Gazetari i njohur, Adriatik Dosti ka bërë një deklaratë të fortë në rrjetet sociale, duke hedhur akuza të rënda mbi prapaskenat e politikës dhe shërbimeve sekrete në Kosovë e Shqipëri. Sipas tij, pas arrestimit të Fatmir Shehollit ka shpërthyer një “Kuti e Pandorës” ku personazhe publike e politike po përplasen egërsisht me njëri-tjetrin. Dosti vë në shënjestër përplasjet e vjetra e të reja mes figurave me peshë, si Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, duke nxjerrë në pah kundërshtitë e tyre ndër vite.
Më tej, gazetari ngre pikëpyetje të mëdha mbi lidhjet financiare e politike me serbin Milan Radojçiç, si dhe takimet e sekretizuara të disa eksponentëve me zyrtarin e shërbimeve sekrete serbe, Dimiç. Një vëmendje të veçantë ai ia kushton rolit të Baton Haxhiut, të cilin e akuzon si bashkëpunëtor të shërbimeve serbe që lidh drejtpërdrejt Edi Ramën me Aleksandër Vuçiçin në iniciativa që sipas tij janë “thikë pas shpine” për Kosovën.
Dosti i cilëson Haxhiun, Ramën dhe Vuçiçin si autorë e bashkëautorë të projektit “Open Balkan” si dhe të planit për ndarjen e copëtimin e territoreve të Kosovës. Ndërkohë gazetari pyet publikisht se përse institucionet e drejtësisë nuk kërkojnë ekstradimin e Haxhiut nga Shqipëria dhe gjykimin e tij publik për dosjet e inteligjencës.
Ai përmend gjithashtu emra gazetarësh e politikanësh si Milaim Zeka, Berat Buzhala, Behgjet Pacolli e Time Kadrijaj, duke kërkuar sqarime për akuzat që rëndojnë mbi ta. Në përmbyllje, Dosti paralajmëron se ditët në vijim do të sjellin të tjera tronditje e përplasje publike, pasi sipas tij, “shejtani tashmë ka dalë nga shishja”.
POSTIMI I PLOTË I GAZETARIT ADRIATIK DOSTI
“Kaq u desh dhe… plasi në Kosovë. Vetëm tre ditë pas arrestimit të Fatmir Shehollit… dhe duket se Shejtani ka dalë nga shishja dhe s’ka më burrë nëne ta fusë prapë andej nga doli. Ndiqini me kujdes rrjetet sociale e aty do të shikoni e dëgjoni me sytë e veshët tuaj me video… me zë e figurë se si Shejtanët po kacafyten me njëri-tjetrin e se si Sorrat e Kosovës po kërkojnë shpëtim duke i nxjerrë sytë po njëra-tjetrës.
Ai s’ka as dy ditë shkollë, është hajn e shpirtshitur… thotë Ramushi për Thaçin. Ndërsa ai është injorant e i trashë… kryeministri më i dobët në historinë e Kosovës… thotë Thaçi për Ramushin. Dhe Ramushi ia kërkon Kosovës zgjedhjen e Thaçit — President… e po kjo s’ka bythë ku të rrijë.
Në ’98 unë nuk kam qenë në vijën e parë të frontit të luftës së UÇK-së… pasi në atë periudhë kam qenë për studime në Universitetin e Zyrihut në Zvicër (???)… pohon i çakorduar në gjyqin e Hagës vetë “komandant” Hashimi. Ata… Hashimi e K. Veseli kanë pasur marrëdhënie shumë të këqija me familjen e A. Jasharit… ata kurrë nuk kanë mundur as me t’iu afru shtëpisë së Jasharëve e jo më me guxu me hy brenda në të… kam qenë unë që kam ndërhyrë për një lloj balance në marrëdhëniet mes tyre… thotë ish-kryeparlamentari i Kosovës… J. Krasniqi.
Familja e tij ka qenë e lidhur me Serbinë dhe kryesisht i ati i A. Kelmendit që ka qenë Prokuror në kohën e Serbisë dhe ka dënuar dhjetëra-qindra kosovarë të pafajshëm e mes tyre edhe Jusuf Gërvallën, akuzon nga një studio TV M. Zeka.
