Avokati i viktimave të dosjes së “21 Janarit”, Idajet Beqiri, sapo ka lëshuar deklaratën më me peshë të viteve të fundit. Sipas tij, hetimet për tragjedinë e 21 Janarit kanë përfunduar faktikisht dhe çështja tashmë pret vetëm prangat për ish-kryeministrin Sali Berisha. Gjatë një intervistë për “Abc News”, avokat Beqiri nxjerr në dritë atë që e konsideron provën “mbret” të dosjes: vetë deklaratat publike të Berishës, ku pranonte se kishte pozicionuar snajperë e se ishte i gatshëm të eliminonte deri në 300 persona, përfshirë edhe krerët e opozitës së asaj kohe.
Por stuhia ligjore nuk ndalet vetëm me Berishën; pas tij rrezikon të fundoset e gjithë kupola komanduese e asaj dite, duke filluar nga ish-ministri i Brendshëm, drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe komandanti i Gardës. Avokati zbulon gjithashtu një zinxhir manipulimesh me ekspertime të rreme që tentuan t’i fshihnin vrasjet duke pretenduar se u qëllua nga afër, kur në të vërtetë goditjet ishin të mirëkontrolluara e vdekjeprurëse nga larg.
Për më tepër, Beqiri paralajmëron se 21 Janari është vetëm maja e ajsbergut, pasi në SPAK po flenë edhe dosje të tjera të rënda si nga ngjarjet e Tropojës. Ai i bën thirrje publike qytetarëve që të ngrihen në protesta para dyerve të SPAK-ut për të kërkuar llogari se pse po zvarritet çuarja në gjyq e urdhëruesit të masakrës. Ky paralajmërim i fortë vjen si një goditje e drejtpërdrejtë që premton të trazojë ujërat e drejtësisë dhe të çojë prapa hekurave protagonistët kryesorë të njërës prej ngjarjeve më të errëta në historinë e Shqipërisë.
Pjesë nga intervista
-Avokat Beqiri, meqenëse jemi te shteti apo drejtësia, ju keni thënë se dy procese të mëdha janë pranë zbardhjes. Për çfarë procesesh bëhet fjalë dhe a ka tashmë SPAK prova për të kërkuar arrestimin e ndonjë personi konkret?
Idajet Beqiri: Problemi është që edhe këtyre protestuesve gjithmonë, jo me humor por ne ua themi, ua kemi thënë edhe hapur: o ka vend për të protestuar në këtë vend, o s’ka ku të vejë më. Edhe protesta juaj, u kemi thënë, do ishte me të vërtetë e kuptimtë nëse ju do ngriheshit edhe do të shkonit atje para SPAK-ut dhe do i thoshit SPAK-ut: “Ke nga 2011 dhe deri më sot plot 15 vjet që nuk zbardh vrasjet e 21 janarit”.
Ato vrasje kanë një autor dhe ai autor që është urdhëruesi i tyre, përfituesi që përfitoi prej tyre edhe shkatërruesi i demokracisë, vrasësi i demokracisë në Shqipëri — dhe këtë e mori me vulë nga Shtetet e Bashkuara faktikisht, person non grata — është Sali Berisha.
Atëherë, pse nuk ngriheni ju protestues edhe të vemi atje para SPAK-ut e t’i themi: pse nuk e çon në gjyq këtë vrasës, pse nuk e çon në gjyq këtë urdhërues të këtyre vrasjeve, të kësaj masakre që bëri në 21 janar?
Ka marrë jetë njerëzish, ka derdhur gjak shqiptari atje. Dhe ky proces faktikisht është drejt mbarimit. Po, ky proces e ka përfunduar faktikisht hetimin. Ajo çështje tashmë pret arrestimin e Berishës edhe të kupolës tjetër komanduese, duke filluar me ministrin e Brendshëm, me zëvendësdrejtorët e Policisë së Shtetit, drejtorin e Policisë së Shtetit edhe komandantin e Gardës e të tjerë me radhë.
-Pra avokat, ju e akuzoni Sali Berishën si organizator dhe urdhërues të 21 janarit, por cila është, le të themi, prova konkrete më e fortë që e lidh drejtpërdrejt me urdhrin për vrasje dhe a keni një dëshmi direkte, le të themi, që e lidh Sali Berishën me urdhrin për vrasjet?
Idajet Beqiri: Problemi është që hetimi i një çështjeje nuk është një provë e vetme të konsiderohet “mbretëreshë provash”. Provat për 21 janarin janë të plota. Ato janë një sërë provash. Prova më e rëndësishme aty janë vetë dëshmitë e Sali Berishës, i cili e ka thënë me gojën e vet, e ka deklaruar publikisht, e ka marrë vesh i madh e i vogël, shqiptar e ndërkombëtar, që tha: “Nuk do vrisja vetëm një, por kisha çuar snajperët që kishin zënë pozicionet në pesë pozicione. Në njërin prej tyre isha dhe vetë unë edhe do të vrisja 300, edhe kreun e opozitës do vrisja”.
Kështu që s’ka provë më të rëndësishme se kjo. Pastaj provat e tjera janë, i kemi thënë, janë një zinxhir i tërë, duke filluar që nga Ali Libia që ai përdori, që mbase i vrau dhe donte t’ua hidhte socialistëve edhe protestuesve duke thënë që u qëlluan nga afër në një kohë që s’ishte e vërtetë; qoftë tek urdhërimi që u bëri ekspertëve që të bënin një akt-ekspertimi të rremë që të thoshin u qëlluan nga afër, në një kohë që u qëlluan nga larg edhe me snajper dhe në drejtime të mirëkontrolluara që duhet të vriteshin edhe të goditeshin atje ku të ishin me të vërtetë vdekjeprurëse goditjet e tyre, qoftë edhe tek gjithë provat e tjera të mëvonshme.






































