Google search engine
Home Sport Goditën gjyqtarin, FSHF i paralajmëroi për penalitete, reagon klubi i Vllaznisë

Goditën gjyqtarin, FSHF i paralajmëroi për penalitete, reagon klubi i Vllaznisë

0
22

Në ndeshjen Vllaznia-Elbasani presidenti i klubit shkodran Alban Xhaferri dyshohet se ka goditur një anëtar të trupës së gjyqtarëve. Për këtë mbajti qëndrime dhe vetë FSHF. Por nëpërmjet një mesazhi të gjatë të bërë publik nga klubi i Vllaznisë, vihet në dukje klima negative e përhapur në komunitetin sportiv, ku Vllaznia dhe zyrtarët e saj paragjykohen, ndërkohë që i kërkojnë FSHF-së të marrë masa për vendime të drejta, të bazuara në prova.

“Klubi i Futbollit Vllaznia, pas zhvillimeve që pasuan ndeshjen AF Elbasani – KF Vllaznia, e konsideron të domosdoshme t’i drejtohet opinionit publik dhe drejtuesve të FSHF-së për një situatë që tashmë tejkalon atë çfarë ka ndodhur në fushën e lojës.

Pak orë pas përfundimit të ndeshjes, zyrtari i FSHF-së, z. Klajdi Kola, në një dalje televizive në RTSH, deklaroi publikisht dhe në mënyrë kategorike se Presidenti i KF Vllaznia, z. Alban Xhaferi, kishte goditur një nga zyrtarët e ndeshjes, duke e cilësuar informacionin si “lajm të konfirmuar”. Ky pretendim u bë publik përpara se organet kompetente të kishin administruar provat, dëgjuar palët dhe, mbi të gjitha, përpara ekzistencës së një vendimi nga organi disiplinor kompetent.

Akoma më shqetësues është fakti se, disa orë më vonë, vetë FSHF, përmes faqes së saj zyrtare, publikoi një qëndrim ku përmend nominalisht Presidentin e KF Vllaznia dhe e paraqet akuzën ndaj tij si një fakt të kryer, ndërkohë që në të njëjtën deklaratë njofton se organet kompetente disiplinore do të procedojnë dhe do të marrin vendimet e tyre “në pavarësi të plotë”, shkruan klubi.

Mungesa e provave

Më tej klubi sqaron pozicionin e tij. “KF Vllaznia dënon pa asnjë ekuivok çdo formë dhune në futboll, ndaj arbitrave, zyrtarëve, lojtarëve apo kujtdo tjetër. Dhuna është dhe do të mbetet e papranueshme. Pas çdo ndeshjeje qëndrojnë investimi i Presidentit dhe i klubit, puna e përditshme e stafit, mundi dhe djersa e futbollistëve dhe mbi të gjitha pasioni i mijëra tifozëve kuq e blu. Askush nuk mund të kërkojë qetësi dhe respekt nga klubet, pa garantuar në të njëjtën kohë drejtësi, përgjegjësi dhe standard të barabartë nga arbitrat dhe institucionet që i mbikëqyrin ata.

KF Vllaznia i drejtohet publikisht Presidentit të FSHF-së, z. Armand Duka, duke i kërkuar të ndërhyjë institucionalisht për të frenuar këtë klimë të papranueshme të gjykimit publik të iniciuar nga zyrtarë të Federatës, të garantojë që administrata e FSHF-së të respektojë kompetencat e organeve të pavarura disiplinore dhe të sigurojë që çdo çështje të trajtohet vetëm mbi bazën e provave, rregulloreve dhe procedurave përkatëse.

KF Vllaznia kërkon gjithashtu që çdo material filmik, raport zyrtar dhe provë tjetër lidhur me ngjarjen të administrohet dhe vlerësohet nga organet kompetente, duke garantuar të drejtën e klubit dhe të Presidentit të tij për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur përpara se të shpallet publikisht çfarëdo përgjegjësie. Me shqetësimin për përshkallëzimin e një klime tensioni brenda familjes sportive, kërkojmë drejtësi, paanshmëri, etikë institucionale dhe respekt të barabartë për KF Vllaznia si klub anëtar i FSHF”, nënvizon Vllaznia.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here