Akuzat për spiunazh e lidhje me BIA-s
Kërkush nuk të lejonte në atë kohë të shkoje prej Kosove në Suedi e prej këtu në Shqipëri me i çu një tufë lule Enver Hoxhës në Tiranë… ngre zërin një gazetar në një TV tjetër të Kosovës… duke ia thënë këto në sy Milaim Zekës, i njohur për historinë në fjalë e për të qenit prej kohësh bashkëpunëtor i UDB-së serbe. Si ka mundësi, pyet dikush tjetër, që histori biznesi me goxha fitime kanë me serbin kriminel Radojçiç si Sami Lushtaku ashtu edhe Ramush Haradinaj… dje luftëtarë e heronj të UÇK-së e sot milionerë në vendin më të varfër të Evropës…
Si ka mundësi, pyes unë vetë, që këshilltar me influencë i Ramës së tërbuar anti-Kosovë atje në Tiranë të jetë spiuni e bashkëpunëtori i deklaruar zyrtarisht i Serbisë, shtetasi i Kosovës Baton Haxhiu… ndërkohë që këshilltar special politik i kabinetit të Thaçit të jetë një nga krerët e spiunazhit serb Branislav Nikoliç?
Si ka mundësi që disa deputetë, politikanë, biznesmenë e njerëz të medias kosovare shihen në foto duke pirë kafé apo edhe duke darkuar me një armik të betuar të Kosovës… e tash të trembur fort pas arrestimit të Shehollit janë të shtrënguar të pranojnë se PO… janë takuar më se një herë me zyrtarin e shërbimeve sekrete serbe Dimiç?
Pse nuk përgjigjet publikisht Time Kadriaj për akuzën ndaj saj e vëllezërve të saj për bashkëpunim me shërbimin sekret serb? Tashmë kur vetë F. Sheholli del nga përgjimet se ka direkt dorë në vrasjen në pritën e pabesë shqiptaro-serbe të Heroit të Kombit… Z. Pajaziti, si duhet të sillet drejtësia me të?
Prapaskenat e politikës dhe spiunazhit
A më kthen dot kush përgjigje prej jush pse Behgjet Pacolli i pagoi goxha para për “një hall personal” Berat Buzhalës e më pas ky i fundit u vu tërësisht në shërbim të tij e jo të Kosovës… e më pas Berati e bëri hashah Behgjetin e u vu në krah të Ramës e ka kohë që lobon fort për të? E tash Anita Haradinaj me ngut po telefonon Behgjet Pacollin… përse?
Në tavolinat e hetuesve e prokurorëve të Kosovës prej kohësh ndodhet dosja e kryespiunit, agjentit, udbashit e njeriut besnik të BIA-s e bashkëpunëtorit të Serbisë prej vitesh Baton Haxhiut e shefit të tij Stanišiçit… përse shteti i Kosovës që ka pësuar aq shumë dëme prej këtij personazhi kaq të urryer nuk kërkon nga Shqipëria ekstradimin e menjëhershëm e më pas edhe gjykimin publik të tij… I përmendur e i shumëpërfolur madje edhe i akuzuar publikisht e me fakte konkrete për “çështjen” e Shkëlzen Maliqit… për Zajednicën, për tradhtinë serbo-franceze të Mitrovicës, për raportet sekrete të dorëzuara spiunazhit serb përmes së cilave janë vrarë disa luftëtarë e heronj të UÇK-së.
Autor e bashkëautor i Open Ballkan së bashku me Ramën e Vuçiçin… thikë pas shpine Kosovës… autor e bashkëautor i planit për ndarjen e copëtimin e territoreve të Kosovës së bashku me Ramën-Vuçiçin e Macron… armik i hapur i shqiptarëve të Luginës së Preshevës… Dhe së fundi (por jo e fundit) e për t’i vënë vulën… paraqitja e tij si dëshmitar në gjyqin e Hagës kundër kryekriminelit Milosheviç ku ky i fundit me një lloj nënqeshjeje të hidhur i tha publikisht në sallë… ouuu po ti o Baton ç’do këtu… ti je njeriu ynë… (videoja e kësaj ngjarjeje është ende besoj në rrjetet sociale me zë e figurë.)
E pra do të shohim e do të dëgjojmë aq shumë ngjarje të tilla këto ditë sa edhe do të tronditemi, edhe do të çuditemi por edhe s’do të na bëjnë më përshtypje… sepse nuk thotë kot populli… i mbyturi të mbyt… duhet të turbullohet burimi pa të kthjellohet, thotë një proverb i mençur yni. Aq ishte ajo punë… sa të dilte Shejtani nga shishja… A.R.D”, shkruan gazetari i njohur, Adriatik Dosti në rrjetet sociale. Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.






































