Mungesa e transparencës për fondet e investuara, dyshimet mbi rezultatet e projekteve dhe mënyra se si po menaxhohet trashëgimia kulturore e Bylisit kanë ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e këtij qyteti antik. Shqetësimet lidhen veçanërisht me fondet e investuara nga Bashkimi Europian për parkun arkeologjik të Bylisit dhe projektin e ri për ndërtimin e një qendre multifunksionale. Për këtë çështje ka reaguar studiuesi Auron Tare, i cili ngre një sërë pyetjesh mbi mënyrën se si janë shpenzuar paratë dhe çfarë është realizuar konkretisht në Bylis.
Ai kërkon sqarime mbi mënyrën se si janë shpenzuar fondet dhe çfarë është bërë konkretisht për restaurimin, konservimin dhe mirëmbajtjen e monumenteve antike. Në një reagim në rrjetet sociale, Tare vë në pikëpyetje nëse këto projekte shoqërohen me një debat të mirëfilltë profesional dhe konsultimin e specialistëve. Sipas tij, vendimmarrja duhet të mbështetet në mendimin e specialistëve të trashëgimisë kulturore, arkitektëve dhe ekspertëve të fushave të tjera përkatëse. Tare ngre gjithashtu pikëpyetje mbi ndikimin që qendrat multifunksionale mund të kenë në peizazhin arkeologjik, autenticitetin e monumenteve dhe përvojën e vizitorëve. Ai kërkon që përpara promovimit të ndërtimeve të reja të sqarohet se çfarë është bërë për vetë qytetin antik dhe si do të garantohet mbrojtja e tij në të ardhmen. Me këtë reagim, Auron Tare kërkon më shumë transparencë dhe vëmendje për vlerat historike të Bylisit, duke theksuar se prioritet duhet të jetë ruajtja dhe mirëmbajtja e qytetit antik, përpara projekteve të reja ndërtimore.
Reagimi i plotë i studiuesit Auron Tare:
Disa vite më parë, së bashku me profesor Cekën, pata rastin të përfshihem në një debat publik me polemistin e njohur italian Vittorio Sgarbi, mbi përkatësinë kulturore të qytetit antik të Bylisit. Ishte një debat që ngjalli interes të konsiderueshëm te publiku shqiptar, një pjesë e të cilit, deri atëherë, nuk e kishte zbuluar këtë qytet në gjithë madhështinë e tij historike dhe kulturore. Më vonë, profesori më ftoi në një konsultim publik për planin e menaxhimit të Bylisit. Salla ishte e mbushur me nëpunës, përfaqësues administrate dhe disa zyrtarë të Bashkisë së Ballshit. Unë zura vend në rreshtat e fundit, nga ku, siç dihet, shpesh shihet më mirë ajo që ndodh në rreshtat e parë. Prezantimi drejtohej nga disa ekspertë italianë, ( megjithëse prof. Ceka që e ka zbuluar dhe studiuar këtë sit arkeologjik ishte aty). Italianet që flisnin me lartësinë intelektuale që të japin paratë e taksave europiane ishin pjesë e një projekti me vlerë rreth 6.5 milionë euro.
Nga ajo mbledhje më kanë mbetur në kujtesë disa hollësi. Cilësia tejet amatore e planit të menaxhimit. Heshtja thuajse ceremoniale e përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës. Qëndrimi arrogant i një drejtoreshe italiane, e cila dukej se i konsideronte pyetjet e gazetarëve shqiptarë një bezdi të panevojshme. Dhe, mbi të gjitha, habia e një zonje që rrinte pranë meje. Më vonë mësova se ishte një përfaqësuese e lartë e Bashkisë, në territorin e së cilës ndodhet vetë qyteti antik. Nuk e di nëse zonja ishte e habitur nga projekti që nuk e kishte dëgjuar ndonjë herë, apo nga shuma e parave që ishin shpenzoheshin në emër të Bylisit.
Unë, ndërkaq, kisha arsye të mendoja se 6.5 milionë eurot e Bashkimit Europian do t’i sillnin më në fund Bylisit vëmendjen që meritonte. Një qytet i kësaj madhështie, me historinë, monumentet dhe mozaikët e tij, do të kishte, me siguri, një të ardhme më të mirë. Por jeta ka një mënyrë të veçantë për të korrigjuar optimizmin e njerëzve.
Kanë kaluar gati pesë vjet. Dhe sot, pashë një postim të kryeministrit të republikës, i cili tregonte se në Bylis kishte filluar ndërtimi i një qendre multifunksionale. Kurioz mbi këtë mrekulli të re, do të ishte mirë të dinim nga postimi i të parit të republikës se çfarë ndodhi me mrekullinë e vjetër prej 6.5 milionë eurosh? Çfarë u bë me ato para? Cilat ishin rezultatet? Çfarë u restaurua, çfarë u konservua, çfarë u zbulua dhe çfarë u përmirësua në jetën e këtij qyteti antik? Sepse, nëse gjykojmë nga ajo që kemi parë deri më sot, rrezikojmë të nxjerrim përfundimin se projekti europian ka qenë një ushtrim i kushtueshëm në artin e hartimit të projekteve pa asnjë vlerë për qytetin.
