Google search engine
Home Sport Xherdan Shaqirit i humb shkëlqimi me Bazelin, përplaset edhe me trajnerin Lihshteiner

Xherdan Shaqirit i humb shkëlqimi me Bazelin, përplaset edhe me trajnerin Lihshteiner

0
22

Menjëherë pas fishkëllimës së fundit Xherdan Shaqiri bëri buzëqeshjen e tij të zakonshme, pavarësisht humbjes në shtëpi me Bazelin kundër Lozanës. Kjo ndodhi sepse takoi në tunel mikun e vjetër, Gilles Japi. Shaqiri në periudhën e parë te Bazeli fitoi dy tituj me ish-lojtarin nga Bregu i Fildishtë, Japi. Përshëndetja e Shaqirit me 44-vjeçarin, i cili tani punon si trajner i Lozanës, ishte e ngrohtë. Pak sekonda më vonë, Shaqiri doli para gazetarëve. U pyet fillimisht pse nuk e kishte ekzekutuar vetë goditjen e dënimit në minutën e gjashtë. “Kishim rënë dakord më herët me trajnerin dhe ne e kishim praktikuar në stërvitje. Kjo është arsyeja pse e pyeta Zan Celarin nëse ndihej mirë. Dhe u habita sa mirë e gjuajti”, është shprehur Shaqiri. Në pjesën e dytë, ishte Leo Lerou ai që ekzekutoi goditjen nga këndi i majtë, jo specialisti i goditjeve standarde, Shaqiri. “Ne donim të kishim pak larmi në mënyrë të mos bënim gjithmonë të njëjtën gjë. Loszana ka lojtarë shumë të gjatë, prandaj donim që lojtarë të ndryshëm të merrnin goditjet tona standarde”, shpjegoi trajneri Stefan Lihshteiner. Momentet e vetme të rrezikshme erdhën nga goditjet nga këndi të ekzekutuara nga Shaqiri.

Statistikat me Lihshteniner

Me harkimin e Shaqirit në minutën e 76-të, Celar regjistroi gjuajtjen e parë drejt portës në të gjithë ndeshjen. Nëse slloveni do të shënonte, do të kishte qenë kontributi i tretë nga Shaqiri nën drejtimin e Stefan Lihshteiner në 17 ndeshje. Më parë, nën drejtimin e Ludovik Magnin, Shaqiri kishte 27 gola apo asistime në 32 ndeshje. Në edicionin kur Bazeli doli kampion, nën drejtimin e Fabio Celstinit, futbollisti me përvojë mburrej me një shifër mbresëlënëse për kontributin në 43 gola, me shënime apo asistime, në 39 ndeshje. Shaqiri aktualisht është larg arritjes së statistikave të tilla. Ashtu si i gjithë sulmi i Bazelit, i cili kishte vetëm katër gjuajtje në portë në mbi 180 minuta kundër Servetes dhe Lozanës. Dhe vetëm një gol nga penalltia. Celar e realizoi atë penallti kundër Servetes për të siguruar fitoren. Shaqiri nuk ishte në fushë në atë moment. Ai u zëvendësua pas 68 minutash.

Përplasja me trajnerin

Kundër Lozanës, ai luajti 77 minuta. Një çerek ore më parë, Lihshteiner dhe Shaqiri kishin një shkëmbim të shkurtër fjalësh në stol. Për çfarë bëhej fjalë? “Nuk e kuptova mirë se çfarë donte të thoshte kur më tha diçka më parë. Por është pjesë e futbollit dhe normale që duhet të flasësh, edhe nëse ndonjëherë nuk mund të kuptohemi me njëri-tjetrin në zhurmën gjatë ndeshjes”, tha dy herë fituesi i Ligës së Kampionëve. Dyshja luajti së bashku në krahun e djathtë për disa vjet në ekipin përfaqësues të Zvicrës duke bërë histori. Në “St. Jakob-Park”, Lihshteiner dhe Shaqiri janë aktualisht larg atij niveli. Lihshteiner, është në presion për ndeshjen e së dielës së ardhshme kundër Thunit, pavarësisht se ka kontratë deri në qershor 2029. Kontrata e Shaqirit skadon verën e ardhshme. 35-vjeçari nuk është i shqetësuar për të ardhmen e tij. “Jam shumë i qetë në këtë moment. Kam edhe një vit kontratë dhe jam në kontakt të vazhdueshëm me Bazelin”, shtoi ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here