Google search engine
Home Sport Nevil Dede, tekniku i Egnatias që riktheu skuadrën në vend të parë...

Nevil Dede, tekniku i Egnatias që riktheu skuadrën në vend të parë dhe mori dy rezultate pozitive në Europë

0
12

Trajneri i Egnatias, Nevil Dede, u shpall trajneri më i mirë i muajit tetor në Superiore. Ditët e fundit mori tri fitore e konkretisht ndaj Laçit, Vllaznisë dhe Teutës. Këto rezultate i mundësuan Egnatias të grumbullojë 9 pikë dhe të ngjitet në vendin e parë të renditjes, me 21 pikë pas 9 javëve të para. Trofeun e trajnerit më të mirë të muajit tetor, Nevil Dedes ia dorëzoi trajneri i Kombëtares U-19, Fatjon Tafaj.

Pas marrjes së çmimit, në një prononcim për fshf.org, trajneri i Egnatias u shpreh mirënjohës për këtë vlerësim, duke ia dedikuar arritjen futbollistëve dhe klubit për mbështetjen e bashkëpunimin. Duke folur për ecurinë e kampionatit, trajneri theksoi konkurrencën dhe nivelin e këtij edicioni, ndërsa u shpreh se pret një garë të luftuar deri në fund. Dede foli edhe për aventurën europiane të skuadrës në UEFA Conference League, duke vlerësuar paraqitjet e futbollistëve dhe mënyrën se si Egnatia po përballet me kundërshtarët në arenën ndërkombëtare.

Kampionat i fort

Trajneri Dede e cilësoi edicionin aktual në Superiore mjaft të fortë dhe me rivalitet. “Kampionati është shumë i luftuar dhe shumë i fortë sivjet. Me shumë vështirësi arritëm të kthehemi aty ku ne pretendojmë që na takon. Mos të harrojmë që kemi edhe kundërshtarë të fortë, si Teuta, Dinamo, por edhe të tjerët që nuk janë “ndezur” akoma. Besoj që “Abissnet Superiore” do të jetë një kampionat i luftuar dhe tifozët sivjet do të shijojnë një futboll të bukur dhe të kënaqshëm për nivelin tonë”, nënvizoi ai.

Vlerësimi si trajneri i muajit tetor

Vetë trajneri Dede komentoi edhe çmimin që mori si tekniku më i mirë i muajit tetor. “Është nder dhe jam shumë mirënjohës për vlerësimin që marr si trajneri i muajit. Mirënjohje për futbollistët tanë, për përkushtimin dhe punën e palodhur çdo ditë, si në ndeshje, ashtu edhe në stërvitje, që bëjnë të mundur që ne të jemi këtu ku po shkojmë dhe po ecim.

Merita është vetëm e atyre. Gjithashtu, vlerësim maksimal për klubin Egnatia, për mbështetjen që japin dhe për bashkëpunimin e frytshëm që po bëjmë. Shpresojmë që të jemi në këtë ritëm dhe pozitivitet, jo vetëm rezultatesh, por sidomos të lojës dhe të mundohemi të mos na ndodhin dëmtime si ai i Sotës dje, për të cilin me keqardhje uroj shërim sa më të shpejtë”, shtoi ai.

Paraqitja në Ligën e Konferencës

Trajneri i Egnatias, Nevil Dede, nuk përtoi të komentojë edhe paraqitjen e rrogozhinasve në Ligën e Konferencës, ku në dy ndeshjet e para ka marrë dy barazime, rezultate këto pozitive për skuadrat shqiptare. “Të jem i sinqertë, bashkë me djemtë po e shijojmë këtë moment. Besoj që edhe shqiptarët, kush e do futbollin, po e shijojnë. Në momentin e parë arritëm atë objektiv që kishim, pra grupet e Conference League.

Tani po marrim pikë, por përpos pikëve, ajo që mua më kënaq është që ne luajmë futboll përballë çdo kundërshtari, në çdo stadium të Europës ku ne shkojmë. Unë jam shumë krenar për djemtë dhe për futbollin që ata po mundohen të bëjnë bashkë me mua. Shpresojmë që të vazhdojmë të përmirësohemi çdo ditë. Motoja jonë është: versioni ynë më i mirë, çdo ditë dhe çdo ndeshje”, përfundoi Dede.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here