Google search engine
Home Kulture Piano dhe orkestër simfonike në një koncert që ndërthur repertorin klasik botëror...

Piano dhe orkestër simfonike në një koncert që ndërthur repertorin klasik botëror me krijimtarinë bashkëkohore shqiptare, nën dirigjimin e Ermir Krantjës

0
16

Nga Julia Vrapi

Muzika simfonike dhe virtuoziteti i pianos janë në qendër të një mbrëmjeje koncertore, ku interpretohen vepra nga repertori klasik botëror dhe krijimtaria muzikore shqiptare. Nën drejtimin e dirigjentit Ermir Krantja, Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit sjell një program të larmishëm muzikor. Koncerti do të zhvillohet më 3 nëntor, por Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se vjen një mbrëmje e veçantë, ku virtuoziteti i pianos takohet me fuqinë dhe emocionin e Orkestrës Simfonike.

“Nën drejtimin e dirigjentit Ermir Krantja dhe me pjesëmarrjen e pianistit Amir Xhakoviq, skena e TKOBAP-së do të mirëpresë një program të pasur muzikor, që ndërthur kryeveprat e repertorit klasik me krijimtarinë bashkëkohore shqiptare. Në qendër të mbrëmjes do të jetë premiera botërore e veprës “Concerto Trinitas I, II, III” – koncert për piano dhe orkestër, kompozuar nga Vasil S. Tole dhe interpretuar nga pianisti Amir Xhakoviq”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. TKOB sjell në këtë koncert premierë botërore “Concerto Trinitas I, II, III” veprën e kompozitorit Vasil S. Tole, i cili ka një veprimtari të pasur krijuese.

Ai është dhe fitues i disa prej çmimeve më të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare në krijimtarinë muzikore. Gjithashtu dhe Amir Xhakoviq është një pianist i njohur koncertesh dhe pedagog shqiptar. Ai dallohet në skenën e muzikës klasike për interpretimet e tij virtuoze dhe kontributin në promovimin e repertorit muzikor ballkanik dhe ndërkombëtar. Programi muzikor në këtë koncert që zhvillohet muajin që vjen në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit do të vijojë me uverturën nga opera “Le nozze di Figaro” të Wolfgang Amadeus Mozart dhe uverturë-fantazinë “Romeo & Juliet” të Pyotr Ilyich Tchaikovsky-t

Ky koncert i shtohet kalendarit të jetës muzikore të Tiranës, duke sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit një program që ndërthur repertorin klasik botëror me krijimtarinë muzikore shqiptare. Përmes këtij aktiviteti, publiku kryeqytetas do të ketë mundësinë të ndjekë një tjetër mbrëmje kushtuar muzikës.

Dirigjenti Ermir Krantja, karrierë dhe kontribut në muzikën shqiptare

Dirigjenti Ermir Krantja është një nga emrat e njohur të muzikës shqiptare, me një karrierë të gjatë artistike dhe dhjetëra koncerte të drejtuara brenda dhe jashtë vendit, ku ka marrë vlerësime për veprimtarinë e tij. Ai ka një përvojë të gjerë në drejtimin e orkestrave simfonike, si në Shqipëri, ashtu edhe në skena të ndryshme ndërkombëtare.

Përmes kontributit të tij ndër vite, Krantja ka dhënë një ndihmesë të rëndësishme në zhvillimin dhe promovimin e muzikës shqiptare. Në vlerësim të këtij kontributi të çmuar në jetën muzikore dhe artistike të vendit, ai është nderuar me titullin “Nderi i Kombit”.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here