Nga Julia Vrapi
E shkuara, kujtimet dhe të vërtetat e mbetura në heshtje ndërthuren në veprën teatrore “Nëna”, e cila sjell në skenë një rrëfim mbi kujtesën, harresën dhe sekretet familjare. Një histori ku përballen kohë të ndryshme dhe përjetime njerëzore, ndërsa zbulimi i së vërtetës mund të ndryshojë gjithçka.
Vepra teatrore “Nëna”, shkruar nga dramaturgu Ruzhdi Pulaha vjen në skenën e teatrit Metropol në Tiranë me regji nga Milto Kutali dhe interpretimin e një kasti aktorësh të njohur, të cilët përmes roleve të tyre sjellin në skenë personazhe me përjetime dhe histori të ndryshme. Shfaqja vijon në mbrëmjen e 31 tetorit dhe 1 nëntorit në skenën e teatrit, si pjesë e sezonit artistik të vjeshtës.
Në materialin e publikuar nga Teatri Metropol bëhet e ditur se rrëfimi i veprës zhvillohet përmes fotografive dhe kujtimeve, të cilat sjellin në vëmendje ngjarje të së shkuarës dhe i lidhin ato me të tashmen. “Mes fotografive të vjetra, kujtimeve të zbehura dhe regjistrimeve të një jete, e shkuara nis të frymojë, duke nxjerrë nga heshtja histori të pathëna dhe të vërteta të fshehura prej kohësh. Në kufirin mes dy epokave, “Nëna” është një udhëtim mes kujtesës dhe harresës, ku çdo fotografi fsheh një histori dhe çdo rrëfim mund të ndryshojë gjithçka
Por a mund të thuhet gjithmonë e vërteta para se të jetë tepër vonë?”, thuhet në materialin e teatrit. Në rolet e veprës teatrore interpretojnë: Marjeta Ljarja, Yllka Mujo, Klea Konomi, Elia Zaharia, Xhino Musollari, Roerd Toçe dhe Joana Omeraj. Kostumograf Frenci Gjerasi dhe skenograf Beqo Nanaj, muzika Jurgen Muharremi, koreografia është realizuar nga Renard Ahmeti, ndërsa asistent regjisorë janë Klodian Çelmeta dhe Enes Ajazi.
Vepra në skenë
Regjisori Milto Kutali ka një aktivitet të gjerë në skenën teatrore shqiptare, duke vënë në skenë vepra të ndryshme jo vetëm në Tiranë, por edhe në teatro të qyteteve të tjera të vendit, ku këtë sezon ai sjell në teatrin Metropol një vepër teatrore shkruar nga dramaturgu i njohur Ruzhdi Pulaha.
Dramat dhe komeditë e Pulahës janë vënë në skenë jo vetëm në Teatrin Kombëtar, por edhe në Korçë e teatro të tjerë të vendit. Ndërsa këtë sezon artistik në teatrin Metropol vjen në skenë vepra e tij “Nëna”. Shfaqja i shtohet programit të teatrit Metropol për këtë sezon, duke sjellë për publikun e Tiranës një tjetër histori nga dramaturgjia shqiptare dhe duke vijuar traditën e këtij institucioni në prezantimin e veprave teatrore vendase.










































