Adriatik BALLA
Në Spanjë tani mendojnë se mesfushori Rodri është “Mesi i futbollit spanjoll”, ka thënë përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, pas transferimit të mesfushorit nga Mançester Siti te Barcelona.
De la Fuente beson se Rodri nuk do të ketë probleme për t’u përshtatur në ekipin e ri. Rodri është prej futbollistëve kryesorë të përfaqësueses spanjolle dhe, sipas De la Fuentes, është më i miri në botë në pozitën e tij. De la Fuente ka vlerësuar gjithashtu kthimin e futbollistëve të mëdhenj në La Liga, duke thënë se kjo ndihmon në rritjen e nivelit të kampionatit spanjoll.
“Për të do të jetë më e lehtë të përshtatet, pasi Rodri është Mesi i futbollit spanjoll. Për këtë arsye ai do të përshtatet mirë në çdo ekip dhe në çfarëdo rrethane. Ai është më i miri në botë në pozitën e tij. Ajo që më gëzon është se këta futbollistë të mëdhenj janë në La Liga, sepse kjo e bën kampionatin më të madh”, ka thënë 65-vjeçari, shkruan të martën “Goal”. Ai ka folur gjithashtu për Lionel Mesin, duke shprehur respekt për karrierën e argjentinasit dhe për rekordet që ka vendosur gjatë karrierës.
Sipas De la Fuentes, arritjet e Mesit do të jenë shumë të vështira për t’u përsëritur apo tejkaluar. Ndërkohë, Gabriel Jesus është sulmuesi i ri i Barcelonës. Sulmuesi brazilian iu bashkua katalonasve duke u larguar nga Arsenali. Për Barçën është transferimi i tretë nga Premier League sivjet, pas Anthony Gordonit nga Neëcastle dhe Rodrit nga Mançester Siti. Sipas raportimeve, Barcelona ka paguar rreth 10 milionë euro për shërbimet e 29-vjeçarit. Te Barça, Jesus ka nënshkruar kontratë trivjeçare.
Sipas “SkySports”, transferimi i Jesusit nuk i jep fund përpjekjeve të Barcelonës për Julian Alvarezin e Atletico Madridit. Tek Arsenali në 123 paraqitje, Jesusi ka shënuar 32 gola. Sezonin e shkuar i nisi vetëm tri ndeshje të Premier Leagues. La Liga ka konfirmuar detajet për “El Clásicon” e parë të sezonit 2026/27. Barcelona dhe Real Madridi do të përballen për herë të parë këtë sezon në La Liga të dielën, më 25 tetor, në orën 21:00, në “Camp Nou”. Pas tri javëve të para, të dyja skuadrat e kanë nisur fuqishëm sezonin në kampionat.
Real Madrid dhe Barcelona kanë fituar të tri ndeshjet e zhvilluara deri më tani, duke konfirmuar statusin e tyre si favoritët kryesorë për titullin. Reali triumfoi ndaj Espanjolit 2-1, ndaj Real Sociedadit 4-1 dhe ndaj Malagës me rezultat prej 4-0. Ndërkohë, Barcelona e mposhti Elçen 5-0, para se të fitonte edhe ndaj Bilbaos me shifrat prej 2-0. Në xhiron e fundit, Barça e mposhti Rajo Valekanon me shifrat prej 5-2.







































