Amedspor i Besnik Hasit mori provizorisht vendin e parë në Superligën turke. Fitorja e madhe 1-2 erdhi me përmbysje në pjesën e dytë ndaj Samsunspor, ndërsa deklarata e trajnerit Hasi ku tregonte se ishte i pakënaqur me lojën ka çuditur disi tifozët në Turqi. “Fituam në transfertë. Nuk jam i kënaqur me pjesën e parë. Nuk luajtëm mirë në 45 minutat e para.
Krijuam raste dhe duhet t’i shndërrosh këto raste në gola. Nuk arritëm t’i konkretizonim mundësitë që patëm. Në kundërsulmin e parë, pësuam gol. Kjo nuk ishte loja jonë. Këtë mund ta them. Kur mbetëm me nga 10 lojtarë, luajtëm më mirë. Pra, krijuam më shumë raste. Në pjesën e dytë bëmë disa ndërhyrje. Skuadra luajti më mirë. Reaguam më mirë për të zhvilluar lojën tonë. Jam shumë i lumtur që fituam në transfertë. Dua të ndalem veçanërisht te Saba. Ai shënoi një gol të jashtëzakonshëm. Në fakt, sa herë që shënon, realizon gola të jashtëzakonshëm. Ai nuk shënon gola të zakonshëm. Edhe për këtë jam shumë i lumtur. I morëm tri pikët. Nuk jam i kënaqur me lojën, por jam shumë i lumtur për tri pikët”, u shpreh trajneri Hasi. Duhet theksuar se tekniku shqiptar e ka nisur mirë këtë sezon dhe shpresohet ta ruajë ritmin edhe në vazhdimësi.
Me këtë ritëm ai do të lerë gjurmë në kampionatin turk. Suksesin më të madh deri tani ai e ka patur me ekipin e parë në Belgjikë, Anderlehtin. Por eksperiencë ka krijuar edhe në vende të tjera. Kujtojmë që në Turqi luan një kontigjent i madh lojtarësh shqiptarë, si Seferi, Manaj, Muçi, e plot të tjerë, pjesa më e madhe e tyre pjesëtarë të skuadrës përfaqësuese. Besnik Hasi ka qenë mbrojtës stabël në formacionin e skuadrës kombëtare mbi dy dekada më parë. Ai ishte nga kosovarët e parë që veshi fanellën kuqezi të Shqipërisë.







































