Google search engine
Home Kulture “Gjendje” në telajo, Vladimir Llakaj: Jetojmë në një situatë problematike, kjo gjë...

“Gjendje” në telajo, Vladimir Llakaj: Jetojmë në një situatë problematike, kjo gjë më ka prekur dhe jam munduar ta pasqyroj në pikturë

0
16

Ndryshimet që po përjeton shoqëria, gjendjet emocionale dhe ndikimi i tyre te individi përbëjnë një pjesë të tematikave të trajtuara në punimet e artistit Vladimir Llakaj. Përmes ngjyrave dhe figurave që ndërthurin elemente abstrakte me ato realiste, piktori sjell në vëmendje përjetime dhe situata që lidhen me njeriun dhe realitetin ku ai jeton. Në galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve në Tiranë u hap në mbrëmjen e 6 nëntorit ekspozita personale “Gjendje” e artistit të njohur Vladimir Llakaj, me kurator kritikun dhe historianin italian të artit Francesco Poli. Kjo ekspozitë vjen si një tjetër prezantim i krijimtarisë së artistit për publikun kryeqytetas.

Lidhur me frymëzimin dhe mesazhin që përcjell përmes punimeve të tij, Llakaj thotë se situata aktuale në botë dhe ndryshimet e vazhdueshme të mentaliteteve janë bërë pjesë e reflektimit të tij artistik. “Ne jetojmë vërtet në një situatë pak të veçantë, pak problematike. E gjithë bota, siç duket po ndryshon mentalitetet dhe çdo gjë, dhe mua kjo gjë më ka prekur dhe unë jam munduar që ta transferoj në pikturë”, shprehet Llakaj në një reagim të tij. Përmes veprave të ekspozuara, artisti i lë hapësirë edhe interpretimit të publikut, duke e ftuar atë të ndalet te figurat dhe emocionet që përcjellin punimet e prezantuara në ekspozitë.  Ekspozita “Gjendje” do të qëndrojë e hapur në galerinë FAB deri më 16 nëntor 2026.

Ekspozita mbledh artistë dhe artdashës

Me këtë ekspozitë, galeria FAB pasuron kalendarin e saj artistik, duke sjellë për publikun krijimtarinë e një prej artistëve me një kontribut të spikatur në artet pamore. Ekspozita në galerinë FAB u hap me praninë e artistit VladImir Llakaj, kuratorit dhe historianit italian të artit Francesco Poli, profesorëve të Universitetit të Arteve, artdashësve e më gjerë. Gjatë mbrëmjes së hapjes së ekspozitës “Gjendje”, të pranishmit vlerësuan krijimtarinë e Vladimir Llakajt, duke u ndalur te veçoritë e punimeve të tij dhe mënyra se si artisti përcjell përmes pikturës emocionet, përjetimet njerëzore dhe reflektimet mbi realitetin e sotëm.

Me një aktivitet artistik të shtrirë në disa dekada, Vladimir Llakaj ka prezantuar krijimtarinë e tij në ekspozita personale dhe kolektive, brenda dhe jashtë vendit. Krahas punës si pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë, ai ka realizuar vepra në skulpturë dhe pikturë, duke trajtuar tema të ndryshme që lidhen me individin, shoqërinë dhe historinë. Në krijimtarinë e tij përfshihen edhe vepra monumentale të vendosura në hapësira publike, ndërsa pjesëmarrja në konkurse dhe ekspozita ndërkombëtare e ka bërë pjesë të aktiviteteve artistike edhe jashtë Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here