Shfaqja teatrore “1984”, bazuar në romanin e njohur të George Orwell, ngjitet këtë mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Në bashkëprodhim me teatrin “Migjeni” të Shkodrës, vepra vjen me dramatizim nga Jeton Neziraj dhe regji të Dino Mustafić. Përmes historisë së Uinston Smithit, shfaqja trajton kontrollin e pushtetit, manipulimin e së vërtetës dhe luftën për liri në një shoqëri ku çdo veprim dhe mendim mbikëqyret.
Interpretojnë në role aktorët Ema Andrea, Rafael Hoxhaj, Eva Gjika, Jozef Shiroka, Adriana Tolka dhe Nikolin Ferketa. Shfaqja vijon dhe mbrëmjen e së dielës në skenë, si dhe në datat 2, 3, 4 dhe 6,7, 8 nëntor për publikun. Muzika është nga kompozitori Endri Sina, koreografia Gjergj Prevazi, kostumet Sofi Kara, skenografia Beqo Nanaj, audio vizual Florian Haxhihyseni. Vepra “1984” vjen si një produksion i ri i sezonit artistik 2026-2027 në Teatrin Eksperimental, ku në vijim të tjera shfaqje pritet të jenë në skenë.
George Orwell, pseudonimi i shkrimtarit, gazetarit dhe eseistit anglez Eric Arthur Blair, është një nga autorët më të rëndësishëm të shekullit XX. Ai la pas vepra që vijojnë të lexohen edhe sot, mes tyre “Ferma e kafshëve” dhe “1984”. Në krye të këtij produksioni është Dino Mustafić, një prej regjisorëve të njohur të teatrit, që sjell këtë herë në Tiranë një prej teksteve më të fuqishme të shekullit XX, veprën “1984” të autorit George Orëell. Me këtë produksion, Teatri Eksperimental sjell për publikun një vepër që trajton tema universale si liria, pushteti dhe manipulimi i së vërtetës, të cilat mbeten aktuale edhe në ditët e sotme.










































