Google search engine
Home Opinion Intervista Adrian Devolli: IKTK ka vetëm emrin, mungojnë specialistët si dikur, afresket po...

Adrian Devolli: IKTK ka vetëm emrin, mungojnë specialistët si dikur, afresket po bien, Gonxhja nuk dëgjon ekspertët e trashëgimisë

0
28

Mbrojtja e trashëgimisë kulturore në Shqipëri vijon të ngrejë shqetësime. Monumentet e kulturës, banesat historike, kishat dhe afresket përballen me problematika të shumta, ndërsa mënyra se si po ruhen dhe restaurohen këto pasuri ka sjellë kritika nga specialistët e fushës. Piktori dhe restauratori Adrian Devolli, i cili ka punuar vite më parë në Institutin e Monumenteve të Kulturës, në një intervistë për gazetën “SOT” shprehet se situata e trashëgimisë kulturore kërkon më shumë vëmendje dhe ekspertizë profesionale.

Duke folur për punën e institucioneve përgjegjëse dhe ministrinë e drejtuar nga Blendi Gonxhja, Devolli ngre shqetësime për mënyrën se si po mbrohen dhe restaurohen monumentet e kulturës. Devolli thekson se dobësimi i rolit të specialistëve dhe mungesa e një pune të mirëfilltë profesionale po ndikojnë në mbrojtjen e trashëgimisë, ndërsa në disa raste ndërhyrjet po bëhen tepër vonë ose pa respektuar parimet shkencore të restaurimit.

Piktori Adrian Devolli ka qenë restaurator pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës nga viti 1979 deri më 1987. Nga viti 1987 deri më 1991, ka punuar pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, ku është marrë me restaurimin e shumë veprave.

-Ju keni punuar vite më parë në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Çfarë kishte dikur ai institut që mendoni se Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore nuk e ka më sot?

Dikur Instituti i Monumenteve të Kulturës përbëhej nga njerëz shumë të ditur, njerëz që kishin një pasion të jashtëzakonshëm për punën dhe që punonin pa orar. Përmend këtu Emin Rizën, Pirro Thomon, Valter Shtyllën, Sulejman Dashin, Mustafa Arapin, etj. Instituti i Monumenteve të Kulturës ishte qendra në Tiranë, dhe degët në Shkodër, në Peshkopi, në Berat shumë e madhe, në Gjirokastër shumë e madhe, në Vlorë, në Sarandë, që mbulonin zonat e Shqipërisë.

Në këto degë kishin drejtues, inxhinierë dhe punonjës. Projektet bëheshin kryesisht në Institut, në Tiranë, dhe ishin të ndara në sektorë. Ishte sektori i banesave popullore, ku bëheshin studimet për këto banesa dhe bëheshin projektet për restaurimin e tyre. Ishte sektori për artin figurativ, ku bëheshin studimet, analizat dhe e gjithë gjendja e afreskeve, e ikonave dhe   pasi bëheshin të gjitha këto, dilje në një konkluzion, përgatitej raporti dhe paraqitej në komision. Komisioni kishte oponencë, pra puna ishte shumë serioze, ku çdo gjë duhej të ishte e dokumentuar dhe i gjithë procesi ndiqej po nga njerëz që ishin kompetentë dhe mbahej përgjegjësi.

Pastaj, të ndara veç, te sektori figurativ ishin mozaikët më vete, po këtu kisha ishte e ndarë me inxhinierët që merreshin me studimin e arkitekturës së kishës, ku përmblidhej dhe nga pikëpamja historike dhe shkencore: kur është ndërtuar, themelet, etj. Një punë e thellë shkencore dhe studimi i arkitekturës kishte lidhje direkte me ne të pikturës.

Ky kombinim, ky bashkëpunim, bënte që të arrihej në një projekt të madh të përgjithshëm, ku përcaktoheshin fazat e ndërhyrjeve që do të bëheshin në këtë objekt, ku do të ishte ndërhyrja e pikturës, etj, sepse restaurimi ndahej në dy faza: restaurimi dhe konservimi. Konservimi është të konstatosh situatën në të cilën ndodhet vepra, të vlerësosh masën e degradimit dhe të ndërhysh për ta përforcuar, në mënyrë që të mos degradojë më dhe të ruhet për shekuj.

