Reali i Madridit nën drejtimin e Hoze Murinjos ka bërë progres të ndjeshëm në mbrojtje, por edhe taktikisht, gjë që e shprehin rezultatet. Në fakt, “AS” thotë se ky transformim erdhi pasi Murinjo u kishte dhënë një mesazh të qartë futbollistëve të tij: “Nuk do të fitojmë tituj nëse nuk i mbajmë portat e paprekura. Nuk bëhet fjalë vetëm për shënimin e golave”. Ky ndryshim vjen pas një fillimi të vështirë të sezonit dhe dëshmon se vendimi i Murinjos për ta përforcuar mesfushën ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në përmirësimin e mbrojtjes. Në veçanti, përmbysja ndaj Romës dhe fitorja kundër Barcelonës në “El Clasico” e bindën portugezin të aplikonte një sistem të ndërtuar rreth fuqisë fizike të Aurelien Tçuamenit dhe Bernardo Silvas, duke i dhënë këtij të fundit mundësinë të luajë përkrah Arda Gylerit.
Një nga treguesit më të qartë të përmirësimit të Real Madridit është zvogëlimi i rasteve që po u lejohen kundërshtarëve. Në ndeshjen ndaj Valencias, Thibaut Kurtuas u përball me vetëm dy goditje në kuadrat, ndërsa Racing Santander arriti të regjistrojë vetëm një të tillë. Për krahasim, Barcelona kishte regjistruar gjashtë goditje në kuadrat gjatë “El Clasicos”, ndeshje në të cilën Reali pati më pak posedim të topit, por megjithatë arriti të fitonte. Skuadra e Murinjos ka regjistruar gjithashtu tri ndeshje pa pësuar gol në pesë takimet e fundit të La Ligës, kundër Vilarealit, Racing Santanderit dhe Valencias.
Ky është një përmirësim i dukshëm krahasuar me periudhën para pushimit të kaluar të kombëtareve, në shtator dhe tetor, kur madrilenët kishin arritur të mbanin portën e paprekur vetëm në një nga tetë ndeshjet në të gjitha garat. Sipas mediumit në fjalë, një rol të rëndësishëm në përmirësimin difensiv ka luajtur edhe posedimi i topit. Në ndeshjen kundër Valencias, Real Madridi pati 70 për qind të posedimit, shifra më e lartë e skuadrës gjatë këtij sezoni në atë kohë. Në vend që të mbështetet vetëm te mbrojtësit për t’i ndalur sulmet kundërshtare, skuadra e Murinjos po mundohet t’ua kufizojë rivalëve mundësitë për të krijuar rrezik.
Ndërkohë, ndryshimet taktike kanë ndikuar pozitivisht edhe në aftësinë e Real Madridit për ta rikuperuar topin. Në ndeshjen ndaj Racing Santanderit, skuadra regjistroi 19 ndërprerje të pasimeve të kundërshtarit, shifra më e lartë e saj këtë sezon. Gjithashtu, Reali kryeson La Ligën për përqindjen e dueleve të fituara, me 57.1 %. Këto statistika dëshmojnë se përmirësimi i Real Madridit është i dukshëm.









































