Pas mbledhjes së zhvilluar këtë të mërkurë, Këshilli i Ministrave miratoi paketën e re ligjore anti-dhunë, prezantuar pak ditë më parë nga kryeministri Edi Rama.
Bëhet fjalë për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.4.2001, “Për tubimet”.
Ligji përcakton Kufizimet e përkohshme rreth objekteve të përcaktuara, ku zona të mbrojtura janë:
a) stacionet, terminalet dhe mjetet e transportit publik, portet dhe aeroportet;
b) perimetri rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe objekteve të trashëgimisë kulturore;
c) zonat e tjera të përcaktuara me vendim të këshillit bashkiak të botuar dhe të shënuara në terren, kur atje janë dokumentuar vepra të përsëritura kundër personit ose pronës.
“Kur nëpërmjet rrjeteve sociale, postës elektronike dhe/ose komunikimeve telefonike, përcillen, publikohen ose shpërndahen mesazhe, që përmbajnë thirrje për dhunë, në kuadër të organizimit ose zhvillimit të një tubimi, Policia e Shtetit, kërkon fshirjen e përmbajtjes, si dhe mospërsëritjen e veprimeve të tilla, duke e vënë në dijeni se ato përbëjnë shkelje të legjislacionit në fuqi”,-theksohet në vendim.
Gjithashtu kanë ndryshuar dhe masat për kundërvajtje administrative ku dënimet fillojnë nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë.








