Faza e dytë është restaurimi, që ka të bëjë me zhveshjen nga mikroorganizmat, vernikët, për të nxjerrë në pah vlerat e vërteta të objektit. Sektor tjetër në Institut ishin kalatë dhe urat. Ky ishte organizimi i gjithë Institutit me këta njerëz, po me këta bëheshin simpoziume kombëtare dhe ndërkombëtare në atë kohë. Por sot, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, mendoj që ka vetëm emrin.

Nuk besoj se ka më njerëz të tillë. Nga të rinjtë sot, kush janë ata që kanë mbrojtur tituj doktorë shkencash, profesorë? Kush janë këta restauratorë sot? Kush kisha restaurohen? Restaurimi i kishave në vendet ish-komuniste, përfshirë Shqipërinë, ka qenë i shkëlqyer. Madje, një shok i imi, drejtor i një kompanie të madhe të restaurimit të skulpturave në Vjenë, thotë se restaurimet nga këto vende kanë qenë ndër më cilësoret. Pse? Sepse ne zbatonim rregullat në një formë tepër serioze.

 -Ju keni thënë se IKTK-ja ka mbetur me një numër të kufizuar specialistësh. Çfarë pasoje konkrete ka kjo për monumentet e kulturës?

 Pasojat janë një lënie pas dore. Fakti është se niveli i restaurimit të kishave në Shqipëri është shumë i ulët. Një pjesë e madhe e atyre që janë bërë, janë subvencionuar nga Kisha Greke ose nga institucione të tjera ndërkombëtare. Pra, nuk kemi një shpenzim normal të shtetit shqiptar. Kemi edhe ndërhyrje në zona të mbrojtura, siç ishte rasti i asaj pike të vogël në Butrint që u shkatërrua, duke shkaktuar dëme të pariparueshme.

Kemi në Durrës raste ku janë ndërtuar pallate me themele mbi objekte arkeologjike, të cilat gjithashtu dihen. Pse janë bërë këto gjëra? Sepse Instituti i Monumenteve nuk kishte më forcë në këtë periudhë që të ndalonte punimet, siç nuk ka as sot. Instituti i Monumenteve të Kulturës atëherë para viteve ‘90 kishte një pavarësi të madhe, me njerëz shumë kompetentë. Sot jo më si dikur.

-A mendoni  se ministri i Kulturës po dëgjon realisht specialistët e fushës apo vendimmarrja në trashëgiminë kulturore po bëhet nga administrata dhe politika?

Një fakt është që ministri Blendi Gonxhja, kur e pa që po shemben dhe po shkatërrohen banesat-monumente kulture në Gjirokastër, ndërhyri. Ndërsa dikur, në atë kohë, nuk të linte njeri të shkatërroheshin, pasi janë pasuri kombëtare dhe pasuri të UNESCO-s. Por këto ndërhyrjet që u thanë së fundmi, nuk i bëjnë nga dëshira e vet, por janë të detyruar, sepse janë pasuri të UNESCO-s.

Janë rreth 90 banesa-monumente kulture që po prishen. Këta duan të bëjnë tani ndërhyrjen, por është tepër vonë. Mirë që po fillon restaurimi i këtyre objekteve që po shkatërrohen, por urojmë që të bëhet në bazë të kritereve shkencore të restaurimit. Jo si në rastin e Pazarit të Korçës, ku restaurimi konsiston në falsifikim, duke risuvatuar gjithë pazarin dhe duke e transformuar, duke i hequr vjetërsinë e tij në kohë.

-Nga këndvështrimi juaj, si restaurator me përvojë, cili është problemi më serioz në mënyrën se si MTKS, nën drejtimin e Blendi Gonxhjes, po e trajton sot trashëgiminë kulturore?

E para, para se të merrnin vendime, duhet të merrnin mendime nga njerëz të cilët kanë qenë me eksperiencë të madhe në këtë fushë, si puna ime apo dhe të tjerë, dhe të ishin mbledhur në një simpozium ku të përcaktoheshin rrugët e restaurimit ose të konservimit të këtyre objekteve.

Jo vetëm të ndërtesave, por dhe të kishave, sepse po bien afresket. Duhet të jenë disa brigada që të bëjnë atë që quhet konservimi i afreskut, sepse afresku çdo vit po bie në masa të mëdha. Nuk ka më brigada siç kanë qenë dikur, që bënin konsolidimin e afreskut.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here