Ka nisur faza e parë e regjistrimeve në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, ndërsa të dhënat e para tregojnë një trend të ngjashëm me dy vitet e fundit.
Sipas rektorit Lorenc Ekonomi, degët e sporteve dhe infermierisë vijojnë të mbeten ndër më të kërkuarat, ndërsa këtë vit vihet re një rritje e interesit për programet e Fakultetit Ekonomik dhe degët që lidhen me teknologjinë e informacionit.
Rektori i Universitetit të Korçës, Lorenc Ekonomi, thotë se regjistrimet kanë nisur në linjë me vitet e fundit, ndërsa disa programe kanë shënuar një rritje të ndjeshme të interesit.
“Ka nisur faza e parë e regjistrimeve dhe deri tani duket një trend i ngjashëm me dy vitet e fundit. Tani pothuajse kemi fituar një lloj trendi normal. Domethënë nuk ka ndryshime në shifra. Aty-aty janë ato. Përsëri degët më të kërkuara janë sportet dhe infermieria. Por vërejmë ndryshim të madh tek Fakulteti Ekonomik.
Financa, menaxhimi, marketingu, turizmi kanë regjistrime. Po kështu dhe degët që kanë të bëjnë me informatikën: Informatikë Biznesi, Inxhinieri Informatike, që e kemi të përbashkët me Universitetin Politeknik, po kështu dhe Teknologji Informacioni kanë regjistrime. Të gjitha degët kanë.
Edhe dega Data Science ka regjistrime. Është një degë e re që e hapim këtë vit, është thelbi ose bërthama e inteligjencës artificiale. Është një degë që është në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Ka pasur interesime edhe nga të huaj, por ata duhet të plotësojnë kriteret që të fillojnë shkollën tek ne”, tha rektori Ekonomi.
Një rritje e kuotave është bërë edhe për programet prioritare. Nga 6 kuota që ishin në dispozicion një vit më parë, këtë vit numri ka shkuar në 15, të ndara mes inxhinierisë agronomike, matematikë-fizikës dhe biologji-kimisë. Megjithatë, vendimi përfundimtar për programet që do të aktivizohen do të merret pas përfundimit të procesit të regjistrimeve.
“Përgjithësisht ka ecur në kuotat e vjetshme. Këtë vit është rritur numri i kuotave në programet prioritare. Vjet kanë qenë 6, këtë vit kemi 15 kuota prioritare: 5 janë Inxhinieri Agronomike, 5 Matematikë-Fizikë dhe 5 Biologji-Kimi. Ka interes për këto degë, megjithëse vazhdon regjistrimi.
Në fund mund të flasim për numrin e regjistrimeve. Unë di të them një gjë, që në këto degë prioritare kemi dhe studentë shumë të mirë. Do shikojmë në fund të regjistrimeve cilat programe nuk do të hapen, nuk do të aktivizohen dhe cilat do të aktivizohen. Do ta vendosë Senati. Është gjuha shqipe dhe gjuhët e pakicave, frëngjishtja, Matematikë-Fizika për momentin nuk duket mirë, por do vazhdojë regjistrimi”, u shpreh rektori.
Krahas procesit të regjistrimeve, Universiteti i Korçës vijon zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare. Për vitin akademik 2026-2027 janë parashikuar 36 projekt-propozime, ndërsa janë nënshkruar 27 marrëveshje të reja partneriteti me universitete të huaja. Aktualisht universiteti ka 45 marrëveshje aktive me 15 shtete.
“Për vitin akademik 2026-2027, ne kemi 36 projekt-propozime, midis tyre 26 ndërkombëtare dhe 10 kombëtare. Kemi arritur të nënshkruajmë 27 marrëveshje të reja partneriteti. 45 janë aktive me 15 shtete. Kemi 8 me Italinë, 8 me Rumaninë, 7 me Greqinë dhe harta pastaj plotësohet me Francën, universitetet franceze, bullgare, austriake, sllovene, turke, estoneze, lituaneze”, tha Ekonomi.
Një tjetër tregues i ndërkombëtarizimit të universitetit janë edhe mobilitetet e studentëve dhe pedagogëve. Për këtë vit janë parashikuar 212 lëvizje hyrëse dhe dalëse, ndërsa sipas rektorit, numri i studentëve të huaj që zgjedhin Universitetin e Korçës është rritur ndjeshëm.
“Kemi 212 mobilitete hyrëse dhe dalëse. Domethënë janë lëvizje të pedagogëve dhe studentëve që ose vijnë në universitetin tonë nga universitetet e huaja, ose tanët. 40% e tyre, e këtyre mobiliteteve, janë nga studentët. Është shumëfishuar numri i studentëve të huaj që vijnë tek ne, që marrin pjesë jo vetëm për eksperiencë, por edhe zhvillojnë lëndët sipas programeve që kanë ata”, u shpreh rektori.
Në fokus janë edhe programet e përbashkëta të studimit me universitete të huaja. Sipas rektorit, këtë vit nis një program doktorature në bashkëpunim me një universitet rumun, një master shkencor me Universitetin e Barit, ndërsa vijojnë programet e përbashkëta me universitete të tjera evropiane.
“Mund të them që 40% e projekteve lidhen me nevojat e rajonit. Kemi programe të përbashkëta studimi. Për këtë vit fillon doktoratura në bashkëpunim me Universitetin e Rumanisë, diplomë e dyfishtë për zhvillimin arsimor ballkanik. Fillon Masteri i Shkencave me Universitetin e Barit në Shkenca Kompjuterike.
Vazhdon Masteri Profesional me Universitetin e Plovdivit në Agrobiznes dhe Zhvillim Rajonal të Qëndrueshëm, dhe vazhdon me sukses të plotë Bachelori në Shkenca Kompjuterike me Inxhinieri Kompjuterike, me diplomë të përbashkët me Universitetin Politeknik të Tiranës”, tha rektori.
Në përfundim të fazave të regjistrimit pritet të jetë më e qartë panorama e programeve që do të vijojnë aktivitetin akademik gjatë vitit të ri universitar.







































