Home Kulture Porto Palermo Festival sjell një tjetër udhëtim artistik mes folklorit shqiptar

Porto Palermo Festival sjell një tjetër udhëtim artistik mes folklorit shqiptar

0
20

Nga Julia Vrapi

Muzika bashkon tradita, kultura dhe emocione në edicionin e gjashtë të Porto Palermo Festival. Artistët në festival do të sjellin një program të pasur me folklorin shqiptar, traditën arbëreshe, ritmet botërore, jazz-in dhe muzikën klasike. I ideuar nga violinisti i njohur Olen Cesari, festivali rikthehet edhe këtë vit në Kalanë e Porto Palermos, si një nga aktivitetet muzikore që i bashkohet jetës artistike këtë sezon veror. Java e parë e festivalit sjell një mozaik tingujsh dhe kulturash, nga pasuria e folklorit shqiptar, te tradita arbëreshe e Pierpaolo Pettës, ritmet e muzikës kubane  me Shama Milan dhe eleganca e muzikës klasike  me Olen Cesarin.

“Katër net që lidhin brigje, histori dhe emocione. Katër takime me muzikën në një nga skenat më të veçanta të Mesdheut”, thuhet në materialin rreth festivalit. Edicioni i 6-të i Porto Palermo Festival hapet këtë mbrëmje, ku Ansambli Folklorik Shqiptar ngjitet në skenën e Kalasë së Porto Palermos, duke sjellë përmes këngës, valles dhe kostumeve tradicionale pasurinë e trashëgimisë sonë kulturore.

Ndërsa në 31 korrik Pierpaolo Petta sjell një mbrëmje ku historia, kujtesa dhe muzika ndërthuren në një rrëfim artistik. Në vijim të programit artistik, ritmet e Kubës mbërrijnë mbrëmjen e 1 gushtit në Porto Palermo Festival, ku Shama Milan ngjitet në skenën e kalasë me një koncert. Violinisti Olen Cesari rikthehet me një mbrëmje klasike në Porto Palermo Festival, duke sjellë në 2 gusht një performancë ku eleganca e muzikës klasike takohet me energjinë e improvizimit.

Programi artistik në vijim të festivalit

Festivali vijon rrugëtimin e tij artistik me një program të pasur me emra të njohur të muzikës shqiptare, por dhe të huaj. Java e dytë e festivalit sjell katër mbrëmje që udhëtojnë mes traditës shqiptare, interpretimit artistik dhe tingujve bashkëkohorë. Kastriot Tusha, Ardian Trebicka, Eranda Libohova, Anxhela Peristeri dhe universi jazz i Elina Dunit do të jenë në këto katër mbrëmje koncertore.

Në materialin rreth festivalit, thuhet se janë katër net që i japin zë emocioneve, kujtesës dhe bukurisë së muzikës shqiptare. Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka do të jenë në skenën e Porto Palermo Festival më 6 gusht, ndërsa këngëtarja Eranda Libohova do të ngjitet në skenën e Kalasë së Porto Palermos më 7 gusht për një mbrëmje të mbushur me emocion, elegancë dhe këngët që kanë shoqëruar breza të tërë.

Në vijim të programit artistik, më 8 gusht në skenë do të jetë këngëtarja Anxhela Peristeri që do të sjellë hitet që kanë shoqëruar publikun ndër vite, ndërsa më 9 gusht, Elina Duni dhe Rob Luft ngjiten në skenën e Porto Palermo Festival me një koncert që ndërthur traditën me tingujt bashkëkohorë.  Festivali do të sjellë në skenë dhe të tjerë artistë të njohur, më 13 gusht është Poni, një ditë më pas programi artistik vijon me Aulon Naçin, në 15 gusht Dren Abazi dhe 16 gusht Olen Cesari & Deejay’s Night. Porto Palermo Festival vijon të sjellë gjatë verës mbrëmje muzikore që bashkojnë traditën, kulturat dhe interpretimet artistike, me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

NO COMMENTS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here