Google search engine
Home Aktualitet Moti Moti ‘merr kthesë’, shtatori do të sjellë reshje dhe përmbytje për Europën

Moti ‘merr kthesë’, shtatori do të sjellë reshje dhe përmbytje për Europën

0
24

Vera përvëluese në Europë ishte një “ilustrim i zymtë” i ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.

Kështu deklaroi Komisioni Europian në qershor, kur pjesë të mëdha të kontinentit po përballeshin tashmë me valën e tretë të të nxehtit të vitit.

Korriku dhe gushti sollën pak lehtësim, me temperatura ekstreme që, sipas shkencëtarëve, do të kishin qenë “praktikisht të pamundura” pa djegien e lëndëve fosile.

Temperaturat përvëluese dhe reshjet e pakta shkaktuan thatësirë në zona të gjera të Europës, duke krijuar kushtet për zjarre vdekjeprurëse në Spanjë, Portugali, Francë, Greqi dhe Turqi. Zjarret dogjën mijëra hektarë dhe çuan në operacionin më të madh të evakuimit që nga Lufta e Dytë Botërore.

Por me ardhjen e shtatorit, a do të fillojnë më në fund të ulen temperaturat?

Të dhënat nga platforma globale e parashikimit të motit WFY24 tregojnë se java e parë e shtatorit do të mbetet e ngrohtë në të gjithë Mesdheun, me temperatura maksimale ditore mesatarisht rreth 35°C në Romë, 34°C në Athinë dhe 33°C në Madrid.

Këto temperatura janë rreth 6-8°C mbi mesataren sezonale për fillimin e shtatorit, duke treguar se verat ekstreme në Europë po fillojnë të zgjasin më shumë.

Në Europën Veriore, megjithatë, kushtet janë shumë më të freskëta dhe të paqëndrueshme, me temperatura maksimale prej vetëm 21°C në Berlin dhe 20°C në Londër. Reshjet e dendura dhe stuhitë kanë ndërprerë tashmë të nxehtin dhe kanë lagur tokat e thara në pjesë të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe Francës.

Mesdheu pritet të përjetojë rritjen më të madhe të reshjeve.

“Shtatori dhe tetori janë sezoni i përmbytjeve të menjëhershme në Mesdhe: deti arrin temperaturën më të lartë vjetore pas tre muajsh ngrohjeje dhe mbi të mbërrijnë masat e para të ftohta atmosferike”, thotë Ioanna Vergini, themeluese e ëFY24.

Sipas saj, ky kontrast krijon sistemin shkatërrues atmosferik që në Spanjë njihet si DANA (Depresión Aislada en Niveles Altos), një depresion i izoluar në lartësi, i njohur edhe si “pikë e ftohtë”.

“Ky fenomen shkaktoi përmbytjet vdekjeprurëse në Valencia në tetor 2024 dhe ngjarjet e përsëritura në Xhenova”, shton Vergini. “Një verë e nxehtë e ushqen këtë fenomen, sepse deti është karburanti dhe gjatë gjithë verës ka grumbulluar energji.”

Çdo vit, reshjet në Valencia rriten nga një mesatare prej 18 milimetrash në gusht në 47 milimetra në shtator. E njëjta gjë ndodh në Palma, ku reshjet rriten nga 21 në 55 milimetra, dhe në Palermo, nga 15 në 42 milimetra.

Ndërkohë, qytetet e Europës Veriore si Berlini, Varshava dhe Stokholmi zakonisht regjistrojnë pak më pak reshje në shtator sesa në gusht. Megjithatë, këto shifra bazohen në mesataret normale sezonale dhe nuk përbëjnë një parashikim të motit.

A do të godasë El Niño Europën këtë shtator?

Vëmendja ndaj motit aktualisht është përqendruar te El Niño, për të cilin ekspertët kanë paralajmëruar se këtë vit mund të jetë “më i fuqishmi i regjistruar në historinë e kohëve moderne”.

Organizata Botërore Meteorologjike (ëMO) paralajmëron se fenomeni, i cili ndodh kur temperaturat e detit në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor bëhen jashtëzakonisht të larta, vazhdon të “intensifikohet në mënyrë të qëndrueshme” dhe pritet të “dominojë modelet klimatike” gjatë muajve të ardhshëm.

Fenomenet El Niño rrisin temperaturat globale, duke krijuar kushtet për episode më të shpeshta të motit ekstrem. Megjithatë, efektet e tyre ndihen kryesisht në zonat tropikale.

Amerika e Jugut, jugu i Shteteve të Bashkuara, Afrika Lindore dhe Azia Qendrore kanë përjetuar rrezik më të lartë përmbytjesh gjatë episodeve të mëparshme të El Niño-s. Ndërkohë, rreziku nga thatësirat dhe zjarret rritet në pjesë të Australisë, në veri të Amerikës së Jugut dhe në disa vende aziatike, si Indonezia.

Pavarësisht raportimeve që e kanë lidhur verën përvëluese të Europës me El Niño-n e këtij viti, ekspertët kanë përsëritur se shkaku është ndryshimi klimatik.

“Këtë verë kemi përjetuar valë të nxehti në të gjithë Europën, të cilat na kujtojnë efektet e ndryshimeve klimatike”, thotë profesori Stephen Belcher, drejtues për Shkencën dhe Teknologjinë në shërbimin meteorologjik britanik Met Office.

“Ky El Niño i fuqishëm na kujton se në sistemin klimatik veprojnë edhe ndryshimet natyrore, duke iu shtuar presioneve të ndryshimeve klimatike.”

Në Europë, ndikimet e El Niño-s janë shumë më të tërthorta dhe zakonisht më pak të forta.

Sipas Met Office, ndikimi i El Niño-s mund të fillojë të rrisë mundësinë e “kushteve më të lagështa dhe me më shumë stuhi” në Europën Veriperëndimore gjatë vjeshtës dhe fillimit të dimrit.

Komisioni Europian deklaron se El Niño mund të sjellë gjithashtu temperatura vjeshtore “më të larta se normalja” në Europë, ndërsa ngrohja mund të intensifikohet drejt pranverës së ardhshme.

Për këtë arsye, shkencëtarët druhen se viti 2027 mund të bëhet viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në nivel global.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here