Filmi “Bolero në vilën e pleqve”, me një dramë shqiptare vjen në programin e Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar që rikthehet pas më shumë se një dekade. Filmi me regji nga Spartak Pecani ka në role një kastë të njohur aktorësh dhe është shfaqur më parë edhe në festivale ndërkombëtare. Filmi me skenar nga Spartak Pecani dhe Linda Fejzaj, që gjithashtu është në konkurrim në këtë festival bazohet në romanin me të njëjtin titull të Fatos Kongolit.
Në rolet e filmit përmendim aktorë si Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Gentiana Ramadani, Olta Daku, Olta Gixhari, Merita Dabulla, Afrim Muçaj, Ledjon Zoi, Margent Çaushi. Në ngjarjet e filmit, Irena një infermiere e re, jeton në një qytezë të vogël. Marrëdhënia intime me shoqen e saj Ana e detyron të largohet nga qyteti në panik dhe të shpërngulet në Tiranë, ku ajo kujdeset për një çift të moshuarish.
E vetmuar dhe pa rrugëdalje, Irena gjen ngrohtësi në vilën e pleqve. Tingujt e Boleros dhe Irena janë dëshmitarë të heshtur të një letërkëmbimi të pazakontë mes çiftit. Përplasja mes dy botëve – botës së të moshuarve të dashuruar deri në fund të jetës dhe botës së fëmijëve të tyre që nuk dinë çfarë kërkojnë, e bëjnë Irenën të kuptojë vlerën e dashurisë. “Bolero në vilën e pleqve” me regji të Spartak Pecanit është prodhuar nga shtëpia kinematografike “Eclipse S.A” & coproduction “AM Production”.
Muzika nga Endri Sina dhe kostumografia nga Gerta Oparaku. Mes vlerësimeve që ka marrë më parë “Bolero në vilën e pleqve”, përmendim çmimin filmi më i mirë në “Paris Play International Film Festival” në dhjetor 2020 apo dhe me çmimi “Best Female Scriptëriter”, në “Toronto International Women Film Festival”.
Në Festivalin Kombëtar të Filmit Shqiptar filmi do të shfaqet më 8 shtator në orën 11:00, në sallën Black Box, Universiteti i Arteve dhe shfaqja e dytë do të zhvillohet më 11 shtator, në orën 19:00, në sallën e madhe, Universiteti i Arteve. Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar zhvillon edicionin e 14-të nga data 3 deri më 12 shtator në Tiranë.









