Qendër multifunksionale! Kjo shprehje, që ka fituar një popullaritet të admirueshëm në fjalorin e administratës sonë, duket se po bëhet zgjidhja universale për çdo problem të trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Mjafton të kesh një monument, një kanion, një gur të madh apo një pamje të bukur dhe, herët a vonë, dikush do të propozojë një qendër multifunksionale. Mundësisht me restorant brenda. I kemi parë tashmë këto struktura në Kanionin e Langaricës, pranë Gurit të Përmetit, në objektin e ri Muzeal në Sarandë, ndërsa një tjetër projekt i ngjashëm diskutohet për Butrintin.
Nuk kam asgjë kundër restoranteve (edhe brenda qendrave multifunksionale). Përkundrazi, jam i mendimit se një vizitor që ka udhëtuar disa orë për të parë një monument ka të drejtë të pijë një kafe të mirë, të hajë diçka dhe të gjejë një shërbim dinjitoz. Por nga kjo dëshirë krejt e arsyeshme deri te ideja se çdo monument duhet pajisur me një qendër multifunksionale ka një largësi që nuk mund të kapërcehet me një projekt arkitektonik.
Nuk është e thënë që çdo vend historik të ketë restorantin e vet, ashtu siç nuk është e thënë që çdo restorant të ketë një monument për dekor. ( siç po kthehen pjesa më e mirë e kalave tona)
Problemi nuk është ekzistenca e këtyre qendrave. Problemi është filozofia që qëndron pas tyre. A janë ato rezultat i një studimi të mirëfilltë mbi nevojat e secilit monument, apo kemi të bëjmë me një formulë të gatshme, e cila udhëton nga një sit arkeologjik te tjetri, pa u shqetësuar shumë për ndryshimet që ekzistojnë midis tyre?
Bylisi nuk është një pikë panoramike ku vizitori ndalet për të bërë një fotografi dhe për të porositur një drekë. Është një nga qytetet më të rëndësishme të antikitetit në territorin shqiptar. Në këtë kuptim, përpara se të na tregojnë se ku do të vendoset restoranti, do të ishte mirë të na shpjegonin se çfarë do të bëhet me vetë Bylisin. Ndërkohë që lexon postimin në fjalë lindin disa pyetje, të cilat ndoshta nuk janë aq festive sa postimet inauguruese, por janë shumë më të rëndësishme. E para, ku përfunduan 6.5 milionë eurot e projektit të BE-së? Cilat punime u realizuan? Kush i mbikëqyri? Cilat ishin rezultatet konkrete? A ka një raport publik për shpenzimin e tyre? E dyta, sa do të kushtojë qendra multifunksionale? E treta, sa para janë parashikuar për restaurimin dhe konservimin e monumenteve, për mbrojtjen e mozaikëve, për kërkimet arkeologjike dhe për mirëmbajtjen e rrënojave? Apo këto çështje do të mbeten sërish për një projekt të ardhshëm, me një tjetër fond europian dhe një tjetër prezantim në një sallë të mbushur me nëpunës?
Dhe, së fundi, një pyetje për komunitetin e specialistëve të trashëgimisë kulturore. A ka sot një debat profesional mbi këtë modë të re të qendrave multifunksionale? A janë studiuar ndikimet e tyre mbi peizazhin arkeologjik, autenticitetin e monumenteve dhe përvojën e vizitorit? A janë konsultuar arkeologët, konservatorët, arkitektët dhe specialistët e menaxhimit të trashëgimisë, apo vendimi merret diku tjetër dhe ekspertët ftohen më pas për të dhënë bekimin shkencor? Do të ishte mirë të dëgjonim përgjigje nga njerëzit që i dedikuan jetën e tyre këtij qyteti antik në veçanti si prof.. Neritan Ceka, prof. Skënder Muça e të tjerë.
Në fund të fundit, Bylisi nuk ka nevojë të bëhet më multifunksional. Ka nevojë të bëhet më i njohur, më i studiuar, më i mbrojtur dhe më mirë i administruar. Sepse një qytet antik nuk është një truall bosh ku mund të vendosim ndërtesat që na pëlqejnë. Është një dëshmi e historisë, të cilën kemi për detyrë t’ua përcjellim brezave. Dhe, nëse pas gjashtë milionë e gjysmë eurove përgjigjja jonë për Bylisin është një tjetër qendër multifunksionale, atëherë ndoshta duhet të pyesim veten nëse po menaxhojmë trashëgiminë kulturore apo thjesht po menaxhojmë projektet që ndërtohen në emër të saj.











































