Google search engine
Home Kulture Gushti i folklorit, Ansambli Popullor nis udhëtimin artistik me “Fest Folk 2026”

Gushti i folklorit, Ansambli Popullor nis udhëtimin artistik me “Fest Folk 2026”

0
25

Nga Julia Vrapi

Gushti do të marrë ritmin e traditës shqiptare me “Fest Folk 2026”, një turne artistik që do të udhëtojë në disa prej qyteteve kryesore të vendit. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore do të ngjitet në skenë me një repertor që sjell pasurinë e këngëve, valleve dhe kostumeve tradicionale shqiptare. Ky aktivitet synon të afrojë publikun me trashëgiminë kulturore, duke e kthyer çdo ndalesë në një festë të folklorit dhe identitetit kombëtar. Nga Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor thuhet për një rrugëtim artistik që bashkon brezat, ringjall kujtesën kulturore. ““Fest Folk 2026” sjell një udhëtim plot ngjyra, ritëm dhe emocion, duke e kthyer gushtin në muajin e festës së folklorit shqiptar.

Nga Saranda, në Laç, Durrës, Gjirokastër, Vlorë, Vajzë, Berat e Fier, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore do të ngjitet në skenat e qyteteve, duke sjellë para publikut pasurinë e jashtëzakonshme të këngëve, valleve dhe traditave tona kombëtare. Një rrugëtim artistik që bashkon brezat, ringjall kujtesën kulturore dhe e kthen çdo shesh në një festë të madhe kombëtare, ku ritmi, kostumet shumëngjyrëshe dhe energjia e artistëve bëhen një me duartrokitjet e publikut. Ju presim të festojmë së bashku trashëgiminë tonë kulturore në “Fest Folk 2026”, shkruan Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. “Fest Folk” nis më 8 gusht në Sarandë, për të vijuar dhe në qytete të tjera gjatë këtij muaji, ku ndalesa e fundit e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore do të jetë më 24 gusht në Fier.

 Sezoni artistik

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore në drejtimin artistik të Sokol Marsit gjatë këtij viti ka zhvilluar një aktivitet me koncerte të ndryshme në skena brenda dhe jashtë vendit, duke përcjellë vlerat e folklorit shqiptar. AKKVP e nisi vitin artistik 2026 me koncertin “Ku ka si Tirona” në muajin janar, që solli një mozaik këngësh dhe vallesh. Koncerti premierë u zhvillua përgjatë dy mbrëmjeve në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, por që shënoi edhe nisjen e ciklit “Thesaret e shpirtit”. Pas këtij koncerti sezoni artistik vijoi me të tjerë koncerte, ku në 15 maj në skenë ishte koncerti “Brez pas brezi”.

Koncerti “Brez pas brezi” nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore u zhvillua edhe si një nga momentet e veçanta të veprimtarisë artistike në sezonin artistik, ku emra të njohur të skenës u bashkuan me artistë të rinj, që sapo kanë nisur rrugëtimin e tyre artistik. Në muajin qershor artistët e AKKVP ishin dhe në Gjakovë në Kosovë, por morën pjesë dhe në një festival në Itali, ndërsa në korrik ishte një tjetër koncert në Londër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here