Google search engine
Home Editorial Opinion Socialist, mos e gris teserën!

Socialist, mos e gris teserën!

0
28

Nga Lir Shpotia

I dashur socialist, mos e gris teserën, por gris marrëveshjen me besëprerët që, sipas bindjes tënde, e kanë uzurpuar partinë. Nuk ta ka fajin shtëpia jote politike, as ideali për të cilin ke luftuar ndër vite. Përgjegjësinë duhet ta kërkosh te ata që ke mbështetur për ta drejtuar, por që sot, në emër të Partisë Socialiste dhe të anëtarësisë së saj, po marrin vendime larg njerëzve dhe halleve të tyre. Është ky grupim, me në krye Edi Ramën, që sipas shumë socialistëve të zhgënjyer, po e përdor emrin e partisë për interesa të ngushta politike dhe personale. Ndërkohë, një popull i lodhur nga varfëria, korrupsioni dhe pasiguria vazhdon të dëgjojë premtime për një të ardhme europiane. Por ëndrra europiane, për shumë familje shqiptare, po përjetohet vetëm nga fëmijët e tyre, të cilët largohen si emigrantë drejt vendeve ku Shqipëria duhej të ishte afruar prej dekadash. I dashur socialist, mos e gris teserën, por mendo për organizatën që dikur e krijove dhe e mbajte gjallë si një mekanizëm për të ndryshuar Shqipërinë. Partia Socialiste u ngrit si një forcë e majtë moderne, e ngjashme me simotrat e saj në Europë.

Ajo duhej të ishte parti e njerëzve të lirë, e intelektualëve, e punëtorëve, e të rinjve dhe e meritokracisë. Duhej të ishte një hapësirë ku vullneti i anëtarëve shprehej përmes zgjedhjeve të lira, debatit të hapur dhe konkurrencës së ndershme. A nuk e mban mend se si zhvilloheshin kongreset e partisë? A nuk e mban mend se sa konkurruese ishte ajo për këdo që kishte aspirata politike dhe profesionale? A nuk e kujton se sa shumë intelektualë militonin në Partinë Socialiste dhe sa të rinj mbushnin sallat e sheshet e saj? Në atë kohë, anëtarësia nuk ishte thjesht dekor, as duartrokitje të organizuara. Ajo ishte forca që i jepte kuptim dhe jetë kësaj partie.

Por çfarë ndodhi më pas? Ditën që ju kërkoi besën ju dha si garanci Jola Hysaj, zëdhënësen e partisë demokratike duke ju nxitur të grisni teserat dhe t’ju bëjë të qartë se preferon më mirë ta mbushi këtë parti me jashtëqitjet e PD dhe LSI të cilët duke mos qenë aksionerë të saj ta mbajë dhe përdorë këtë parti jo për qëllimin që ju e krijuat Mirëpo, ata që nuk kanë qenë pjesë e historisë, sakrificave dhe betejave të Partisë Socialiste nuk mund të trajtohen si pronarë të saj dhe as të vendosin për fatin e saj pa llogaridhënie ndaj anëtarësisë. A e mbani mend sa kohë ka kaluar që kur nuk shprehni vullnetin tuaj të lirë për kryetarin e partisë? Si ka mundësi që keni harruar mënyrën se si organizoheshin zgjedhjet dhe kongreset? Si ka mundësi që një parti që dikur debatonte për gjithçka, sot hesht përballë çdo vendimi? Si ka mundësi që anëtarët, delegatët dhe strukturat vendore janë kthyer në spektatorë të një vendimmarrjeje të përqendruar në pak duar? Edi Rama, në një fjalim të gjatë, ju ka thënë se shumë parti në botë janë shkrirë si pasojë e shkëputjes nga populli.

Ai ka pranuar se rreziku i shkëputjes mund t’i kanoset edhe Partisë Socialiste, duke ju akuzuar se nuk takoni njerëzit dhe se nuk merreni sa duhet me hallet e tyre. Këto fjalë duhet t’ju kenë shqetësuar. Por pyetja që lind është kjo: kush e ka larguar partinë nga njerëzit? Anëtarësia, apo drejtimi që ka përqendruar vendimmarrjen dhe ka dobësuar demokracinë e brendshme? Nëse problemi është shkëputja nga populli, atëherë zgjidhja nuk mund të jetë heshtja e anëtarëve. Zgjidhja është rikthimi i debatit, i zgjedhjeve të vërteta dhe i përgjegjësisë politike. Nuk është zgjidhje të grisësh teserën dhe t’ua lësh partinë atyre që e shohin atë vetëm si një mjet pushteti. Zgjidhja është të ngresh kokën, të mos kesh frikë dhe të kërkosh të drejtën tënde brenda partisë që ke ndërtuar dhe mbajtur në ditët më të vështira. Ti je anëtar dhe aksioner politik i asaj partie.

Askush nuk duhet të të përzërë nga një organizatë për të cilën ke punuar, ke sakrifikuar dhe ke kontribuar. Askush nuk duhet ta zëvendësojë vullnetin e socialistëve me vendime të marra në zyrat e një grupi të ngushtë. Partia nuk mund të jetë pronë e Edi Ramës, e një rrethi ministrash, e këshilltarësh apo e individëve të ardhur nga parti të tjera. Ajo u takon socialistëve që e kanë mbajtur gjallë me punë, me sakrifica dhe me përkushtim. Prandaj, socialist, mos e gris teserën. Mos ua bëj dhuratë partinë atyre që duan ta kontrollojnë pa pyetur askënd.

Shko në selinë e Partisë Socialiste, kërko transparencë, kërko zgjedhje të lira, kërko llogaridhënie dhe riktheje debatin në çdo strukturë. Jo me dhunë dhe jo me urrejtje, por me vendosmëri, me organizim dhe me të drejtën që të jep anëtarësia jote. Ka ardhur koha që socialistët të mos jenë më thjesht mbështetës të një kryetari, por zotër të vullnetit të tyre politik. Ka ardhur koha që partia të mos drejtohet nga frika, servilizmi dhe heshtja. Ka ardhur koha që ajo të rikthehet te njerëzit, te idealet e saj dhe te ata që e krijuan. Mos e gris teserën. Grise heshtjen. Grise frikën. Grise marrëveshjen me çdo grup që e ka larguar Partinë Socialiste nga anëtarët dhe nga Shqipëria reale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here