Adriatik BALLA
Briken Calja i solli dje Shqipërisë medalje ari në peshëngritje, në kategorinë e peshës deri në 75 kg, duke vendosur edhe një rekord të ri në Lojërat Mesdhetare. Calja fillimisht fitoi medaljen e artë në stilin e shkëputjes me 154 kg, që përbën edhe rekordin e ri të këtyre lojërave. Calja e nisi garimin e tij në këtë stil me peshën 147 kg të cilin e kaloi, në provën e dytë peshëngritësi shqiptar ngriti 152 kg për të mbyllur këtë garim pikërisht me 154 kg.
Në shtytje, Briken Calja nuk arriti të ngrejë 183 kg në provën e parë, por në të dytën ngriti 184 kg. Në provën e tretë peshëngritësi kuqezi tentoi të ngrejë 187 kg por pa sukses dhe e mbylli garimin me 184 kg duke fituar medaljen e bronztë. “Ky është mbi të gjitha një rezultat historik. Përveç medaljes së artë në stilin e shkëputjes, theva dhe katër rekorde. Ky është një lajm shumë i mirë dhe mbi të gjitha një rezultat fantastik.
Pas 13 vitesh, kur kisha dhe probleme të mëdha dhe isha në një pauzë prej dy vitesh, ishte ëndrra ime më e madhe që të rikthehesha sërish me medalje dhe të isha prezent në Lojërat Mesdhetare. Normalisht që është diçka shumë madhore për mua. Një ndër vështirësitë e mia më të mëdha ishte rënia nga pesha. Humba gati 7 kilogramë e gjysmë deri në 8 kilogramë dhe ishte një nga sfidat e mia më të mëdha.
Fatmirësisht ia dola dhe ndihem jashtëzakonisht shumë i lumtur. Fatmirësisht, gjej rastin të falënderoj Komitetin Olimpik për rifutjen e emrit të trajnerit te shtesat. Ishte një moment që për mua… nuk di të gjej fjalën, sepse është vërtet për të ardhur keq. Nuk mund t’i hiqet trajneri kampionit të Botës dhe të Evropës! Por fatmirësisht ia dolëm dhe po flasim për medalje”, tha ai.
Enkileda Carja fiton medalje bronzi për Shqipërinë
Enkiledа Carja i dhuron Shqipërisë një tjetër medalje në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026! Në garën e femrave në peshën 69 kg, sportistja e Team Albania zhvilloi një paraqitje shumë të mirë, duke konkurruar me shumë dinjitet dhe përkushtim. Në disiplinën e shkëputjes, Enkileda ishte në një ditë të shkëlqyer dhe me një garim të sigurt arriti të sigurojë medaljen e bronztë. Një tjetër ngjitje e Shqipërisë në podium dhe një sukses i rëndësishëm për peshëngritjen shqiptare!
Qerimaj mbetet jashtë zonës së medaljeve
Erkand Qerimaj e mbylli garën e tij në Lojërat Mesdhetare pa medalje. Në stilin e shkëputjes, Qerimaj e nisi mirë garën, duke realizuar me sukses provën e parë me 151 kg. Megjithatë, dy tentativat e radhës, me 155 dhe 156 kg, nuk u realizuan, duke bërë që shqiptari të mbyllte këtë stil në vendin e pestë. Më mirë shkoi gara në shtytje, ku Qerimaj ishte protagonist në luftën për podiumin.
Shkodrani ngriti me sukses fillimisht 181 kg, ndërsa më pas realizoi edhe provën me 187 kg. Për të siguruar një vend mes më të mirëve, Qerimaj tentoi 192 kg në provën e tretë. Një ngritje që do ta afronte me podiumin, por që fatkeqësisht nuk u realizua. Në fund, Qerimaj u rendit i katërti në shtytje dhe i pesti në shkëputje, duke mbetur jashtë medaljeve.







































