Bajerni i Munihut mohon kontaktet mes Olise dhe Realit të Madridit

Adriatik BALLA
Merkato po shkon drejt fundit dhe përpjekjet e Realit të Madridit për të marrë talentin francez Majkëll Olise nuk janë ndalur. Megjithatë, lojtari, i gjendur nën kontratë me Bajernin e Mynihut duket vështirë të lëvizje në këtë fazë kur s’ka marrëveshje mes klubeve. Në fakt, Bajerni i Mynihut ka reaguar ndaj spekulimeve në rritje për të ardhmen e Majkëll Olise, duke e bërë të qartë se aktualisht nuk ka negociata për rinovimin e kontratës së yllit francez.
Gjatë verës u raportua se 24-vjeçari ëndërron të luajë një ditë për Real Madridin dhe se këtë dëshirë ua kishte shprehur edhe disa bashkëlojtarëve të tij te Franca gjatë Kupës së Botës. Raportime të tjera sugjeruan se gjiganti spanjoll mund të ishte gati të ofronte deri në 150 milionë euro për anësorin. Megjithatë, drejtuesit e Bayernit insistojnë se nga Madridi nuk ka mbërritur asgjë konkrete. Drejtori ekzekutiv i Bajernit, Jan-Kristian Dresen, kishte deklaruar më herët se klubi nuk ka marrë asnjë kontakt zyrtar nga Real Madridi për Olise.
Sipas tij, nuk ka ardhur “as telefonatë, as letër, madje as faks” nga klubi spanjoll. Dresen u rikthye te kjo temë pas fitores së Bayernit ndaj Stuttgartit, duke theksuar se klubi nuk sheh asnjë arsye për të nxituar me kontratën e francezit. Marrëveshja aktuale e Olise me Bajernin është e vlefshme deri në verën e vitit 2029. Sipas gazetës gjermane “Bild”, Dresen deklaroi: “Për momentin nuk ka negociata.
Majkëll ka kontratë deri në vitin 2029 dhe për këtë arsye nuk ka asnjë arsye për të nxituar.” Ai shtoi se zërat që vijnë nga jashtë klubit nuk e shqetësojnë Bajernin. Drejtuesit janë të bindur se Olise është i kënaqur në Mynih dhe se forma e tij në fushë është përgjigjja më e mirë ndaj spekulimeve. “Gjuha vendimtare flitet në fushë. Kur je drejtues dhe e di çfarë ndodh brenda klubit, ndonjëherë argëtohesh dhe ndonjëherë habitesh me gjithçka që shkruhet. Ne gjithmonë kemi thënë se këto janë marrëzi”, deklaroi Dreesen.
Ndërkohë, Bajerni e nisi mbrojtjen e titullit në Bundesliga me një fitore bindëse 5-1 ndaj Shtutgartit. Olise ishte sërish një nga protagonistët e skuadrës, duke shënuar golin e dytë të Bayernit në minutën e 55-të. Forma e tij e mirë vetëm sa ka shtuar interesin rreth emrit të francezit, por qëndrimi i Bayernit mbetet i prerë. Për momentin, klubi nuk ka marrë asnjë ofertë nga Real Madridi dhe nuk sheh arsye të hapë negociata të reja për një kontratë që ka edhe tri vite të tjera për të përfunduar.






































