Nga Julia Vrapi
Filmi “Burri i shtëpisë”, që ka në qendër historinë e një burrneshe të vendosur përballë realitetit të një shoqërie moderne dhe të një Shqipërie që ndryshon dita-ditës, do të jetë pjesë e edicionit të 14-të të Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar. Pas më shumë se një dekade mungesë, Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar rikthehet në Tiranë, duke sjellë sërish në vëmendje prodhimet e kinemasë shqiptare dhe duke mbledhur në të njëjtin program filma, krijues dhe profesionistë të fushës.
Edicioni i 14-të do të zhvillohet nga 3 deri më 12 shtator, ku në kuadër të festivalit, filmi “Burri i shtëpisë” me regji nga Andamion Murataj do të shfaqet premierë më 4 shtator, në sallën e madhe të Akademisë së Arteve në Tiranë. Filmi do të jetë gjithashtu pjesë e programit konkurrues të edicionit të 14-të të Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar. Andamion Murataj është njëkohësisht edhe skenaristi i filmit, i cili përqendrohet në historinë e Franit, një personazh kompleks, e lindur si grua, por që zgjedh të jetojë si burrë, duke marrë statusin e një “burrneshe”.
Kur mbesa e saj ka nevojë për dashurinë e një nëne, Fran përballet me një zgjedhje të vështirë: të vijojë të ruajë statusin e saj si burrneshë apo të rilidhet me ndjenjat amësore që ka shtypur prej kohësh. “Man of the House” (“Burri i shtëpisë”) me një kastë të fuqishme të aktorëve si Drita Kaba Karaga, Alesia Ruçi, Bislim Muçaj, Astrit Alihajdaraj dhe Armond Morina është xhiruar në Tiranë.
Muzika e filmit është shkruar nga kompozitorja Laetitia Pansanel-Garric. Shfaqja e filmit “Burri i shtëpisë” në kuadër të festivalit i shtohet dhe jetës artistike të Tiranës, duke sjellë për publikun një tjetër produksion të kinemasë shqiptare, të realizuar me një kast të njohur aktorësh dhe me një histori, që vjen pas një rrugëtimi të suksesshëm në festivale ndërkombëtare.
Filmi
Filmi artistik me metrazh të gjatë “Burri i shtëpisë” me regji të Andamion Muratajt dhe produksion të shtëpisë kinematografike “Lissus Media”, pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë, në gusht të vitit 2025, në kuadër të edicionit të 31-të të festivalit. I shfaqur në Teatrin Kombëtar të Sarajevës, filmi u prit me duartrokitje të gjata nga publiku, artistët dhe profesionistët e kinemasë.
Filmi gjithashtu u shpërblye edhe me çmim special në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Bari, BIF&ST. Filmi u vlerësua nga juria ndërkombëtare në seksionin “Meridiana”, duke vënë theksin veçanërisht në interpretimin e aktores Drita Kaba Karagës në rolin e Franit. Në shtator 2025, ky film përmbylli dhe edicionin e 17-të të “PriFest”, ku u shfaq si premierë rajonale. Pas këtij rrugëtimi ndërkombëtar dhe vlerësimeve në festivale, “Burri i shtëpisë” do të shfaqet në Tiranë dhe vjen premierë në kuadër të Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar.
Andamion Murataj është skenarist, regjisor dhe producent që punon mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në vitin 2010 themeloi në Shqipëri shtëpinë filmike “Lissus Media”. Një prej pikave të rëndësishme të karrierës së tij erdhi me filmin “Falja e Gjakut”, të realizuar në bashkëpunim me regjisorin Joshua Marston, ku Murataj ishte bashkë-skenarist dhe bashkë-producent.
Filmi u nderua me Ariun e Argjendtë për Skenarin më të Mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin në vitin 2011. Pas këtij projekti, Murataj ka vijuar aktivitetin e tij me filma të shkurtër dhe dokumentarë, ndërsa “Burri i shtëpisë” është një tjetër projekt i tij në kinematografi.










































