtuar se kush ua kishte zgjidhur hallin dhe pse duhej ta votonin përsëri. Pra, shërbimi publik kthehej në mjet presioni elektoral. Një ndihmë që duhet të jepej në bazë të ligjit dhe nevojës shndërrohej në favor personal, ndërsa qytetari kthehej në borxhli politik.
Por duket se edhe “Bashkëqeverisjes” njerëzit ia kanë pirë lëngun. Në vend që t’u zgjidhte hallet, ajo i ktheu qytetarët në borxhlinj të pushtetit. Për këtë arsye, dje dëgjuam se kjo strukturë duhet të forcohet dhe t’i përshtatet algoritmit, i cili me sa duket ka kuptuar se kjo makineri i është kthyer kundër dhe po i ha kokën.
Por për ta forcuar këtë mekanizëm do të duhen më shumë patronazhistë, më shumë fonde, më shumë zyra dhe një skanim i përsosur i çdo hallexhiu në Shqipëri. Do të duhen më shumë të dhëna, më shumë kontroll mbi qytetarët dhe më shumë përpjekje për t’i përdorur nevojat e tyre si kapital elektoral.
Këtu lind edhe një shqetësim tjetër serioz: çfarë ndodh me të dhënat personale të qytetarëve? Kush i administron ato, ku ruhen, kush ka akses dhe për çfarë përdoren? Një qeveri transparente duhet t’u japë shqiptarëve përgjigje të qarta për këto pyetje. Të dhënat e qytetarëve nuk mund të shndërrohen në pronë të një partie dhe as në instrument për kontroll politik.
Në fund, kjo nuk është thjesht për më shumë transparencë apo platformash të reja. Është çështje e mënyrës se si funksionon shteti. Një qeveri që nuk arrin të ndërtojë institucione të besueshme përpiqet të krijojë kanale personale komunikimi, sepse përmes tyre mund ta mbajë qytetarin të varur dhe mirënjohës.
Por shqiptarët nuk kanë nevojë për patronazhistë me pagesë dhe as për një makineri elektorale të financuar nga taksat e tyre. Ata kanë nevojë për një administratë profesionale, për drejtësi të barabartë, për transparencë të plotë dhe për institucione që u shërbejnë qytetarëve pa pyetur se për kë votojnë.
Më shumë patronazhistë nuk do të thotë më shumë qeverisje. Do të thotë vetëm më shumë para të shpenzuara për të mbajtur në këmbë një makineri të konsumuar, të ndryshkur dhe të degjeneruar. Paketa të reja propagandistike nuk mund ta fshehin përgjithmonë dështimin e një sistemi që e ka kthyer qytetarin nga përfitues të shërbimit publik në klient dhe borxhli të pushtetit.






































