Një hartë e vitit 1655, pjesë e koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, na kujton se rrëfimi i Odisesë së Homerit nuk ka jetuar vetëm në letërsi, por është kërkuar, imagjinuar dhe vendosur edhe mbi hartat e botës. Biblioteka Kombëtare shprehet se përpara se Christopher Nolan ta rikthente Odisenë në vëmendjen e botës, njerëzimi e kërkonte prej shekujsh në harta. “Mes debateve dhe pritshmërive mbi adaptimin më të ri kinematografik të Odisesë së Homerit, kjo hartë e vitit 1655, pjesë e koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë , na kujton se miti nuk ka jetuar vetëm në letërsi.
Ai është kërkuar, imagjinuar dhe vendosur edhe mbi hartat e botës. Në këtë Mesdhe të shekullit XVII, brigjet e Evropës takohen me ato të Azisë së Vogël dhe, mes emrave të vendeve, dallojmë Trojën dhe Itakën (Val Compare). Është një botë ku historia dhe imagjinata bashkëjetojnë, duke dëshmuar përpjekjen e njeriut për t’i dhënë një vend gjeografik rrëfimeve që kanë sfiduar kohën. Në këto dete kanë lundruar krijesat e jashtëzakonshme të botës homerike: Sirenat me këngët e tyre joshëse, Ciklopi Polifem në shpellën e tij të errët, Kalipsoja në ishullin ku mbajti Odiseun për vite, si edhe ishujt ku perënditë, përbindëshat dhe njerëzit bashkëndanin të njëjtin horizont”, thuhet në postimin e Bibliotekës Kombëtare, që ka ndarë në faqen e saj dhe hartën e rrallë.
Në vijim biblioteka shprehet se edhe sot, studiuesit nuk janë njëzëri nëse përshkrimet gjeografike të Homerit përkojnë me vende reale apo i përkasin kryesisht botës së mitit. Megjithatë, kjo nuk e zbeh magjinë e rrëfimit. “Përkundrazi, na fton të imagjinojmë se Troja, Itaka dhe udhëtimi i Odiseut mund të kenë qenë shumë më pranë nesh sesa mendojmë, në brigjet e këtij Mesdheu që vazhdon të ushqejë kujtesën, historinë dhe legjendën…”, thuhet nga Biblioteka Kombëtare. Herë pas here Biblioteka Kombëtare sjell në vëmendje materiale të rralla që i përkasin koleksioneve të saj.






































