Google search engine
Home Kulture Ngjarjet në Tiranë ndryshojnë kalendarin kulturor, Teatri i Operës dhe Baletit shtyn...

Ngjarjet në Tiranë ndryshojnë kalendarin kulturor, Teatri i Operës dhe Baletit shtyn shfaqjet dhe Teatri Eksperimental anulon “1984”

0
25

Zhvillimet e ditëve të fundit në Tiranë kanë sjellë ndryshime në kalendarin e aktiviteteve artistike dhe kulturore, me disa shfaqje dhe koncerte që janë shtyrë ose anuluar. Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, si dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, kanë njoftuar publikun për ndryshimet në program, duke dhënë informacion edhe për vlefshmërinë e biletave të blera. Një ditë më parë, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor njoftoi artdashësit se shfaqjet e planifikuara për këtë javë, në këtë institucion do të shtyhen për një moment të dytë. “Të gjitha biletat e siguruara do të vijojnë të jenë të vlefshme për datat e reja”, shkruhet në faqen e TKOBAP.

Nga aktivitetet që shtyhen janë koncerti për orkestër harqesh dhe kor “Nova ensemble” apo dhe baleti kontemporan “Soul Chain”. Tetori nisi në TKOB me  shfaqjen e baletit “Neighbours- From Motherland” që solli në skenë një rrëfim për rrënjët, identitetin dhe përkatësinë, përmes gjuhës së kërcimit. Vepra, me koreografi dhe krijim të Brigel Gjokës dhe Rauf “RubberLegz” Yasit, bashkon trupin, lëvizjen dhe emocionin në një gjuhë universale, duke sjellë një takim të veçantë mes artistëve dhe dy skenave shqiptare.

 E prezantuar në kuadër të “International Dance Festival of Tirana”, shfaqja  erdhi premierë si një bashkëprodhim mes Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Baletit Kombëtar të Kosovës. Pas këtij baleti programi vijoi me të tjera shfaqje dhe koncerte, ndërsa për shkak të situatës dhe protestave që vijojnë në Tiranë një ditë më parë TKOB bëri me dije se shfaqjet do të shtyhen për një moment të dytë.

Anulim i veprës së Orwell

“1984”, vepra e njohur e George Orwell u anuluar nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” te “ArTurbina”. Teatri njoftoi se anulimi i shfaqjes teatrore është për shkak të situatës këtë kohë në Tiranë. “Për shkak të situatës, shfaqja “1984” e planifikuar për datë 17 tetor anulohet. Të gjitha biletat e blera për këtë datë do të rimbursohen ose do të jenë të vlefshme për një ditë tjetër”, thuhet nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Shfaqja “1984” është pjesë e programit artistik të këtij teatri, në bashkëprodhim me teatrin “Migjeni” në Shkodër. Vepra vjen me regji të Dino Mustafić dhe dramatizim të Jeton Nezirajt.

 Disa ditë më parë edhe Teatri Metropol njoftoi anulimin e premierës “Sikur të isha djalë”, me regji të Dritan Boriçit e planifikuar për datat 15 dhe 16 tetor deri në një njoftim të dytë. Ndërkohë dhe Teatri i Kukullave anuloi shfaqjet, gjithashtu dhe Orkestra Simfonike e RTSH-së dhe Cirku Kombëtar njoftuan anulimin e aktiviteteve të planifikuara.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here