Përfaqësuesja e Finlandës udhëton drejt Tiranës për ndeshjen vendimtare ndaj Shqipërisë në Ligën e Kombeve me idenë e qartë se për të është një finale e mirëfilltë. Nëse fiton ndaj kuqezinjve, ajo ka të garantuar një nga dy vendet e para në grup, ndaj për të ndeshja e të enjtes në “Air Albania” është ajo ku vendoset fati i edicionit në Ligën e Kombeve, meqë më pas pret San Marinon në shtëpi. Trajneri Jakob Fris ka grumbulluar 25 lojtarë për këto ndeshje. Debutues është mesfushori i Magdeburg, Luka Hyrylainen.
Ndërkohë, qendërmbrojtësi Robert Ivanov dhe mesfushori Fredrik Jensen kthehen në ekip pas një kohe të gjatë. Oliver Antman i Anderlehtit dhe Natak Skyta i Kaizerslauternit kthehen në ekip, pasi munguan në grumbullimin e kaluar për shkak dëmtimesh. Ndërkohë, UEFA ka caktuar një gjyqtar me shumë eksperiencë për ndeshjen kyçe të Grupit C1 në Ligën e Kombeve, atë mes Shqipërisë dhe Finlandës në “Air Albania”.
Portugezi Zhoao Pedro da Silva Pinjeiro është caktuar që të drejtojë këtë sfidë e cila mund të jetë përcaktuese për fatin e grupit. Bëhet fjalë për një nga emrat më të njohur në Europë, që ka drejtuar ndeshje të niveleve më të larta në kompeticionet ndërkombëtare si dhe ishte nja nga emrat që drejtoi në Botërorin 2026.
Pikërisht në atë turne, ai u bë viral me momentin kur në ndeshjen mes Argjentinës dhe Zvicrës, Lionel Mesi iu drejtua atij kërcënueshëm me fjalët “Trego respekt ndaj meje!”, pas një shkëmbimi që kishin pasur të dy. Lusiano Antonio Gomes Maia dhe Hugo Manuel Freire Markes janë asistentët e tij me Zhoao Antonio Ferreira Gonçalves si të katërt. Edhe në VAR janë gjyqtarë portugezë me Tiago Bruno Lopes Martins si kryesor dhe Bruno Aleksandre da Silva Esteves në AVAR.









































