Home Bota Dronët ukrainas godasin një objektiv rus çdo 41 sekonda, rekord sulmesh në...

Dronët ukrainas godasin një objektiv rus çdo 41 sekonda, rekord sulmesh në tetor

0
16

Forcat ukrainase me dronë kanë shënuar rezultatet më të larta mujore që nga nisja e pushtimit rus, duke goditur gjatë tetorit mesatarisht një objektiv armik çdo 41 sekonda.

Sipas komandantit të Forcave të Sistemeve pa Pilot, Robert “Magyar” Brovdi, njësitë ukrainase kanë goditur gjithsej 64.807 objektiva. Ai pretendon se 16.796 ushtarë rusë janë vrarë ose nxjerrë jashtë luftimit, mesatarisht 542 në ditë.

Shifra më e lartë ditore u regjistrua më 24 tetor, me 701 ushtarë rusë të raportuar si të vrarë ose të plagosur rëndë. Sipas Brovdit, humbjet e shkaktuara në tetor janë 52,55% më të larta se në gusht dhe 24,71% më të larta se në shtator.

Gjatë muajit, njësitë ukrainase kryen 255.605 misione luftarake, prej të cilave rreth 151.500 ishin operacione sulmuese dhe 104 mijë misione zbulimi. Pjesa më e madhe e humbjeve ruse, rreth 69,5%, u regjistrua në frontet e Dobropillias-Pokrovskut, Oleksandrivkës dhe Huliaipoles.

Komandanti ukrainas sqaroi se të dhënat përfshijnë vetëm rezultatet e njësive të dronëve dhe nuk përfshijnë operacionet e forcave të tjera të mbrojtjes. Sipas tij, rezultatet janë verifikuar përmes sistemit të ndërgjegjësimit operacional Delta.

NO COMMENTS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here